Aktualitet/LajmeKronikKryesoreNdodhi

“Organizatori i kësaj proteste është mllefi ndaj politikës së 30 viteve”, qytetarët paralajmërojnë protesta në Zvërnec dhe Tiranë edhe nesër

“Organizatori i kësaj proteste është mllefi i shqiptarëve të mbajtur peng nga politika këto 30 vjet.” Kjo ishte një nga deklaratat që përmblodhi frymën e ditës së gjashtë të protestës kundër projektit në Zvërnec, ku mijëra qytetarë u mblodhën sërish përpara Kryeministrisë.

Gjatë tubimit, folës të ndryshëm theksuan se protesta nuk ka organizatorë politikë dhe nuk përfaqëson asnjë parti, por buron nga pakënaqësia e qytetarëve ndaj klasës politike shqiptare. Sipas tyre, kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec është vetëm një nga shkaqet që ka nxjerrë njerëzit në rrugë.

“Nuk jemi vetëm për Zvërnecin dhe Nartën. Shoh shumë njerëz që e çojnë gjithë interesin te Zvërneci, por kjo protestë është më shumë se kaq. Rama në burg, Berisha në burg”, deklaroi një prej protestuesve nga podiumi.

Me flamuj kombëtarë dhe pankarta ku shkruheshin slogane si “Revolucion”, “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Atdheu nuk është në shitje”, qytetarët marshuan nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë. Në fjalimet e mbajtura nuk munguan thirrjet që asnjë forcë politike të mos marrë kreditet e protestës.

Një nga folësit kujtoi lëvizjen studentore që solli rënien e komunizmit, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë pasivë dhe të mos lejojnë partitë politike të përvetësojnë lëvizjen.

Gjatë protestës u përsëritën edhe pesë kërkesat kryesore të protestuesve, mes tyre dorëheqja e qeverisë, anulimi i projektit në Zvërnec, shfuqizimi i Paketës së Maleve, anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Ndërkohë organizatorët kanë njoftuar vazhdimin e protestave edhe të shtunën. Sipas njoftimeve të shpërndara në rrjetet sociale, protesta e parë do të zhvillohet në orën 10:00 në Zvërnec, ndërsa në orën 18:00 qytetarët do të mblidhen sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Protestuesit theksojnë se, pavarësisht zhvillimit në dy qytete të ndryshme, bëhet fjalë për të njëjtën lëvizje qytetare.

Artikuj të lidhur

Back to top button