Aktualitet/LajmeKryesoreNdodhi

“Antikorrupsioni”, gjetjet e tjera të ekspertëve: Raportime nga sinjalizuesit dhe mbivendosje kompetencash mes institucioneve

Në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua dje tryeza e dytë publike për konsultimin e Dokumentit Analitik, që do të miratohet më pas nga Komisioni i Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit. Tema e tryezës ishte “Parandalimi i korrupsionit në sektorin privat dhe ndërtimi i një shoqërie me integritet”. Ekspertët prezantuan gjetjet e analizës së tyre të deritanishme, si dhe ndanë disa rekomandime për ndërhyrjet që duhen adresuar lidhur me masat ligjore dhe mekanizmat institucional për të nxitur dhe mbështetur qytetarët, aktorët e shoqërise civile për të denoncuar korrupsionin si dhe mbrojtjen e denoncuesve.

Nën moderimin e Dr. Ilda Muçmataj, pedagoge në Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës morën pjesë në këtë tryezë përfaqësues nga shoqëria civile, përfaqësues të shoqatave të biznesit, dhomave të tregtisë, institucione financiare, institucionet shtetërore, si dhe disa anëtarë të Komisionit të Posaçëm. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe ekspertë dhe përfaqësues të huaj të atashuar pranë Komisionit nga: Zyra e Këshillit të Europës në Tiranë, Ambasada Amerikane në Tiranë, Ambasada Franceze, Ambasada Zviceriane, Prezenca e OSBE-së, etj.

Lidhur me çështjen e parë “Parandalimi i korrupsionit përmes forcimit të integritetit në sektorin privat”, prezantimi i gjetjeve kryesore të analizës u bënë nga Prof. Asoc. Dr. Jonida Rystemaj, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe LL.M. Monika Cano, pedagoge e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

Në kuadër të përpjekjeve për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në sektorin privat gjetjet e ekspertëve konsistonin në adresimin e korrupsionit përmes masave në sektorin privat në tërësi, duke përfshirë tregjet me efekt të ndjeshëm në ekonomi. Ligji “Për regjistrin e pronarëve përfitues” cilësohet si një arritje e rëndësishme në këtë drejtim edhe pse zbulimi i/e pronarit fundor mbetet një sfidë lidhur me transparencën. Në gjetjet e ekspertëve rezulton se bankat, shoqëritë e sigurimeve dhe tregjet e kapitalit, si pjesë e tregjeve financiare, i nënshtrohen një kuadri rregullator më të ndërlikuar e kompleks, duke siguruar një bazë të fortë për stabilitetin financiar.

Megjithatë, institucionet me kompetenca mbikëqyrëse, rregulluese dhe kontrolluese të tregut, si Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Autoriteti i Konkurrencës etj., ende përballen me mungesën e kërkesave të qarta e substanciale për kontrollin e pastërtisë së figurës për drejtuesit e lartë. Sipas gjetjeve analitike mbeten ende sfida në mbikëqyrjen dhe monitorimin e ndërmarrjeve shtetërore (NSH), ndërkohë që mungesa e një regjistri të plotë publik për këto ndërmarrje dhe mungesa e auditimeve të jashtme të rregullta janë çështje që kërkojnë trajtim.

Gjatë diskutimeve, z.Luan Bregasi, President i “Biznes Albania” dhe z.Nikolin Jakaj, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, vlerësuan punën dhe qëllimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm duke e konsideruar si një mision per të përmiresuar klimën e biznesit, forcuar shtetin dhe për të luftuar korrupsionin. Ata theksuan nevojën e forcimit të shtetit, të zgjidhjeve që duhet të jepen administrativisht, për të forcuar kapacitetet e punonjësve të administratës për ta bërë më efektiv sistemin, si dhe rishikimin e kuadrit ligjor me qëllim promovimin e konkurrencës së lirë. Përfaqësuesit e biznesit parashtruan nevojën e rishikimit të ligjeve për konkurrencën, inspektimet, prokurime publike, por dhe përfshirjen në diskutime dhe bërjes palë të biznesit në reformat ekonomike që do pësojë vendi në kuadër të procesit të integrimit.

Z. Jakaj theksoi se krahas lehtësive që janë krijuar me shërbimet online ka edhe paradokse si ai që ka ndodhur prej gati një viti me Kadastrën, e cila nuk ka funksionuar. Kjo ka çorientuar sipërmarrjen, por edhe vetë qytetarët. Veç kësaj ai evidentoi edhe disa ligje që sipas tij nuk janë të konsultuara me sipërmarrjen dhe kërkohet që të jenë pjesë e tryezave!

Lidhur me çështjen e dytë “Ndërtimi i një shoqërie me integritet”, prezantim i gjetjeve kryesore të analizës u bënë nga Dr. Sofjana Veliu, pegadogë pranë Universitetit Europian të Tiranës dhe znj. Ardita Seknaj, përfaqësuese e Dhomës Ndërkombëtare Tregtare në Shqipëri. Ekspertët shohin me problem zbatimin e Ligjit Nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, zhvillimet në institucionet kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile. Ekspertët kanë konstatuar se raportimet nga sinjalizuesit në cdo institucion për korrupsion janë të ulëta, veçanërisht në sektorin privat. Pavarësisht se vlerësohet pozitivisht përparimi i bërë në krijimin e disa institucioneve kundër korrupsionit me burime financiare dhe njerëzore në rritje, mbivendosja e kompetencave mes strukturave dhe institucioneve të ndryshme, sipas analizës, mbetet për t’u adresuar, pasi nevojitet qartësimi dhe rishikimi i përgjegjësive të tyre.

Ekspertët trajtuan nevojën e përfshirjes së shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit dhe në mbikëqyrjen e financave publike, si një aspekt kyç në luftën kundër korrupsionit. Ekspertët paraqitën një sërë rekomandimesh, ku mes tyre: bërja efektive e mekanizmit të sinjalizimit, mbivendosja e kompetencave, roli i shoqërisë civile; integrimi i edukimit kundër korrupsionit në kurrikulat shkollore dhe përpjekje të mëtejshme për krijimin e qendrave kërkimore që do të fokusohen në çështjet e qeverisjes së mirë.

Gjatë diskutimeve përfaqësues të shoqërisë civile sugjeruan përfshirjen në ligjin “Për shoqëritë tregtare” edhe të detyrimeve për garantimin e etikës dhe integritetit. Znj Migena Kondo përmendi forcimin e kontrollit të Kuvendit ndaj Qeverisë nëpërmjet kontrollit post legjislativ të ligjeve të miratuara duke përfshirë kontributet edhe të shoqërise civile! Një aspekt tjetër i përmendur edhe nga znj. Mirela Arqimandriti kishte të bënte me sugjerimet për procesin real të konsultimit publik të legjislacionit por edhe të monitorimit të financave publike!

Përmbledhjet e diskutimeve të tryezës u bënë nga deputetja e Komisionit të Posaçëm, znj. Etilda Gjonaj, e cila tha ndër të tjera se parandalimi, ndërgjegjësimi dhe lufta kundër korrupsionit nuk është pjesë e vetëm një institucioni, por është pjesë e të gjithë shoqërisë. Mund të flasim tha ajo për ngritjen e sistemeve dhe miratimit të ligjeve shumë të mira, por thelbësore mbetet ndryshimi i mentalitetit dhe kulturës. Gjonaj vlerësoi komentet dhe sugjerimet e aktorëve të shoqërisë civile dhe sektori privat duke i konsideruar të domosdoshme dhe duke nxitur aktorët për te kontribuar edhe nëpërmjet komenteve me shkrim ose edhe nëpermjet faqes web te dedikuar të Komisionit të posacëm. Përmbledhjet ekzekutive të ekspertëve për draft Dokumentin Analitik në shtyllën e Antikorrupsionit, gjenden të publikuara në faqen web të Komisionit të Posaçëm, Masl.al.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button