BlogKryesore

A KA PATUR NDONJËHERË DIKTATURË….(Vijimi/fundi)

3. A KA PATUR NDONJËHERË DIKTATURË….(Vijimi/fundi)-
Në vend të diktaturës, na qënka përmbysur parajsa!
Zoti Vangjush Gambeta po boton kujtimet. Vendin kryesor në to e zë angazhimi i tij i gjatë në gazetën “Zëri i Popullit”. Përgjatë shkrimit ai tregon se në tërë periudhën që punoi tek “Zëri i Popullit”, në drejtim të gazetës u ndërruan pesë kryeredaktorë, që nga Paçrami e deri te Xhelil Gjoni. Gambeta flet me respekt e simpati për të gjithë ata, duke nënvizuar tiparet e veçanta karakteriale e duke mbajtur të përgjithshëm, profesionalizmin, kujdesin atëror për gazetarët e rinj, besnikërinë e fjalës së dhënë, e tjera.
Por megjithatë, nga sa lexojmë prej zotit Gambeta, kuadrot drejtuese të gazetës më mashtruese dhe më të mërzitëshme në historinë e këtij rruzulli, nuk kishin asnjë tipar nga ata që ta shpien mendjen te diktatura.
Një diplomat i viteve 1980 reagoi njëherë ndaj një shkrimit tim, ku flisja për dallimet e detyrave të sotme me ato të djeshmet, që kanë qënë para diplomatëve shqiptarë. Ai m’u kundërvu duke derdhur një lumë konsideratash me kurrikulumet e pasura e të ndritura të njerzve të caktuar nga Hoxha në shërbimin diplomatik.
Zotëria nuk përmendëte ndonjë gjë të veçantë dhe bile nuk qe ndalur fare në detyrat që kryenin ata në shërbim të asaj politike ultraizolacioniste, e cila e kish vendosur Shqipërinë kundër ShBA-ve, Japonisë, Kanadasë, Gjermanisë, Francës, BRSS-ve, Kinës, Australisë, Italisë e shumë të tjerëve, edhe ndërpres listën, pasi nuk kam vend të rreshtoj mbi 150 e ca shtete! Ai i quan kolegët e tij të atëhershëm, diplomatë të përsosur. Askush nuk e kupton se çfarë përsosmërie duhet të kishe, që të zbatoje detyrën parësore të diplomatëve enverianë, atë të mbajtjes gjallë të armiqësisë me tërë botën dhe shpërndarjes së veprave të të ndjerit komandant!
Me të tillë tone flet për kolegët e tij policë edhe i madhi i policëve të kryeqytetit në një libër, ku përshkruan gremisjen e rendit komunist dhe një nga tronditjet më spektakulare, atë të pushtimit të ambasadave nga shqiptarët të cileve u pat vajtur sharra në kockë. Edhe pas kaq viteve ai nuk e ka ndërruar gjuhën dhe për profesionalizmin dhe devotshmërinë e forcave të rendit, ai ve notat më të larta. Sipas Dilaver Bengasit, hetuesit, sampistët dhe policët i kishin plotësisht të qarta detyrat në marrëdhënie me keqbërësit. E vetmja gjë e paqartë për ta ish cilët ishin. tamam-tamam, keqbërësit: ishin ata të mbyllurit në ambasada, apo ata të mbyllurit në Bllok?!
Diktatura që po kërkoj unë me fener në dorë, në ushtri është akoma më e vagullt. Për një ide mbi kuadrot e ushtrisë të atëhershme ndihmojnë me kujtimet e tyre të botuara Veli Llakaj dhe Hito Çako. Në shkrimet e tyre do të gjeni gjeneralë parimorë, të guximshëm, mikpritës bujarë, strategë të shkëlqyer dhe atdhetarë të përgatitur për të mbrojtur lirinë deri në sakrificën sublime.
Edhe kur rrufetë, gjatë purgave staliniane të viteve 1974-76, u kthyen përmbi kokat e këtyre ushtarakëve të lartë, ata shfaqën trimëri të rrallë dhe shqiptuan me zë të rëndë fraza me shtat historik. Kundër kujt u thanë ato fraza, nga shkruesit e kujtimeve nuk del në dritë!
Ditë të shkuara, në Tiranë, u shfaq një film kushtuar Fadil Paçramit dhe u ekspozuan libra të shkruar enkas për të!
E prek në këto shenime pasi më vjen turp të hesht e të pajtohem me ata që e njohin si unë dhe nuk e kuptoj se ç’interesa u janë pleksur e i detyrojnë të hedhin dritë mbi jetën e një njeriu të zakonshëm, që meriton megjithatë keqardhje për vuajtjet, por që nuk të ve në lëvizje fantazinë, edhe pse ka qenë luftëtar antifashist, udhëheqës i rinisë në vitet e pas çlirimit, dramaturg, Ministër i Kulturës dhe deri kandidat i Byrosë Politike. .
Dhe askujt nuk i vjen zor që në filmat e librat që kanë bërë për të, nuk arrijnë të nënvizojnë dot një akt heroik të vetëm!
Akt heroik, jo e jo, por as edhe një episod përplasjeje! Nuk veçojnë dot asnjë tezë të tij, e cila të ishte disi jashtë binarëve të kohës. Nuk munden dot t’i atribuojnë atij as shkëndija disidence, as novatorizma në shtypin që ka drejtuar, apo të dramave të shumta, të cilat përmenden si korpus, si tituj, por nuk botohen, nuk rivihen në skenë dhe lihen mënjanë. Dhe është e logjikshme që lihen mënjanë pasi është më mirë që ato të numërohen, sesa të shfletohen!
Askush nuk thotë dot, se cila dramë, cili personazh meriton të veçohet për dëmin që i solli autorit Paçrami! Pavarësisht se sa nderohen e përkujtohen sot, tërë këta individë, gjeneralë si Çakoja e Dumja, figura qëndrore si Lubonja, Paçrami dhe Ziçishtët, nuk duhet harruar se ata u vranë e u burgosën, ngaqë kuçedra Hoxha iu vërsul atyre dhe jo ngaqë ata i dolën ndonjëherë përballë kuçedrës!
Anëtarët e plenumeve të Komitetit Qendror të partisë së tyre, i dënuan këta shokë të vjetër, duke tjerrë e stërtjerrë akuzat e shpifura dhe bajate të Kryezotit e duke mos përfillur hiç autokritikat, që ata i bënin në mënyrë të natyrshme për t’i shpëtuar dënimit. Askush nuk ua vuri veshin kur ata përgjëroheshin se ishin besnikë të partisë dhe tërë jetën kishin ecur pas mësimeve të shokut Enver. Kjo ishte drama tipike që luhej në plenume, ku të vetmit që nuk gënjenin ishin ata që po shkonin drejt pushkatimit.
Këtë dramë Fadil Paçrami nuk e shkroi kurrë…
Ngatërrohemi edhe më shumë në kërkimin e gjurmëve të diktaturës, kur “Tirana Observer”, na flet për misionet heroike të Sigurimit, mes diversantëve malësorë, që hidheshin me parashutë, apo braktisnin fshatrat e qytetet e jetonin dhe organizoheshin maleve, për të përmbysur regjimin e Hoxhës me shokë.
Po t’u besosh shënimeve të Dodanit, duhet që nëpër malet e veriut numuri i statujave për Kadri Hazbiun dhe Mehmet Shehun t’ia kalojë numrit të shkëmbinjve!
Në “Tirana Observer”, të 3 shkurtit 2006, M. Dodani përsërit gërmë për gërmë fjalimin patriotik të diversantit Hamit Matjani një i lëshuar me parashutë mbi territorin tonë nga zbulimet amerikane. Ja fjalët e Matjanit: “Nuk e dija! Ju lumtë! Paska vërtet djem Shqipëria! Ju nuk po luani vetëm me mua, ju po luani me CIA-n amerikane dhe në këtë rast, me të mirënjohurin, kolonelin Xhon. Ia kisha thënë atij, se akoma nuk i kishte njohur mirë shqiptarët, i kisha thënë se, sa herë kaloja kufirin shqiptar, mbi mua binin breshëri plumbash. Kur t’i vijë koha do ta kuptojë edhe Xhoni, që mua mu vërtetuan fjalët që i pata thënë. Edhe unë, në vena, gjak shqiptari kam.”
Dhe më tej Dodani shkruan, për operacionin e zënies së Hamit Matjanit, i cili u përdor në lojën kundër CIA-s (që atëhere nuk ishte me ne – shënimi im). “Në udhëzimin e posaçëm të Kadri Hazbiut”, – nënvizon Dodani, – “grupi special kishte përcaktuar që nuk duhej të vriste kurrsesi, jo vetëm Hamit Matjanin, por asnjërin syresh, sepse me ta, “si shqiptari me shqiptarin, mund të merremi vesh për të kundërvepruar me mjeshtëri kundër armiqve të përbashkët të Shqipërisë. Madje ata mund të integrohen të rehabilituar në strukturat tona” – parashikonte Hazbiu.
A nuk duken të shkëlqyera, si deklarata kalorësish fisnikë, si faqe nga eposi i Veriut! Kemi një burrë që arratiset para dy vjetësh, kthehet me parashutë dhe vë re për herë të parë, se, pas dy vjetësh, “paska djem Shqipëria”!!! Pastaj kemi një ministër të Brendshëm, nga burrat më të lartë që ka patur ky vend, që jep udhëzim që ta trajtojnë Hamitin “si shqiptari shqiptarin” dhe urdhëron të mos e vrasin se …..u duhet ta varin!…
(Hamit Matjani është varur në fushën sportive të Lushnjës në prag të festave të nëntorit 1953, pa u integruar e pa u rehabilituar hiç nga Hazbiu! – Dhe këtë herë, ky shënim nuk është hiç i Dodanit, por imi!)
Por nuk është metoda letrare ajo që më shqetëson mua. Unë dua të di në se duhet t’i vlerësoj Dodanin dhe Mëlyshin si heronj që mbronin lirinë, teksa Matjanin, Leshanakun dhe malësorët e Mirditës dhe Mbishkodrës t’i quaj të pabesët, që u shërbenin anglo-amerikanëve në dëm të kombit të vet? Apo këta që zbrisnin nga qielli të lëshuar nga CIA, (që tani është me ne!), ishin në të vërtetë heronj të përkushtuar për të përmbysur diktaturën e egër enveriane, teksa Dodani me Mëlyshin ishin shërbëtorë të verbër të asaj?!
Kam frikë se në gjëndjen ku e ka futur politika shoqërinë shqiptare, askush nuk ma jep dot një përgjigje të saktë dhe mua më dhimbsen librat e historisë! Më dhimbsen sidomos fëmijët, që do t’i hapin ato tekste duke u përpjekur të njohin vendin e tyre dhe njerëzit që u rritën në këta troje. Shumë vetë janë të mendimit, se përgjigja për mua nuk është përcaktuar dot qartë, pasi dy partitë që heqin vallen nuk janë në një mendje. Kurse unë ngul këmbë, se kjo nuk ka marrë zgjidhje të plotë, nga që të dyja këto parti… janë tmerrësisht në një mendje!
Një nuse me buzagazin e saj fotozhenik vete më larg akoma, kur në faqet e gazetave, gati për ditë, ngre në qiell virtutet e Enver Hoxhës, duke arritur suksese në ndërmarrjen që ka filluar para tre vjetësh. U bënë tre vjet që Enver Hoxha, nga shkrimet e nuses së djalit, po njihet me tërë hiret e tij, me tërë madhështinë, si prind, si burrë shteti dhe si njeri vazhdimisht i mashtruar dhe i tradhëtuar nga bashkëpuntorët dhe …njerëz të familjes! Kjo Liliana Hoxha po e kryen më së miri detyrën e saj, ama është një detyrë e vështirë dhe ka kosto të kripur, pasiqë të lartësohet Enveri, duhet të paguajnë harxhe figurat e Nexhmies dhe të Ramizit. Nusja e Hoxhatëve i njeh mirë ballancat. Ajo i njeh mirë dhe legjendat e ndërtimeve të mëdha: vetëm një therrori e madhe i bën të patundur themelet e piedestalit të monumentit!
Dhe tani të nderuar lexues a nuk e vini re se gjurmët e diktaturës nuk shihen gjëkundi? E çfarë dreqin kërkon rezoluta e Këshillit të Europës mbi krimet e komunizmit ne Shqipëri?!
Më lejoni, kështu të revoltuar, të shtroj një pyetje tjetër: në këtë fazë foshnjore të demokracisë, 15 vjet pas përmbysjes së Statujës së Enverit dhe heqjes së saj zvarrë atë ditë të 20 shkurtit 1991: përse duhej hequr zvarrë ajo dhe përse ka ende disa segmente zyrtarë që e përkujtojnë atë datë?!
Dhe kush mund të bëhet pengesë që ATË ta risjellim përsëri në shesh?! Aty vendi është bosh!
Mjekun personal të Enver Hoxhës, zotin Isuf Kalo, kryeministri vajti e caktoi këto ditë, drejtor të një qendre të rëndësishme mjekësore në Tiranë, bile i pari i qeverisë mori pjesë në kurrorëzimin e Kalos, si i pari i qendrës. Reagimi i opinionit publik ishte zero!
Unë nuk do të habitesha tani që, si Komandant të Shërbimit Informativ Shtetëror, (atë që dikur e quanin Sigurim të Shtetit), të emërohej i mirënjohuri Sulo Gradeci, i cili ka përvojë të shkëlqyer dhe jam i bindur katercipërisht, që as nga Opozita e as nga partitë satelite në pushtet, nuk do të kundërshtohet.
Përse të kundështohet?! Njëmijë e një kundërshtime bëri Opozita për kandidaturat e ambasadorëve. U gërmua në të kaluarën e zonjës Harxhi, që vajzë e re, në një gjëndje të trazuar emocionale pat cituar hamendje, (vetëm cituar!), në lidhje me ndikimin e Perëndimit në rrebelimin e 1997-ës. Nuk u morën parasysh as shpjegimet e saj dhe as mundësia e pjekurisë që sjell koha.
Ama, nuk u ndoq i njëjti kriter për Mehmet Elezin. Nuk i hodhi asnjeri sytë nga e kaluara e Elezit, e të vetmit prej ambasadorëve të emëruar nga 1991 e këtej, – absolutisht i vetmi(!), që ka qenë antar i Komitetit Qendror të PPSh, të një partie komuniste, nga figurat më kyçe të sektorit të propagandës enveriane. Dhe dihet bukur fort se sa urrejtje ka shfryrë dhe sa shumë ka përrallisur ai për ShBA-të dhe borgjezinë perëndimore!
Jo, jo, tani nuk ka kufizim emërimesh për gardën e vjetër të hierarkisë ramizo-enveriste.
Tani kryeministri Berisha nuk ka më droje. Ai e shkundi pudrën antikomuniste të viteve të para. Në qeverinë dhe institucionet e tij nuk gjen më, të burgosur dhe martirë që i nevojiteshin aq shumë për mitingjet e fillimit. Atij nuk i lypsen më ata shoqëruesit aq të çmuar për udhëtimet e para në Strasburgëra dhe Uashingtonëra. E mos prisni më, që ai në ndonjë prag votimesh të shpallë dënimin me vdekje të Aranit Çelës dhe Zylyftar Ramizit, siç bëri më 24 maj 1996! Me shumë mençuri, ai tani po synon që t’ua heqë rivalëve socialistë nga thonjtë elektoratin e majtë, atë elektorat që mban akoma nëpër mure fotografitë e komandantit legjendar.
Për t’ju bindur për këtë po shkëput dhe shënimin e fundit që kam marrë nga gazeta “Tema”, e datës 22 dhjetor 2005:
“Kryeministri Berisha tha se ndihej i gëzuar që ndodhej në Mosul (Irak), mes ushtarëve shqiptarë, pjesë e koalicionit ndërkombëtar antiterror. Më vjen mirë, tha Berisha, që dëgjoj fjalë të mira për punën tuaj këtu. Ne, theksoi kryeministri, do te qëndrojmë në Irak për të vazhduar detyrën tonë. “Ata popuj, që kanë kaluar një diktaturë i kuptojnë më mirë irakenët se kushdo tjetër. Sadami, ashtu si Millosheviçi është një diktator, por fatmirësisht ata tashmë i janë nënshtruar gjykimit për krimet e bëra”, tha z.Berisha.”
Këtu mbaron lajmi i “Temës”
Diktatorët e dy popujve, Sadami dhe Millosheviçi!!!
Në kontigjentin e ushtarëve shqiptarë nuk ndodhej, për fat, asnjë kosovar! Zoti Berisha po u fliste ca ushtarëve të lindur në Vlorë, Skarapar e Burrel. Ai gërmoi me kujdes për diktatorë në thellësinë e historisë së shqiptarëve që kishte përpara syve dhe gjeti vetëm …Millosheviçin!!!
Ku shkoi, pra, diktatura?!
Ajo nuk ka ekzistuar thonë me vendosmëri disa. Ose ajo nuk ka ikur gjëkundi, thonë ca të tjerë, është ende aty, nën forma të reja, të pashfaqura më parë në historitë e popujve. Ku dihet?! E kujtoni atë kohë? Edhe atëherë, ne nuk thoshim që ishim nën diktaturë. Ai që ne, ca pak dhe gabimisht, në këto kohëra i themi me gjysëm zëri diktator, tani, i riderdhur në bronx, mund të kthehet në sheshin qendror të Tiranës.
E kjo pritet të ndodhë në ndonjë nga 20 shkurtat këtyre viteve që vijnë!… (FUND)

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button