BlogEditorialKryesore

Liria nuk eshte privilegj qe pezullohet

Nga Arben Isaraj-

“Ata që do të braktisnin lirinë bazë, për të blerë me të pak siguri të përkohshme, nuk meritojnë as liri dhe as siguri.” – Benjamin Franklin
Thënia e Benjamin Franklinit, është një nga reflektimet më të njohura mbi marrëdhënien ndërmjet lirisë dhe sigurisë në një shoqëri demokratike. Në thelb, Franklin paralajmëron se siguria nuk duhet të kërkohet duke sakrifikuar liritë themelore të individit, sepse një kompromis i tillë rrezikon të shkatërrojë vetë bazat e rendit demokratik.
Nga këndvështrimi filozofik dhe juridik, thënia mbështetet në idenë se liria nuk është një privilegj që mund të pezullohet sa herë që shfaqet një kërcënim, por një vlerë themelore që i jep kuptim dinjitetit njerëzor dhe vetë ekzistencës së shtetit të së drejtës. Një shoqëri që heq dorë lehtësisht nga të drejtat dhe liritë e saj në emër të sigurisë mund të përfundojë duke humbur të dyja: lirinë, sepse pranon kufizime arbitrare, dhe sigurinë, sepse pushteti i pakontrolluar nuk garanton domosdoshmërisht mbrojtje më të madhe.
Nga perspektiva kushtetuese, qëllimi i shtetit nuk është të zgjedhë midis lirisë dhe sigurisë, por të garantojë të dyja njëkohësisht. Siguria ekziston për t’u krijuar individëve kushtet që të ushtrojnë liritë e tyre, ndërsa liria përcakton kufijtë brenda të cilëve shteti mund të veprojë për të garantuar sigurinë. Për këtë arsye, masat që kufizojnë të drejtat dhe liritë nuk mund të justifikohen vetëm me argumentin e sigurisë; ato duhet të bazohen në ligj, të jenë të nevojshme dhe proporcionale me rrezikun që synojnë të parandalojnë.
Përvoja historike tregon se demokracitë rrezikohen sa herë që siguria përdoret si justifikim për kufizime të pakontrolluara të lirive themelore. Në të njëjtën kohë, mungesa e sigurisë mund ta bëjë të pamundur ushtrimin efektiv të lirive, sepse qytetarët nuk mund të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre në kushte pasigurie, dhune ose kërcënimi të vazhdueshëm.
Në një shtet demokratik, liria duhet të konsiderohet rregulli, ndërsa kufizimi i saj për arsye sigurie përjashtimi. Siguria është legjitime vetëm nëse shërben për mbrojtjen e lirisë dhe jo për zëvendësimin e saj. Demokracia funksionon kur siguria garanton hapësirën e lirisë dhe liria kontrollon ushtrimin e pushtetit në emër të sigurisë.
Liria dhe siguria nuk janë vlera rivale, por dy shtylla të së njëjtës renditje demokratike, pasi nuk ka liri reale pa siguri, por as siguri të qëndrueshme pa liri. Liria pa siguri mund të bëhet e brishtë dhe e pambrojtur, ndërsa siguria pa liri mund të shndërrohet në kontroll dhe autoritarizëm.
Shënim: Në teoritë bashkëkohore të sigurisë, dy koncepte konsiderohen themelore: a. Siguria e shtetërore, që mbron institucionet dhe sovranitetin; b. Siguria njerëzore, që mbron individin dhe mirëqënien e tij.

Artikuj të lidhur

Back to top button