BlogKryesoreKulture

Dritëro Agolli “ Tregim për Robert Bërnsin”

“ Poetët janë si anije të bardha …Vijnë e largohen tej në horizont dhe përsëri shfaqen të bukur dhe të mahnitshëm…”
Dritëro Agolli “ Tregim për Robert Bërnsin”
Tri poezi të Robert Bërns , shqipëruar nga Dritëro …
Në han duke pirë
Mbi tokë-muzg . Mbaroi një ditë,
Po dhe pa diell ne kemi dritë:
Kjo gotë birre-hëna vetë,
Kjo poçe vere- diell i nxehtë!
Na bëj hesapin mirë,
Sa gota kemi pirë!
Hanxheshë, hanxhiu të rroftë,
Na mbush edhe një gotë!
Për ditë i pasuri ka festë,
Në skamje rron popull i shkretë!
Por sonte kemi nam vërtet:
Kush është i pirë, është vetë mbret!
Na bëj hesapin mirë,
Sa gota kemi pirë!
Hanxheshë, hanxhiu të rroftë,
Na mbush edhe një gotë!
Balsam i shtrenjtë-gota ime,
Në shpirt mbyll plagë e hidhërime ;
Mes gotës vlon gëzimi i botës,
Por gazi i madh- në fund të gotës!
Na bëj hesapin mirë,
Sa gota kemi pirë!
Hanxheshë , hanxhiu të rroftë,
Na mbush edhe një gotë!…
Në fusha dimri borën shtroi …
Në fusha dimri borën shtroi ,
O shpirti im,
Thesari im !
Të kem një pallto të të mbroj
Nga çdo thëllim,
Nga çdo mjerim!
Nëse të pret i ligu short
Dhe vjen me ty ,
Dhe vjen me ty,
Mjerimin , shpirt, ta ndajmë tok
Më dysh të dy,
Më dysh të dy.
Sikur të futem në përrenj
Ku muzgu nxin ,
Ku nata nxin ,
Patjetër diellin do ta gjej
Me shpirtin tim,
Thesarin tim .
Madje dhe botën me tallaz ,
Me lot në sy ,
Me mall në sy ,
Do ta pushtonim plot me gaz
Veç ne të dy ,
Veç ne të dy !
Robin
Një miturak u lind në fshat,
Po s’ra kambana drang e drang ,
Në kalendar shënim s’u mbajt
E kujt iu desh një Robin !
Në kalendar u shkrua me ar,
Kur lindi mbreti në janar,
Kur frynte erë e kish acar,
Kur klithi tersi Robin!
Çunaku lindi çamarrok
Dhe shamator që s’kishte shok,
Dy gurë s’do t’i linte tok
I prapi , tersi Robin!
Fallxhorka bëri da-da-da ,
Ia kapi doçkat edhe tha :
– Ky nuk do bëhet budalla,
Ndaj le të quhet Robin!
Do njohë vuajtje plot shafran ,
Po s’do ta mposhtë asnjë tufan ,
Do bëhet domosdo me nam ,
I prapi, tersi Robin!
Gaztor do jetë e shakaxhi
Dhe vajzat tona si perri
Do bien shpejt në dashuri
Me mendjemprehtin Robin!
Dritëro Agolli #shqipërime Robert Bërnsi i shqipëruar …

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button