Aktualitet/LajmePolitike

Berisha në arrest shtëpie, Bardhi: Do vijojmë kaosin në Kuvend, nuk ka për të patur normalitet

Në parlament, i bashkon tymi kundër mazhorancës. Jashtë tij, në sfidën politike të parlamentareve te 2025-ës, Gazmend Bardhi zbulon se po bëhen negociata që të gjitha kampet brenda të djathtës, të mblidhen në një, edhe ne pjesën tjetër të aksionit opozitar

Hapat e para të bisedimeve Gazment Bardhi konfirmon për Report Tv se i ka nisur me deputetët e grupit të Sali Berishës.

“Të gjithë deputetët që janë të vendosur për të bërë opozitë, janë bashkë në parlament, janë duke koordinuar aksionin e tyre parlamentar. Ky bashkim do të duhet të shtrihet edhe në aksionin tonë politik jashtë parlamentit për të cilin ne po punojmë”.

Idenë e bashkimit e hodhën disa muaj më parë, partitë aleate, me atë që e quajtën federatë opozitare, për të cilën gjithashtu shpejt, Bardhi paralajmëron të ketë zhvillime.

“Opozita ka nevojë për një koalicion të gjerë politik opozitar që të ketë brenda çdo faktor opozitar dhe gjithë aksioni i opozitës të jetë i koordinuar nga një trupë ku përfaqësohen të gjitha partitë politike opozitare. Edhe në këtë drejtim është duke u punuar.”

Basha dhe Berisha i lirë në atë kohë, kushtëzuan federatën me praninë e njëri-tjetrit. Por Bardhi të lë për të kuptuar se mund të bashkëpunojë edhe me Lulzim Bashën, por së pari ai duhet të japë prova, se është në krah të opozitës, e nismat e fundit, për të dënuar shpifjen e përdorur nga deputetët, sipas Bardhit, e orientojnë drejt Ramës.

“Zoti Basha dhe cilido prej kolegëve nëse e çmojnë veten në opozitë, kanë detyrimin të jenë së bashku me ne kur ne bëjmë betejë për komisione, reformën zgjedhore, apo kur bëjëm betejë që bashkarisht kemi propozuar në Kuvend.

Mungesa e tyre kur ne jemi në aksion për të drejta kushtetuese të opozitës, apo propozimi I një ligji që do ta kishte zili edhe Edi Rama (dënimi i shpifjes) në vend që të jetë krah deputetëve të opozitës kur ne denoncojmë, propozon ligj që deputetët e opozitës të dënohen me dy vite.

“Uroj që në 2024 t’i përgjigjet atij mandati opozitar që ka marrë si përfaqësues i popullit opozitar”.

Edhe me Sali Berishën në arrest shtëpie, të hënën parlamentit deputetët e opozitës do t’i drejtohen me synim të qartë: Nuk ka qetësi e normalitet.

“Nuk ka për të patur normalitet të punës në Kuvend. Sepse normaliteti nënkupton që maxhoranca të kryejë detyrën e saj pa penguar opozitën të kryejë përgjegjësitë e veta kushtetuese.

Nuk besoj që mungesa e Berishës do ta pengojë, por mungesa e Berishës dhe çdo deputeti të opozitës në aksion ka rëndësinë e vet. Do ta vlerësojmë në mbledhjen e grupit parlamentar nëse sjellja jonë do të jetë e njëjtë, pra për të pamundësuar seancat normale, apo a do të kalohet në hapa të tjerë përshkallëzues të aksionit të opozitës”.

Flakën në parlament, drejtuesi i shumicës së deputetëve opozitarë, thotë se po e shton më shumë indiferenca e socialistëve për të dialoguar.

“Është çështje vullneti politik. Grupi parlamentar ka shprehur gatishmërinë për dialog politik, nga ana tjetër keni parë maxhorancën që i ka shtuar benzinë zjarrit (në mënyrë figurative) në Kuvendin e Shqipërisë, situatës jo-normale me ndryshime të njëanshme në rregullore e ligjin e komisioneve). Uroj të ketë reflektim të deputetëve të maxhorancës.”

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button