
Rreth 450’100 ushtarë rusë janë vrarë në luftën kundër Ukrainës nga fillimi i pushtimit, më 24 shkurt 2022, deri më 28 gusht 2026. Kjo shifër është nxjerrë nga të dhënat e vjedhura të Entit rus të Statistikave (Rosstat), të publikuara nga grupi i hakerëve Silent Crow.
Dy grupe hakerësh, Silent Crow dhe Kiberpartisany BY, pretendojnë se në fillim të nëntorit kanë depërtuar në serverët e Rosstatit dhe kanë vjedhur 23 terabajt të dhëna. Mes tyre kishte edhe statistika për certifikatat e vdekjes, të cilat mundësojnë identifikimin e ushtarëve të vrarë në luftime.
Sipas përllogaritjeve të hakerëve, rreth 50 mijë raste të tjera ende nuk ishin regjistruar deri në fund të gushtit. Deri në fund të vitit, numri i përgjithshëm mund të arrijë në 563 mijë deri në 597 mijë të vrarë. Këto të dhëna nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Më shumë se gjysma e ushtarëve të vrarë kanë humbur jetën në rajonin e Donjeckut. Ndërkohë, një hulumtim i përbashkët i portalit rus në mërgim Mediazona dhe shërbimit rus të BBC-së ka dokumentuar 285’881 ushtarë rusë të vrarë deri më 6 nëntor 2026.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, deri më 8 nëntor humbjet ruse, të vrarë dhe të plagosur rëndë, arrijnë në 1,6 milionë. Kjo shifër nuk mund të krahasohet drejtpërdrejt me numrin e të vrarëve, pasi përfshin edhe të plagosurit.



