Aktualitet/LajmeBlogKryesoreOpinions

Dy aktivitete misionare të UGSH që meritojnë vlerësim

Nga Ilir Krasniqi-
Një çerek shekulli kolegjialiteti dhe miqësie u bë arsyeja e shënimit të një takimi jo vetëm simbolik, por edhe domethënës, që solli në vëmendje dy aktivitete me peshë të veçantë në kalendarin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), të ideuara dhe të mbështetura nga kryetari i tij, z. Aleksandër Çipa.
Aktiviteti i parë lidhet me traditën tashmë 17-vjeçare të ndarjes së çmimeve vjetore të UGSH dhe konkursin “Vangjush Gambeta”, që vlerësojnë gazetarët më të spikatur në fushën e ekonomisë.
Ky aktivitet është vlerësuar gjerësisht edhe nga përfaqësues të lartë institucionalë e diplomatikë, përfshirë kreun e misionit diplomatik gjerman në Tiranë.
Me kalimin e viteve, ky çmim ka tejkaluar kufijtë e Shqipërisë, duke përfshirë në vlerësime edhe gazetarë të spikatur nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke u shndërruar në një model rajonal profesionalizmi.
Aktiviteti i dytë, po aq i rëndësishëm, mban emrin domethënës “Ditët e Miqësisë së Gazetarëve”.
Ai përfaqëson një thesar të vyer njerëzor, të ndërtuar mbi sinqeritetin, besimin dhe frymën e bashkimit, duke shkuar përtej konceptit të një feste simbolike. Qëllimi i tij ka qenë dhe mbetet forcimi i marrëdhënieve mes gazetarëve, figurave të kulturës dhe aktorëve të shoqërisë civile, përmes dialogut dhe mirëkuptimit.
“Ditët e Miqësisë së Gazetarëve” lindi në qytetin e Elbasanit, me iniciativën e gazetarit Besim Dybeli i cili së bashku me Fatmir Popja ishin bashkautor të inicimit të emrit “Ditët e miqësisë”, nje veprimtari që po zgjat dhe u shtri për 16 vite radhazi në qytete të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë (Preshevë e Bujanoc), Malit të Zi, Italisë dhe më gjerë.
Që në fillimet e saj, kjo nismë u mbështet nga UGSH, nën drejtimin e gazetarit Aleksandër Çipa, dhe u mbështet dhe menaxhua nga shoqata “RessEgnatia”, e zotit Vila, i cili gjithnjë ka mbështetur çdo aktivitet.
Ky aktivitet nuk mund të kuptohet thjesht si “Dita e Miqësisë së Gazetarëve”, por si një lloj “referendumi moral dhe kulturor”, që ka dhënë impulse konkrete për unifikimin e gjuhës, kulturës, historisë, arsimit dhe traditës në hapësirën shqipfolëse.
Njëkohësisht, ai ka ndikuar pozitivisht edhe në tryezat diskutuese mbi çështje social-politike, duke ndihmuar në zbutjen e paragjykimeve dhe forcimin e dialogut.
I mirëpritur nga emra të njohur të gazetarisë në Kosovë, aktiviteti u zgjerua gradualisht edhe në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Pavarësisht sfidave të tregut mediatik dhe polarizimeve shoqërore, debatet dhe tryezat e organizuara kanë kontribuar në shmangien e qëndrimeve paragjykuese dhe në ndërtimin e urave të komunikimit.
Frutet e këtij misioni ndihen sot qartë, si në planin individual ashtu edhe në atë kolektiv. “Ditët e Miqësisë së Gazetarëve”simbolizon njohjen e rolit jetik të gazetarisë në zhvillimin e shoqërisë dhe të institucionalizmit shtetëror, duke krijuar një mozaik mediatik përmes takimeve me grupe të ndryshme sociale.
Ky mision mori formë në një periudhë kur gazetaria moderne po përballej me sfida të mëdha, të lidhura me globalizimin dhe zhvillimin e shpejtë të teknologjive dixhitale. Interneti dhe rrjetet sociale sollën mundësi të reja, por edhe kërcënime serioze, si lajmet e rreme dhe luftërat informative, për të cilat mediat shqiptare shpesh ishin të papërgatitura. Në këtë kontekst, tryezat e organizuara nga UGSH u shndërruan në një mision të shenjtë për forcimin e një gazetarie profesionale, unifikuese dhe etike.
Çmimet e shumta të ndara ndër vite kanë shërbyer si nxitje për rritjen e nivelit profesional, motivimin e gazetarëve dhe forcimin e rolit të tyre në shoqëri. Me krenari mund të thuhet se, pavarësisht takimeve me qindra personalitete publike, ky mision nuk u ndikua asnjëherë nga politika, duke ruajtur pavarësinë dhe integritetin e tij.
Një efekt anësor, por mjaft i vlefshëm, i këtyre aktiviteteve ka qenë edhe promovimi i turizmit, pasi gazetarët përmes reportazheve të tyre kanë afruar lexuesit me pasuritë natyrore dhe kulturore të vendit.
Përgjatë gjithë këtyre viteve, UGSH ka qenë një “çelës dere” për këtë mision, duke bashkuar gazetarë nga fusha të ndryshme, publicistë, poetë dhe prozatorë, të cilët vazhdojnë të tregojnë interes dhe admirim për itineraret e radhës, duke zgjeruar vazhdimisht perimetrin e aktiviteteve dhe ndikimin e tyre.

Artikuj të lidhur

Back to top button