Aktualitet/LajmeKryesorePolitike

Ambasadori Bucci: Italia mbështetje të plotë për drejtësinë dhe SPAK-un

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci deklaroi sot se, Italia jep mbështetje të plotë për të gjithë sektorin e drejtësisë shqiptare, në mënyrë të veçantë për SPAK-un.

Në fjalën e tij në Konferencën e përbashkët të Policisë së Shtetit me Guardia di Finanza, për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, Bucci tha se, “fushata e mbikëqyrjes nga ajri ka arritur në edicionin e 13-të dhe është një përsosmëri, jo vetëm për rajonin e Ballkanit”.

“Rezultatet që prezantuam sot në luftën ndaj fenomenit të kultivimit të kanabisit në Shqipëri, janë të rëndësishme dhe kanë rendësi të veçantë”, tha Bucci, i cili falënderoi Policinë shqiptare për standardet cilësore të arritura në luftën ndaj krimit të organizuar.

“Bashkëpunimi policor në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikimi të lëndëve narkotike ka një rol të veçantë në interes të përbashkët të Italisë dhe Shqipërisë”, theksoi ai.

 

 

Ambasadori nënvizoi se, “është falë këtij bashkëpunimi që vetëm në 2024-ën kemi zhvilluar me sukses shumë operacione të përbashkëta në luftën ndaj lëndëve narkotike dhe jo vetëm”.

Bucci theksoi se, “mbështetja italiane është e gjerë dhe mbulon çdo sektor, nga lufta ndaj krimit të organizuar, tek korrupsioni dhe trafikimi i lëndëve narkotike”.

“Mbështetja jonë e plotë dhe e bindur shkon për të gjithë sektorin e drejtësisë shqiptare, magjistratëve shqiptarë. Në mënyrë të veçantë mbështetja jonë shkon për SPAK-un”, tha ai.

Bucci u shpreh se, “gjatë viteve roli i Italisë në Shqipëri është rritur dhe është pajisur me mjete të rëndësishme falë të cilës kemi promovuar nisma të mrekullueshme dhe kemi arritur rezultate”.

Ambasadori i u shpreh se, “janë aktualisht 15 skuadra të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Italisë. 60 persona në kërkim janë ndaluar së fundmi dhe 40 ekstradime janë realizuar”.

Ai gjithashtu përmendi aktivitetet e formimit të specializuar të kryera nga Policia e Shtetit, Guardia di Financa dhe Arma dei Carabinieri për hetuesit e BKH-së.

“Më shumë se 10 kurse të zhvillua nga Ministria e Brendshme italiane në favor të policisë shqiptare, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në 2023-shin nga dy drejtuesit e policisë italiane dhe shqiptare për mbështetjen ndaj formimit arsimor”, tha ai.

Bucci gjithashtu përmendi praninë e katër magjistratëve italianë që punojnë në mbështetje të drejtësisë shqiptare.

Ambasadori evidentoi edhe bashkëpunimin mes Këshillit të Lartë të Magjistraturës Italiane dhe Shkollës së Magjistraturës të Shqipërisë për formimin e magjistratëve të rinj shqiptarë.

“Ne kemi bërë shumë, por duhet çuar përpara ky bashkëpunim duke forcuar më tej luftën ndaj çdo forme kriminaliteti, sepse nuk ka alternativë tjetër. Duhet të bashkëpunojmë. Krimi i organizuar di të operojë në nivel global, është i shpejtë dhe ne duhet të lëvizim me të njëjtin efikasitet, me të njëjtin fleksibilitet të kriminelëve”, tha ai.

Sa i përket luftës ndaj pasurive të paligjshme dhe riciklimin e parave të pista, ambasadori u shpreh se, “në këtë fushë duhet të çojmë përpara punën tonë të përbashkët për ta luftuar këtë fenomen, për ta luftuar krimin e organizuar. Krimi i organizuar duhet luftuar atje ku i dhemb më shumë, atje ku janë paratë dhe fuqia financiare dhe ky është një mësim që na i kanë dhënë magjistratët tanë, Falcone dhe Borselino më shumë se 30 vite më parë”.

“Vendosmëria jonë për të punuar bashkë me autoritetet shqiptare vijon dhe nuk do të mungojë asnjëherë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, paligjshmërisë. Italia e di që mund të mbështetet tek Shqipëria sot, dhe akoma më shumë në të ardhmen”, tha Bucci.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button