Aktualitet/LajmeKryesorePolitike

Bllokuan seancën parlamentare, Noka e Bardhi sulmojnë Begajn: Presidenti erdhi si ministër i propagandës së Ramës

Deputetët e opozitës Flamur Noka dhe Gazment Bardhi kanë sulmuar presidentin Bajram Begaj, pasi tentoi të fliste sot nga foltorja e Kuvendit për t’iu adresuar palëve.

Begaj e pati të pamundur të mbante fjalën e tij, pasi deputetët e grupimit të Sali Berishës bllokuan sërish foltoren. Për këtë arsye, Presidenca njoftoi pak çaste më parë zhvendosjen e fjalës së Begajt në ambientet e Presidencës.

Noka e quajti presidentin Begaj si “ministër i propagandës së Edi Ramës”.

“Presidenti i republikës erdhi si shërbëtor i kuvendit, i Edi Ramës, për të bekuar ndryshimet, erdhi për të bërë propagandë. Tryezën duhet ta thirrte presidenti, jo të vinte si ministër i propagandës. Presidenti duhet të kthente ligjet. Presidenti i drejtohet me akte kuvendit. Aksioni opozitar do të vijojë me mosbindje civile”, u shpreh Noka.

Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe Gazment Bardhi, duke i bërë thirrje Begajt të mos sillet si i njëanshëm. Sipas tij, Begaj nuk duhet të sillet si i verbër kur Kuvendi ka 3 muaj që nuk funksionon normalisht.

“Më lejoni të ritheksoj edhe njëherë që sesioni i ri parlamentar nis në të njëjtën gjendje të mosfunksionimit, për shkak të bllokimit, dhe për të mos bërë funksional komisionin e reformës zgjedhore dhe për të vënë në jetë një pazar të ngjashëm me atë të vitit 2012.

Begaj do të jepte një mesazh, zyrtarisht është njoftuar që Kuvendi i Shqipërisë për 3 muaj është në një mosfunksionim normal të tij. Dhe prezenca e tij për herë të parë, ky akt i sotëm ishte një provokim i ulët i presidentit ndaj opozitës. I bëj thirrje të heqë dorë nga sjellja e tij si palë, si i njëanshëm”, tha Bardhi.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button