BlogKryesoreKultureOpinions

DERI KUR AKADEMIA SHQIPTARE NUK DO TË HYJË NË BOTËN E IDEVE?

Nga Robert Martiko-
E dëgjova me vëmendje edhe intervistën e Andreas Dushit, drejtor i Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave, kushtuar projekteve madhore si Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, Historia e Shqiptarëve dhe botimet enciklopedike. U dha një pasqyrë e gjerë për organizimin e projekteve, grupet e punës, platformat digjitale dhe procesin e botimit. Por, në fund, mbeta me të njëjtën pyetje themelore: ku është ideja?
Akademia nuk është vetëm një institucion që administron dijen. Ajo duhet të jetë vendi ku lind mendimi. Në një intervistë të tillë nuk pritet të dëgjohet vetëm si organizohet një projekt shkencor, por edhe cilat janë pyetjet e mëdha që ai synon t’u përgjigjet. Çfarë zbulon Fjalori i Madh për mënyrën si mendon njeriu shqiptar? Çfarë vizioni të ri sjell Historia e Shqiptarëve? Çfarë kuptimi të ri për identitetin, kulturën dhe qytetërimin prodhojnë kërkimet në antropologji, arkeologji apo gjenetikë?
Në vend të kësaj, biseda u përqendrua kryesisht te projektet, strukturat, procedurat, platformat, indeksimet dhe botimet. Të gjitha këto janë të domosdoshme, por janë mjetet, nuk janë qëllimi.
Një akademi nuk matet vetëm nga numri i projekteve apo i botimeve që realizon. Matet nga idetë që prodhon. Sepse një fjalor, një histori kombëtare apo një enciklopedi nuk janë qëllim në vetvete; ato janë instrumente për të hapur horizonte të reja mendimi.
Duke dëgjuar këtë intervistë, njësoj si atë të akademikut Gëzim Hoxha për Studia Albanica, krijohet përshtypja se Akademia vijon e patrazuar të lëvizë kryesisht në botën e dokumentit, kronikës, indeksimit dhe administrimit të dijes, por nuk hyn në botën e ideve. Ndonëse, pikërisht aty lind pyetja për njeriun, historinë, kulturën dhe për kuptimin e tyre.
Historia e mendimit evropian nuk ndryshoi botën sepse prodhoi më shumë filologji e dokumente, por sepse prodhoi pyetje të reja. Dhe një Akademi e përmbush misionin e saj vetëm kur, përveç administrimit të dijes, bëhet edhe laborator i ideve. Vetëm atëherë dijet e grumbulluara shndërrohen në kulturë që formon ndërgjegjen, jo vetëm në arkiv që ruan kujtesën.
Ka edhe një pyetje tjetër që, sipas meje, Akademia nuk mund ta shmangë më. Për sa kohë që studimet mbeten kryesisht në nivelin e kronikës, folklorit, etnografisë apo përshkrimit historik, pa hyrë në botën e ideve, nuk rrezikojnë edhe vetë interpretimet të mbeten jashtë kohës? Një interpretim që nuk vihet në dialog me Platonin, Kantin, Hegelin, Husserlin, Heideggerin apo me mendimin bashkëkohor, vështirë se mund ta orientojë shoqërinë drejt horizonteve të reja të kuptimit. Ai mund të ruajë kujtesën, por jo domosdoshmërisht të formojë ndërgjegjen.
Në anën tjetër, edhe kur Akademisë i paraqiten këndvështrime që përpiqen ta lexojnë historinë, kulturën apo figurat shqiptare në dritën e gjigandëve të mendimit perëndimor, ato rrallë bëhen objekt diskutimi. Nuk është e nevojshme të pranohen; por një akademi e gjallë nuk i hesht idetë. Ajo i vë në provë, i debaton, i kritikon ose i zhvillon. Sepse pikërisht nga dialogu lind mendimi.
Në fund, mbetet vetëm një pyetje:
Deri kur Akademia do të vazhdojë të administrojë dijen, pa hyrë në botën e ideve?

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button