Forcat speciale RENEA, kanë ushtruar kontrolle në Shkodër dhe fshatrat përreth me urdhër të SPAK ndërsa burime të pakonfirmuara thonë se me kërkesë të prokurores së posaçme Elida Kaçkini, e cila po heton masakrën me 4 viktima në Shkodër, janë ushtruar kontrolle në Dobraç.
Të njëjtat burime konfirmojnë se një nga banesat e kontrolluara është ajo e Safet Bajrit, por deri më tani nuk raportohet për gjetje të sendeve të kundraligjshme. Kontrollet janë bërë me vendim të GJKKO-së e cila ka pranuar kërkesën e SPAK, ndërsa raportohet në rrugë operative se janë lëshuar edhe urdhërarreste.Masakra e Shkodrës ku nga atentati humbën jetën Hamza Lici e Arlind Bushati, dhe çifti i pafajshëm i bashkëshortëve Bashkim e Flutura Basha, mbetet ende pa autor zyrtar përgjegjës për porositjen apo kryerjen e saj.
Ndërkohë, disa persona janë shpallur në kërkim policor, por mbeten të rezervuara informacionet mbi dyshimet që ka organi i akuzës për rolin e tyre. Çështja fillimisht u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, e cila pas disa javësh shpalli moskompetencë duke ia kaluar aktet SPAK-ut.