Aktualitet/LajmeKryesoreNdodhi

Policia zbardh sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi: Shkak, gjyqi për pronat, vetëdorëzohet një nga autorët

Policia e Tiranës ka mundur të zbrdhë të plotë sulmin brutal ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, duke identifikuar dhe shpallur në kërkim 4 autorët, si dhe zbardhur motivet e ngjarjes së rëndë.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një deklaratë për media tha se avokati Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës pasi ishte përfaqësues i një familjeje në Tiranë që fitoi gjyqin për pronat, por nuk pranoi zbatimin e konratës me studion ligjore.

Vocaj tha se autorët janë Dorian Alia, Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, të gjithë me lidhje krushqie me njëri-tjetrin. Pas ngjarjes ka qenë Romario Tabaku ai i cili i ka ndihmuar autorët të largohen me një makinë tip “Audi” me targa “AB 696 JT”.

Ndërsa si organizator i ngjarjes është shoqëruar në polici shtetasi Dritan Nano.

“Avokati ka përfaqësuar një palë që ka fituar procesin gjyqësor për prona në të dyja shkallët. Por kjo palë, pala fituese nuk ka rënë dakord për zbatimin e kontratës me studion ligjore”, u shpreh Vocaj.

Drejtori i Policisë së Tiranës tha se autorët tashmë akuzohen për “vrasje të funksionarëve publikë të mbetur në tentativë”.

Sakaq, në polici është vetëdorëzuar një prej autorëve, Dorian Alia, ndërsa tre të tjerët dyshohet se janë larguar me taksi në drejtim të “Astirit”.

Deklarata e plotë e Tonin Vocajt

Jam sot këtu për të bërë me dije opinionin publik për masat e marr nga ana e Policisë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e sotme më datë 29.05.2024, rreth orës 08:50, ku në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në rrugën “Pjetër Bogdani”, tre persona kanë goditur me sende të forta shtetasin Sokol Mëngjesi, 45 vjeç, banues në Tiranë, me profesion avokat.

I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, organizuan punën policore për marrjen e informacionit mbi autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje, ku nga tërësia e veprimeve gjurmuese dhe precedurale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është bërë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje kriminale, konkretisht shtetasve:

– Dorian Beqir Alia, 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili është vetëdorëzuar në Polici;

– Drivald Sokol Alia, 21 vjeç, banues në Tiranë;

– Elton Ndue Kasaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;

– Romario Roberto Tabaku, 26 vjeç, banues në Tiranë (i cili ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes me automjetin tip Audi me targë AB 696 JT).

Nga veprimet hetimore rezulton se i dëmtuari Sokol Mëngjesi me profesion avokat, është goditur për shkak të dëtyrës. Po nga veprimet hetimore rezulton se avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në apel një familje e cila kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me Studion Ligjore “ALTERUM SHPK”.

Po në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale është shoqëruar shtetasi Dritan Jani Nano, 58 vjeç, banues në Tiranë, i cili u ndalua me iniciativë i dyshurar si organizator i kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publik”, mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 79/a dhe 22 të Kodit penal.

Ndërkohë Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e mbështetur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, vazhdojnë operacionin për kërkimin, lokalizimin dhe kapjen e katër personave të shpallur në kërkim.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, kërkon ndihmën e publikut për lokalizimin dhe kapjen e autorëve dhe për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorëve vë në dispozicion shumën prej 20 000 Euro, informacioni mund të jepet në numrin telefonik pa pagesë 112 si dhe në numrin celular +355694111546 (Informacioni mund të jepet në telefon ose WhatsAapp).

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button