BlogEditorialKryesoreOpinions

FUQIA E TË PAFUQISHMËVE

Nga Ditmir Bushati-

Javës që shkoi isha i ftuar si folës në Konferencën e Sigurisë në Beograd. Nga takimet me aktivistë të shoqërisë civile atje ndihet atmosfera e çlirimit, por ende jo shija e lirisë. Falë organizimit të disiplinuar në tërren dhe në hapësirën digjitale, duke shpërfillur median e kontrolluar tradicionale, studentët arritën një fitore të jashtëzakonshme. Ata dëshmuan se është e mundur të çahet rrethi i mbyllur i fuqisë së pakontrolluar të Aleksandar Vučić, që e konsideronte veten të pathyeshëm
Për të perifrazuar Vaclav Havelin, zgjedhjet në Serbi treguan se sa e madhe është “fuqia e të pafuqishmëve”, se sa e madhe është fuqia e rezistencës qytetare kur bëhen bashkë grupe shoqërore me pikëpamje krejt të ndryshme. Lëvizja Studentore në Serbi ngjason me Lëvizjen e Solidarność në Poloninë e fundviteve ‘80. Të dyja lëvizjet, megjithëse të larmishme nga ana e vlerave, shërbyen për të rrëzuar regjimet në fuqi, duke siguruar mbështetje nga grupe të ndryshme shoqërore. Sikurse ndodhi me Revolucionin Francez, që ndryshoi mënyrën e konceptimit të pushtetit politik, tani studentëve u duhet ta shndërrojnë lëvizjen qytetare nga poshtë-lart në një forcë parlamentare dhe qeverisëse.
Lista Studentore përbën një eksperiment të paprecedentë. Një lëvizje pa udhëheqës, që ndërthur demokracinë e brendshme me sekretin dhe disiplinën në raport me aktorët e jashtëm. Demokracia e brendshme siguron përfshirjen dhe mbështetjen e anëtarëve, por ngadalëson vendimmarrjen. Fraksionet përbërëse të Asamblesë së Studentëve kanë mundësinë e vetos ndaj kandidatëve të propozuar për në qeveri. Asambletë i ngjajnë më shumë një konklave, anëtarët e të cilës e shohin veten si “aksionerë” të së ardhmes së Serbisë. Sfida e menjëhershme është garantimi i një mekanizmi që mundëson qeverisjen dhe reformat, ndërkohë që Lista Studentore ruan përfshirjen e saj në rindërtimin e sferës publike.
Rruga në kërkim të dinjitetit dhe integritetit nuk do të jetë e lehtë. Çmontimi i pushtetit sapo ka filluar. Aleksandar Vučić ka paralajmëruar se nëse ai arrestohet një milion njerëz do të dalin në rrugë. Nuk duhet harruar se Vučić qëndroi 14 vjet në pushtet. Dy vjet më shumë se Slobodan Miloševiċ.
Qasja transaksionale e disa vendeve anëtare të BE-së ndaj pushtetit të tij, do t’i ndërlikojë marrëdhëniet e qeverisë së re me BE-në. Megjithatë, përfshirja e BE-së do të jetë vendimtare në vendosjen e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe çlirimit të medias nga ndikimi politik e oligarkik. Vendosja nën kontroll e shërbimeve të sigurisë dhe të inteligjencës ushtarake do të jetë sfida më e vështirë.
Studentët duan “të vënë në rregull shtëpinë e tyre”, përpara se të trajtojnë çështjet e politikës së jashtme dhe rajonale. Sipas tyre, reformat e brendshme do të sjellin, me kalimin e kohës, edhe përmirësimin e politikës së jashtme dhe rajonale. BE-ja nuk duhet ta humbasë këtë mundësi që ka lidhje me vetë natyrën transformuese që synon procesi i integrimit europian. BE-ja duhet të mbështesë Listën Studentore për të mos lejuar ndikimin e aktorëve si Rusia, por nga ana tjetër, nuk duhet të kompromentojë vlerat dhe standardet europiane, siç veproi gabimisht me Boris Tadić dhe Aleksandar Vučić.
Pushteti ri në Serbi duhet gjykuar nga rezultatet, jo nga fjalët. Sundimi i së drejtës, linjëzimi gjeopolitik dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, duhet të konsiderohen si procese përplotësuese dhe jo të ndara nga njëra-tjetra. Në kulmin e protestave, studentët udhëtuan drejt Brukselit e Strasburgut dhe jo drejt Moskës, si tregues i përkatësisë së tyre europiane. Tani duhet ta dëshmojnë këtë përkatësi në ushtrimin e pushtetit.
Europianizimi i rajonit është proces transformues, por edhe çështje brezash. Në pranverë hungarezët rrëzuan nga pushteti Viktor Orbán, politikanin që dominoi jetën politike që prej shembjes së komunizmit dhe shndërroi demokracinë në fasadë. Në vjeshtë serbët rrëzuan Aleksandar Vučić dhe Ivica Dacic që simbolizojnë brezin e politikanëve të luftërave në ish-Jugosllavi.
Pavarësisht veçorive të secilit vend, shembujt e mësipërm ofrojnë optimizëm për rezistencën qytetare në Shqipëri, duke dhënë mesazhin se “fuqia e të pafuqishmëve” është më e madhe se sa fuqia e çdo pushteti.

Artikuj të lidhur

Back to top button