Aktualitet/LajmeKryesoreNdodhi

Protesta e dhunshme e opozitës/ Policia: Procedohen 15 deputetë të opozitës!

Policia e Tiranës ka arrestuar 2 shtetas për protestën e zhvilluar një ditë më parë nga opozita, ku u bllokua qarkullimi në disa nga pikat kyçe në kryeqytet.

Gjithashtu ka proceduar penalisht në gjendje të lirë, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Luan Baçi, Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Saimir Korreshi, Asllan Dogjani, Albana Vokshi, Petrit Vasili, Petrit Doda, Isuf Çela, Andia Ulliri, Greta Bardeli, Lindita Metaliaj  (deputetë) për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”.

Ndaj Nokës rëndon dhe akuza “Goditjet për shkak të detyrës”.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë edhe Ervin Minarolli, me detyrë Sekretar për Organizimin dhe Burimet Njerëzore pranjë subjektit politik Partia Demokratike, për veprëm penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Përveç zyrtarëve të opozitës, janë proceduar penalisht edhe 64 protestues.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me protestën e zhvilluar më datë 26.11.2024, në disa akse rrugore në Tiranë, ka vijuar veprimet hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shoqërimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që kanë organizuar tubimet, kryer veprime kundërshtuese dhe të dhunshme, që kanë penguar lëvizjen e automjeteve dhe bllokuar akset rrugore.

U arrestua në flagrancë shtetasi S. N., banues në Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

U arrestua në flagrancë shtetasi I. H., 53 vjeç, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”. Ky shtetas, me veprime të dhunshme ka bllokuar lëvizjen e një automjeti tip “Benz”, duke bllokuar rrugën, dhe ka goditur drejtuesin e mjetit shtetasin A. G. Drejtuesi i mjetit u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

U procedua në gjendje të lirë shtetasi E. M., banues në Tiranë, me detyrë Sekretar për Organizimin dhe Burimet Njerëzore pranjë subjektit politik Partia Demokratike, për veprëm penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

U proceduan shtetasit F. N., (deputet) për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, dhe G. B., O. B., L. B., B. N., L. G., S. K., P. V., A. D., A. V., O. B., P. D., I. C., A. U., G. B., L. M., dhe L. B., (deputetë) për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”.

Gjithashtu u proceduan penalisht 64 shtetas për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button