EditorialKryesore

Në Shkup me Gordanën kundër Greqisë, në Athinë me Belerin kundër Shqipërisë

Ka një paradoks të opozitës shqiptare të Berishës dhe Metës që i dekonspiron ata në raport me qëndrimin e pasinqertë ndaj Greqisë. Gjatë fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, Berisha dhe Meta u angazhuan hapur dhe në mënyrë zyrtare pro koalicionit të VMRO, dhe kandidates për president, Gordana Siljanovska-Davkova.

Nuk është se ishte një ekuacion me të panjohura. Kandidatja në fjalë kishte moton “në fillim Ballkani, pastaj Evropa”, dhe e kishte bërë të qartë rikthimin e retorikës nacionaliste në Maqedoninë e Veriut dhe identitetin e sajuar të tyre gjatë periudhës butaforike të Gruevskit.

E mbështetën gjatë fushatës, e përshëndetën të parët për fitore, madje Ilir Meta e përshëndeti dy herë rresht, edhe për ditëlindjen.

Ndërkohë prej dje, Greqia, por dhe Bashkimi Evropian janë të shqetësuar nga provokacioni i presidentes së re të Maqedonisë së Veriut që ju referua shtetit të saj me emrin Maqedonia, një provokim i qëllimshëm që rikthen luftën e ftohtë mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe gjithë arsyet që çuan në bllokimin disavjeçar të Maqedonisë prej Greqisë.

Nuk mund ta qortojmë presidenten e re pse e bën këtë, pasi e kishte premtim elektoral dhe strategji të fushatës së saj. Se çfarë pasojash do të ketë kjo mbi Maqedoninë e Veriut është çështje tjetër, por ajo vet është në rregull me premtimet e veta. Qëllimi për të shmangur Maqedoninë nga rruga drejt Perëndimit dhe për ta kthyer sytë nga lindja është e qartë dhe ishte e qartë dhe gjatë fushatës.

Po ashtu është i ligjshëm tërbimi që ka ngjallur në Greqi, pasi rikthen në pikën zero një triumf të Greqisë ndaj Maqedonisë së Veriut, që e detyroi të ndërrojë tekstet e shkollave, historinë dhe emrin e saj.

Problemi është se opozita e Berishës dhe Metës janë mbështetësit kryesorë të Gordana Siljanovska-Davkova dhe po ashtu mbështetësit kryesor të politikës greke kundër Shqipërisë në rastin Beleri.

Pra Berisha me Metën janë pro çdo sanksioni apo mase të Greqisë kundër Shqipërisë, por nga ana tjetër janë kundër Greqisë për atë që ndodh në Maqedoninë e Veriut.

Kjo zbulon në të vërtetë tendencën reale të politikës së tyre dhe bën të qartë që interesi i tyre kryesor është zvogëlimi i influencës së Perëndimit në rajon.

Perëndimi në të dy rastet ka një qëndrim. Për Shqipërinë është kundër Greqisë, për Maqedoninë e Veriut është pro Greqisë, kurse opozita jonë për Maqedoninë e Veriut është kundër Greqisë, kurse për Shqipërinë është pro Greqisë, cka i bie se në të dy arsyet është kundër qëndrimit të Perëndimit në rajon.

Nuk po flas për interesa kombëtare shqiptare dhe as për ndonjë sentiment kombëtar, pasi ajo është një opozitë që nuk përfaqëson më as opozitën e jo më kombin shqiptar. Por po flas se e vetmja gjë për të cilën Berisha dhe Meta kanë të qartë, është qëndrimi kundër Perëndimit në rajon. Në Shkup me Gordanën kundër Greqisë, në Greqi me Agimin e Artë kundër Shqipërisë.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button