
Nga Enver Robelli-
Sjellja e avokatëve të ish-presidentit Hashim Thaçi pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në Gjykatën Speciale me seli në Hagë nuk është serioze. Avokati amerikan Pierre-Richard Prosper, menjëherë pas humbjes brutale të rastit, në vend se të fliste për gabimet e mbrojtjes, deklaroi se po të ishte Kuvendi i Kosovës, “do e zhbëja Gjykatën Speciale që nesër”.
Gjuha shkon lehtë në shumë drejtime, por avokati Prosper së pari duhet të flasë për punën e tij. Ai ka punuar rreth gjashtë vjet si avokat i Thaçit dhe këtë nuk e ka bërë falas (ka marrë shuma të majme, edhe nga buxheti i Kosovës). Duke ushtruar funksionin si avokat në këtë lëndë, ai e ka pranuar edhe ligjshmërinë e Gjykatës Speciale. Nuk mund të dalësh pas gjashtë vitesh e të thuash “unë do e zhbëja Gjykatën”. Zhbërja e saj është përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës dhe mbetet e paqartë nëse kjo është e mundshme përballë barrierave shumë të larta politike. Kjo është çështje e brendshme e Kosovës, jo e avokatit Prosper; ai duhet të flasë për dështimet e veta.
Edhe avokati amerikan me origjinë kroate, Luka Mišetić, para se të zhvillojë polemika me një komisionere të BE-së në rrjetin X – hapësirë ku ai shpesh përplaset me shumë njerëz -, duhet të njoftojë opinionin publik të Kosovës se përse dështoi strategjia e tij para Gjykatës Speciale. Prosper, Mišetić dhe të tjerët janë angazhuar për beteja juridike, jo për mallkime politike.
Nëse rezulton se zhbërja e Gjykatës Speciale është e pamundur (këtë as nuk e paragjykoj, as nuk e parashikoj), ish-presidenti Thaçi bën mirë të përqendrohet në betejën e shkallës së dytë.
Avokati Mišetić krenohet shumë se në shkallën e dytë e ka shpëtuar gjeneralin kroat Ante Gotovina, i cili u shpall i pafajshëm. Por e vërteta e plotë duhet treguar: një avokat tjetër i rëndësishëm në procesin kundër Ante Gotovinës para Tribunalit të OKB-së për ish-Jugosllavinë ka qenë profesori gjerman i së drejtës penale, Kai Ambos. Pasi u lirua Gotovina në vitin 2012, Ambos dha një intervistë për gazetën gjermane DIE ZEIT. Aty Ambos thekson se aktakuza kundër Gotovinës dështoi sepse të fajësosh dikë për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” përbën një konstruksion të dobët juridik.
Shtrohet pyetja: nëse paska qenë konstruksion i dobët juridik në rastin e Gotovinës, përse të mos jetë edhe në rastin e katër të dënuarve nga Kosova? Fundja, edhe këta pikërisht për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” u dënuan, e jo për krime kundër njerëzimit.
Në lëndën kundër Gotovinës, sipas profesorit Ambos, “si provë e drejtpërdrejtë e kësaj ndërmarrjeje kriminale ekzistonte vetëm një procesverbal i një takimi të udhëheqjes kroate. Vlera provuese e tij ishte e dyshimtë qysh nga problemet e përkthimit nga kroatishtja në anglisht, ndërsa përmbajtja e tij mbetej gjithsesi e dykuptimtë”.
Nëse në rastin e Gotovinës trupi gjykues nuk e ka pranuar një dokument të dykuptimtë për ta dënuar gjeneralin kroat mbi akuzën e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, a mund të dënohen katër krerët e lëvizjes çlirimtare të Kosovës vetëm mbi bazën e komunikatave të tyre me formulime – dorën në zemër – mjaft të pamatura?
E kam të pamundur ta vlerësoj këtë me saktësi në këtë moment. Por kjo mund të jetë një pyetje tejet interesante për profesorin Kai Ambos. Ai sot mund të ishte avokat i Thaçit. Nuk është: është gjykatës në Gjykatën Speciale. Në rast se çështja shkon në shqyrtim në shkallën e dytë dhe nëse Ambos, eventualisht, bëhet pjesë e trupit gjykues, çdo i interesuar për këtë proces do të presë me kureshtje të madhe qëndrimin e tij: a mendon ai ngjashëm për konstruksionin e dyshimtë juridik “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, si për Gotovinën ashtu edhe për ish-presidentin Thaçi dhe të tjerët? Kjo është e pamundur të dihet tani, por ia vlen të mendohet në këtë drejtim.
Një porosi për ish-presidentin Thaçi dhe bashkëvuajtësit e tij: përqendrohuni në betejën juridike dhe injoroni huliganët digjitalë dhe tregtarët e së vërtetës. Ata nuk kanë parasysh as interesat tuaja, as ato të Kosovës.
P.S: Titulli i redaksise



