BlogKryesoreOpinions

Protesta e vitit 1990 në pasqyrën e vitit 2026

Nga Andi Mustafaj-
Ka shumë njerëz që ditët e fundit po bëjnë paralele midis lëvizjes antikomuniste të vitit 1990 dhe protestës së vitit 2026, për të mbështetur idenë se protesta duhet të qëndrojë larg partive politike, pa lider, se duhet të mbetet qytetare. Për kujtesë, këto ide kundërshtojnë tezat që kam zhvilluar: se protesta qytetare duhet të bashkërendojë veprimet e saj me partitë politike dhe se shoqëria apolitike është një rrugë dëmtuese për vendin tonë.
Protesta e vitit 1990 jo vetëm që nuk i kundërshton tezat e mia por i konfirmon ato.
Së pari, diçka që është harruar plotësisht: zgjedhjet e para pluraliste u fituan nga regjimi. Nga vetë Partia e Punës, e cila nuk kishte ndryshuar as emër. Sado që ishte shkundur, makineria e saj, struktura dhe sistemi i ndërtuar me metoda manipuluese ishin më të efektshme se lëvizja e krijuar. Ky është pikërisht kufiri i asaj që mund të prodhojë euforia, kufi që e kam trajtuar në shkrimet e dy ditëve të fundit.
Pra regjimi nuk u rrëzua nga protestat. Protestat janë mjete. Si mjet, protestat sollën pluralizmin, por menjëherë më pas vijnë zgjedhjet, të cilat bëhen nëpërmjet partive politike përfaqësuese. Rrëzimi ndodhi në dy kohë: koha e rrugës dhe koha e strukturës politike. Ishte trysnia e vazhdueshme e Partisë Demokratike, jo vetëm lëvizja spontane e masave, që solli zgjedhjet e parakohshme dhe rënien e vërtetë të regjimit. Të dyja bashkë prodhuan ndryshimin. Njëra pa tjetrën nuk do kishte mjaftuar.
Së dyti, në vitin 1990 nuk kishte parti politike. E gjithë energjia e protestuesve vërshoi drejt Partisë Demokratike e cila u krijua. Kjo tregon edhe një herë rëndësinë e vërshimit të energjive drejt partive. Por kujton edhe një realitet tjetër. Në vitin 1990 u grumbulluan brenda Partisë Demokratike njerëz me bindje nga më të ndryshmet. Në fakt PD e asaj kohe mbante brenda vetes shumë parti. Ata u bashkuan përtej ndasive për të arritur qëllimin e tyre të përbashkët, i cili ishte më i madh se inati për njëri-tjetrin.
Është diçka që nuk arrihet më të dëgjohet sot. Unë nuk kam kërkuar bashkim nën tutelë, por bashkërendim veprimi. Edhe kjo po rezulton e pamundur. Interesat dhe pasionet sektoriale kanë filluar që në zanafillë të përjashtojnë partitë politike dhe tani protestuesit kanë hyrë në fazën e përjashtimit të njëri-tjetrit. Është vetëvrasje.
Së treti, Shqipëria rurale është krejtësisht e ndryshme nga ajo e Tiranës. Në 1990 zemërimi nisi nga Kavaja dhe Shkodra dhe më pas u përhap. Tirana nuk është përfaqësuese e Shqipërisë. Nëse regjimi goditet në Tiranë, duhet kuptuar qartë që do rikandidojë përsëri. Në Fier me sistemin Balluku, në Elbasan me Suel Çelën, në Durrës me Troplinët, në Vlorë me Vullnet Sinajn dhe Damian Gjiknurin, në Dibër e kështu me radhë. Protestuesit duhet ta kuptojnë këtë gjë dhe të mos e nënvlerësojnë.
Ngado që të kthejmë kokën, gjenden në horizont partitë politike, ato të vjetra apo ato të reja, ato që ekzistojnë apo ato që mbeten për tu formësuar.
Mund të debatojmë sa duam mbi cilësinë e këtij realiteti dhe sa duhet ndryshuar dhe unë jam ndër ata që kanë shkruar e folur gjatë mbi nevojën e reformimit të partive. Por për momentin ky është realiteti. Dhe realiteti nuk pret që ta gjejmë të përsosur përpara se ta përdorim.
Rruga nuk është vendosja e energjive të protestës nën tutelën e njërit apo tjetrit, por gjetja e mekanizmave të bashkërendimit të veprimit, bashkërendim që respekton autonominë e çdo force politike apo qytetare dhe që koordinon drejtimin dhe momentin e goditjes.

Artikuj të lidhur

Back to top button