
Nga Bahri Cani-
Dhjetëra mijëra të rinj të “Gjeneratës Z” protestojnë në Gjermani – prapë edhe incidente…
Prapë disa kaotë dhe idiotë u përpoqën të shfrytëzojnë rastin dhe të thyejnë e plaçkisin, pas protestave (sipas mendimit tim) të drejta të nxënësve e studentëve. Prapë pati edhe arrestime dhe përplasje, ndonëse shumë më pak se para tre javësh.
Dhjetëra mijëra të rinj dolën edhe dje në rrugët e qyteteve kryesore gjermane për të kërkuar më shumë investime në arsim, mbrojtje më të fortë të klimës dhe për t’u shprehur kundër rikthimit të mundshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Protestat u organizuan nga lëvizja “Gen Z regelt” dhe disa organizata të tjera rinore në Berlin, Hamburg, Këln, Frankfurt, Mynih dhe shumë qytete të tjera.
Organizatorët thanë se rreth 87 mijë persona morën pjesë në demonstrata, duke theksuar se të rinjtë kërkojnë që politika t’i kushtojë më shumë vëmendje sfidave me të cilat përballet brezi i tyre, si kostoja e jetesës, arsimi dhe shëndeti mendor.
Megjithëse shumica e protestave kaluan pa incidente, në disa qytete si Hamburgu dhe Lajpcigu pati përplasje sporadike me policinë pas përfundimit të protestave.
Ka dhe të dhëna për arrestime, përplasje e plaçkitje, por në përgjithësi numri i incidenteve ka qenë më i vogël se në protestën e parë.
Organizatorët janë distancuar nga dhuna, por ata thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe kundërshtuan politikën e qeverisë Merz ndaj tyre.



