Aktualitet/LajmeKryesorePolitike

Biseda me biznesmenë, ministra, drejtorë…, zbulohet se çfarë përmban telefoni i Monika Kryemadhit që SPAK e ka konfiskuar!

Më 7 dhjetor 2023 gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Erion Çela e refuzoi kërkesën e ish -kryetares së LSI, Monika Kryemadhi për t’i kthyer asaj disa sende të sekuestruara.

2 javë përpara këtij vendimi agjentët e BKH kishin kryer kontrolle në zyrat e Partisë së Lirisë dhe në shtëpinë e nënës së deputetes.

Më 7 dhjetor 2023 gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Erion Çela e refuzoi kërkesën e ish -kryetares së LSI, Monika Kryemadhi për t’i kthyer asaj disa sende të sekuestruara.

2 javë përpara këtij vendimi agjentët e BKH kishin kryer kontrolle në zyrat e Partisë së Lirisë dhe në shtëpinë e nënës së deputetes.

Siç raportuan mediat, ishin sekuestuar dokumente, kompjutera dhe të paktën 5 telefona.

Kryemadhi nxitoi t’i drejtohej Gjykatës së Posaçme të Apelit për t’i kthyer vetëm njërin prej tyre, një aparat të vjetër të markës iPhone.

Ky telefon nga disa burime, ishte gjetur në shtëpinë e nënës së saj, që ka një derë komunikuese me shtëpinë e deputetes.

Në këtë ambient agjentët e BKH kishin hyrë me urdhër kontrolli nga Gjykatës së Posaçme.

Gjatë hetimeve mbi Kryemadhin ata kishin gjetur disa shkresa të dyshimta që mbanin emrin e nënës së deputetes.

Më 4 janar 2024 edhe Apeli, me kryesuese Igerta Hysi ia rrëzoi kërkesën.

Ajo iu drejtua Gjykatës së Lartë, e cila vendosi sot (5.04.2024) të mos ia japë celularin.

SPAK, nëpërmjet prokurorit Sotir Kllapi, argumentoi në të dyja shkallët e gjyqësorit se materialet e gjetura në telefonin e ish -kryetares së LSI ishin të vlefshme për hetimin që po vijon ndaj saj për kontratat e lobimit të LSI në SHBA, në vitin 2017.

Por veç të dhënave për lobimin, ish -drejtuesen e partisë së Ilir Metës duket se e shqetësojnë të dhëna të tjera që gjenden në aparatin e sekuestruar.

Kryemadhi ka insistuar në të gjitha gjykatat se telefoni është i saji.

Sipas saj, duke qenë deputete, asnjë send personal nuk mund t’i sekuestrohet për shkak të imunitetit.

Por prokurorët e SPAK u thanë gjykatave se, nëse pranojnë një kërkesë të tillë, pretendime të kësaj natyre mund të ngrejë çdo deputet apo person me imunitet për sende që prokurorët mund të sekuestrojnë në çështje të ndryshme, duke thënë “janë të miat”.

Prokurorët e SPAK thonë se nuk e kanë vërtetuar ende me prova se kujt i përket aparati.

Kryemadhi dhe nëna e saj janë në një linjë: është i deputetes.

Por SPAK shprehet se nuk ka arritur në një përfundim.

Nga disa burime bëhet e ditur se ky telefon dyshohet të jetë përdorur mes viteve 2013 – 2016.

Nëse është përdorur nga Monika Kryemadhi, periudha përkon me kohën kur LSI ishte në pushtet.

Në atë kohë, LSI ishte në koalicion me Partinë Socialiste, me të cilën u bashkua pas 4 vitesh koalicion me Partinë Demokratike.

Kryemadhi nuk ka mbajtur detyrë zyrtare në atë periudhë.

Megjithatë ajo ka pasur rol kyç në LSI si bashkëshortja e kryetarit Ilir Meta, si kryetare e Forumit të Gruas, anëtare e kryesisë e deputete, derisa në vitin 2017 ajo u zgjodh kryetare, një post që e mbajti deri ditën kur ia ridorëzoi partinë Metës.

Për këtë arsye, besohet se ajo ka pasur komunikime me persona të rëndësishëm të asaj periudhe.

Bëhet fjalë për ministra, drejtorë të rëndësishëm të LSI, deputetë, punonjës të administratës, biznesmenë etj.

Këmbëngulja e saj për të rimarrë pikërisht këtë aparat celular mes 5 të sekuestruarve, i ka shtuar dyshimet se SPAK mund të ketë gjetur komunikime kompromentuese.

Burimet që konfirmuan të dhënat thanë se SPAK ka mundur ta hapë aparatin, por nuk dhanë hollësi të tjera.

Nuk është e qartë se çfarë bisedash kanë mbetur në telefon, por burimet i thanë  se komunikimet që kanë mbetur në aparat janë të shumta.

Sipas tyre, thuajse të gjithë personat me të cilët ajo ka biseduar mund të thirren në SPAK për t’u marrë në pyetje.

“Nuk është çudi që në dyert e SPAK të shohim ish -ministra të LSI e të PS, deputetë të ndryshëm, drejtorë të përgjithshëm e zyrtarë të tjerë të lartë apo biznesmenë” – tha një burim i afërt me hetimin.

Monika Kryemadhi po hetohet bashkë me disa drejtues dhe ish -drejtues të LSI për kontratat e lobimit në SHBA.

Veç kësaj, ajo dhe bashkëshorti i saj, ish -presidenti dhe kryetari i PL, Ilir Meta, janë kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme edhe për pastrim parash. (Voxnews)

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button