Nuk reshtin reagimet e organizatave dhe grupeve të interesit pas skandalit të djeshëm të ndalimit për disa orë të reporterëve shqiptarë në kufi nga policia greke për disa orë.
Reporterë të cilët do të ndiqnin takimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Selanik me shqiptarët e Greqisë.
Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, e konsideron këtë veprim arbitrar dhe jashtë logjikës së të drejtës ndërkombëtare.
Në një deklaratë zyrtare, UGSH thekson se ky është një përsëritje e akteve të ndodhur në të shkuarën.
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Bllokimi i reporterëve dhe operatorëve të mediave shqiptare në Kapshticë, një arbitraritet i autoriteteve greke
Tiranë më 3.11.2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron bllokimin e reporterëve dhe operatorëve të mediave të Shqipërisë në pikën kufitare të Kapshticës, ditën e shtunë më 2.11.2024, një akt të turpshëm dhe thyerje të normave të BE-së për qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe sidomos të gazetarëve.
Mbajtja në pengim për rreth tre orë, në pikën kufitare e një grupi reporterësh dhe operatorësh të mediave kryesore të Shqipërisë, përbën një akt të papranueshëm kundër rregullave dhe normave bilaterale dhe komunitare.
Pretendimi i punonjësve të kontrollit kufitar, nga pala greke, se nevoitet një notë verbale nga MInistria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, pranë ministrisë homologe greke, është thjesht një truk burokratik dhe shkakton ripërsëritjen e një precedenti të ngjashëm me periudha të shkuara.
Pengimi i grupit të gazetarëve nga Shqipëria po shënohet si akt i hidhur i ndodhur shpesh në të shkuarën.
UGSH u drejtohet organizatave simotra në Greqi dhe organizatave ndërkombëtare të gazetarëve me apelin që këtë rast ta denoncojnë dhe të rikthejnë vëmendjen ndaj disa sjelljeve të përsëritura të autoriteteve greke ndaj gazetarëve shqiptarë, përmes të cilave dëshmohet se disa prej tyre janë të shenjuar si ” të padëshirueshëm” për disa institucione, ndërkohë që ende ka kolegë që mbeten të shpallur ” non grata” zyrarisht. Akte dhe praktika të tilla ndaj gazetarëve dëmtojnë fqinjësinë, parimet, rregullat e marrëdhënieve mes dy vendeve që i përkasin BE- së dhe lirive themelore.