BlogEditorialKryesoreNdodhiOpinions

Zvërneci dhe Arti i Ndërrimit të Temës

Nga Evarist Beqiri

Zvërneci, Costa Navarino dhe Porto Montenegro. Fija që i lidh është një teknikë komunikimi. Quhet kornizim (reframing). Debati zhvendoset nga pyetja konkrete te pyetja e përshtatshme. Nga “A është ky projekt i ligjshëm?” te “A duam ne që Shqipëria të ketë sukses si Greqia?”. Nga procedura te patriotizmi. Nga dokumenti te ëndrra. Debati ka ndërruar terren, kundërshtarët e projektit nuk janë më qytetarë me shqetësime legjitime. Janë njerëz që nuk duan të zhvillohet Shqipëria.

Teknika e Parë – Kornizimi

Protestat nuk janë për turizmin luksoz. Janë për

telat me gjemba, dhunën, zonën e mbrojtur dhe vendimmarrjen okulte. Këto janë pyetje procedurale dhe ligjore. Të mprehta, të dokumentuara, të verifikueshme.

Komunikimi i Kryeministrit i kthen këto pyetje në diçka tjetër: në zgjedhje identitare. Shqipëria që ecën përpara ose Shqipëria që bllokon vetveten.

Ndërkohë, vetë Kryeministri ka deklaruar se studimi mjedisor ende nuk ka përfunduar. Projekti arkitektonik ende nuk është miratuar. Pra debati nuk është mes zhvillimit dhe bllokimit. Është mes transparencës dhe nxitimit.

Teknika e Dytë – Kundërfakti Historik

“Po sikur të kishim pranuar Peter Munk në Durrës në 2006? A do të ishim sot si Mali i Zi?”

Pyetja në pamje të parë duket e fortë. Por është

pyetje retorike, jo analitike. Porto Montenegro u ndërtua mbi një ish-bazë ushtarake të degraduar. Jo mbi ekosistem të mbrojtur. Konteksti është krejtësisht tjetër. Fakti që Porto Montenegro pati sukses nuk provon se çdo projekt i madh turistik duhet miratuar kudo dhe në çdo kusht.

Po ashtu, Costa Navarino nuk është thjesht një resort. Është rezultat i dekadave planifikimi, studimesh mjedisore, konsultimi lokal dhe monitorimi afatgjatë. Krahasimi i plotë do të kërkonte të njëjtat standarde, jo vetëm të njëjtat ambicie.

Nëse Costa Navarino është modeli, le të krahasohet gjithçka. Transparenca publike. Konsultimi me komunitetin. Studimet mjedisore të hapura. Mekanizmat e monitorimit. Nëse këto mungojnë, analogjia është një aspiratë, jo argument.

Thelbi

Humbja e besimit e bën çdo komunikim të duket si manipulim. Ndoshta Kryeministri beson sinqerisht se po mbron një projekt transformues. Ndoshta narrativa e tij ka meritë strategjike. Por kjo nuk është pyetja e duhur.

Debati për Zvërnecin nuk është debat parimor “pro” ose “kundër” zhvillimit. Është një debat mbi mënyrën e zhvillimit dhe mbi balancën midis investimit, transparencës dhe mbrojtjes së interesit publik.

Pyetja është nëse narrativa po zëvendëson përgjigjet. Nëse kornizimi po zëvendëson dokumentin. Nëse Costa Navarino po zëvendëson studimin mjedisor. Protestat nuk janë kundër vizionit. Janë kundër mënyrës së

veprimit. Kundër arrogancës. Kundër modelit të vendimmarrjes.

Shteti i së drejtës nuk ndërtohet me analogji të bukura. Ndërtohet me procedura të hapura. Kjo është arsyeja pse debati duhet që të vijojë, pavarësisht, narrativës së Costa Navarino apo Porto Montenegro. Shqiptarët meritojnë më shumë..

 

 

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button