Aktualitet/LajmeBotaKryesore

Amerikanët të ndarë mbi kandidaturën e Biden

Presidenti amerikan Joe Biden thotë se ai do vazhdojë garën presidenciale kundër ish-presidentit Donald Trump, pavarësisht paraqitjes së tij të dobët në debatin e parë me rivalin e tij republikan. Votuesit amerikanë kanë mendime të ndryshme mbi kandidaturën e Presidentit Biden.

Drejtuesit e fushatës së zotit Biden iu kundërvunë thirrjeve për tërheqje të kandidaturës së tij pas vështirësive në debatin e parë presidencial, duke njoftuar një plan agresiv reklamash politike prej 50 milionë dollarësh në media për muajin korrik.

Gjatë një tubimi elektoral të premten në Viskonsin, zoti Biden tha se ai do të vazhdojë garën për president. Votuesja Sabrina Jordan thotë se ai ende është një kandidat me shanse të mira.

“Ai duhet të jetë më pak i lëkundur dhe më i fortë në mbështetjen e qëndrimewv e të tij. Ai duhet t’ua bëjë të qartë njerëzve, siç bëri sot, se ai nuk do të heqë dorë nga gara. Nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim dramatik, ai për mua është kandidati i duhur”, thotë Sabrina Jordan, votuese nga shteti i Viskonsit.

Votuesi Jonathan Lustag nuk është i sigurt.

“Ai nuk është i njëjti njeri. Nuk mund të kthehesh mbrapa. Nuk po bëhemi më të rinj. Nuk mund ta mundësh pleqërinë”, thotë ai.

Kthimi i zotit Biden në fushatë pas debatit nuk i ka lehtësuar shqetësimet e demokrates Ellis Johnston.

“Unë nuk ndihem e sigurt në aftësinë e zotit Biden për të fituar zgjedhjet presidenciale. Kjo më bën shumë të frikësuar”, thotë ajo.

Për mbështetësit e zotit Trump, paraqitja e dobët e zotit Biden në debat rikonfirmoi pikëpamjen e tyre se ai nuk është kandidati i duhur për një mandat tjetër.

“Nuk ka asgjë që mund të dalë nga goja e zotit Biden, që do të mund të ndryshonte mendimin e tim për atë. E njëjta gjë vlen edhe për zotin Trump”, thotë Lamont Pearson, votues nga shteti i Kalifornisë.

Paraqitja e zotit Biden në debat nuk është një pasqyrim i plotë i aftësive të tij, thotë votuesi Jeffrey Tanarelli nga shteti Xhorxhias.

“Mendoj se Joe Biden ka pasion të madh dhe është shumë inteligjent. Mendoj se ai nuk doli mirë sepse nuk i përmbushi pritshmëritë e njerëzve për debatin”, thotë ai.

Për votuesen nga Uashingtoni, Hannah Sobolevitch kjo mungesë energjie e lë të hapur mundësinë për të mbështetur një kandidat të ri.

“Ishte e qartë për mua se ndoshta zoti Biden nuk është si më parë. Mendoj se do ta mbështesja një kandidat tjetër, nëse demokratët vendosin ta zëvendësojnë zotin Biden”, thotë ajo.

Nëse demokratët duan të kenë një kandidat tjetër, ata duhet të vendosin shpejt, thotë votuesja nga Miçigani, Lexis Zeidan.

“Duhet të ketë një debat brenda muajit të ardhshëm rreth hapave që Partia Demokrate duhet të marrë për të bashkuar të gjithë bazën e saj të votuesve përpara nëntorit, ose ne do të shohim një presidencë të zotit Trump”, thotë ajo.

Nënpresidentja Kamala Harris do të ishte në krye të listës për ta zëvendësuar Presidentin Biden. Por kjo mund të mos funksionojë, thotë votuesja nga Kalifornia, Stephanie Bowers.

“Do të më pëlqente nëse Kamala do të ishte kandidate për presidente. Por, mendoj se me botën ashtu siç është, me gjithë paragjykimet që kemi sot, zoti Trump ndoshta do të fitonte ndaj Kamalës më lehtë sesa ndaj zotit Biden”, thotë ajo.

Zyrtarët e fushatës së zotit Biden kanë bërë përgatitje për angazhimin e Zonjës së Parë Jill Biden në takime me familjarë të ushtarakëve në tre shtete këtë javë dhe Presidenti Biden do të mbajë tubime elektorale në Teksas dhe Nevada javën e ardhshme, ndërsa Partia Republikane mban kuvendin e saj kombëtar.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button