
Punonjësi i policie Enea Mekolli, ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq, pas një shkëmbimi zjarri me një person në kërkim.
Policia e Shtetit ka dalë me një deklaratë zyrtare ku thotës se në kuadër të zbatimit të planit të masave për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq dhe Komisariatin e Policisë Korçë, kishin siguruar të dhëna për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim dhe janë organizuar për ndërhyrje në zonën ku ai dyshohej se fshihej.
Rreth orës 07:30, forcat e Policisë kanë rrethuar një stan në zonën malore të Lozhanit, ku dyshohej se ndodhej i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç. Ky i fundit rezulton i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe ndaj tij në vitin 2011 ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Kultivim të bimëve narkotike”.
Gjatë ndërhyrjes, policia i ka bërë thirrje të dorëzohej, por ai nuk i është bindur urdhrave dhe ka hapur zjarr ndaj efektivëve. Si pasojë e sulmit, ka humbur jetën në krye të detyrës inspektor E. M., 34 vjeç, ndërsa është plagosur inspektor E. A., 36 vjeç, të dy pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë.
Forcat e policisë janë kundërpërgjigjur me zjarr, duke neutralizuar autorin, i cili gjithashtu ka mbetur i plagosur dhe është arrestuar në vendngjarje.
Në vendngjarje është nisur edhe një helikopter i shërbimit shëndetësor për transportimin e të plagosurve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së rëndë, ku një efektiv humbi jetën në krye të detyrës dhe një tjetër mbeti i plagosur.



