
Prokuroria e Posaçme është duke verifikuar disa transferta parsh të kryera nga kompania 4 A-M jashtë Shqipërisë. Prokurorët e SPAK dyshojnë se këto transferta parash mund të kenë lidhje me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndërkohë që verifikimet janë në proces.
Por si u shndërrua 4 A-M nga hiçi në një nga kontraktorët më të mëdhenj të shtetit? Zanafilla e suksesit fillon me Albcontrol.
Ndonëse fillimisht shihej si një kompani e lidhur me Partinë Demokratike për shkak edhe të origjinës tropojanë të pronarëve të saj, në vitin 2012 kompania 4 A-M ishte vetëm një ndërmarrje modeste me një xhiro prej rreth 3.3 milionë eurosh. Por me ardhjen e socialistëve në pushtet, kompania e zotëruar nga Ardit Metaliaj dhe vëllezërit e tij nisi të ngjitej me një shpejtësi të rrufeshme duke u shndërruar në një nga peshkaqenët më të mëdhenj të fondeve publike.
Në vitet 2014-2015, 4 A-M mori disa kontrata të rëndësishme në Albcontrol, gjatë kohës kur ky institucion drejtohej nga Belinda Balluku. Kjo me sa duket ishte pikënisja e një marrëdhënie të veçantë, e cila do të forcohej edhe më shumë gjatë viteve në vijim, teksa pushteti i Ballukut rritej në mënyrë eksponenciale.



