
Nga Evarist Beqiri
Xhon F. Kenedi, thoshte se: “Ata që krijojnë pushtetin japin një kontribut të domosdoshëm për madhështinë e Kombit. Por ata që e vënë pushtetin në pikëpyetje japin një kontribut po aq të domosdoshëm, sidomos kur kjo sfidë është e çinteresuar. Sepse pikërisht ata përcaktojnë nëse ne e përdorim pushtetin, apo pushteti na përdor ne.” Shoqëritë demokratike kanë nevojë për institucione pushteti, të cilat funksionojnë të ndara nga shteti.
Klasa jonë politike e ka humbur busullën morale dhe besimin e shqiptarëve. Megjithatë, sistemet politike nuk ndryshojnë me konsensus moral. Ndryshojnë me ligj. Nuk mjafton të pasurit drejtë. Duhet bërë diçka konkrete. Prandaj, sot do të flasim për një ide, një propozim të qartë, një argument modern kushtetues. Sot, kryetarët e partive në Shqipëri kontrollojnë listat, parlamentin, karrierat politike. Ata praktikisht kanë prodhuar një oligarki partiake. Prandaj, kufizimi i mandateve është një masë propocionale për të garantuar më tepër pluralizëm, demokraci të brendshme, rotacion elitash dhe mbrojtje të rendit demokratik.
Diagnoza që e Dimë të Gjithë
Në demokraci, partitë politike organizojnë konkurrencën për pushtet. Ato përfaqësojnë interesa të ndryshme shoqërore dhe duhet që ta përkthejnë vullnetin e qytetarëve në politika qeverisëse të qëndrueshme. Ato janë “ura lidhëse” midis shoqërisë dhe shtetit. Ky mision realizohet duke përzgjedhur kandidatë me integritet, duke ndërtuar programe të qarta dhe duke moderuar presionet e opinionit publik përmes institucioneve.
Partitë politike në shoqërinë moderne janë mekanizma ku individët përbashkojnë vlerat e tyre morale dhe politike. Nuk ka demokraci pa partitë politike. Shqipëria ka dy parti të mëdha. Njëra ka pasur të njëjtin kryetar për mbi tre dekada. Tjetra ka ndërtuar gjithçka rreth figurës së kreut aktual. Partia si institucion ka vdekur. Ka mbijetuar partia si pronë personale. Pasojat i shohim çdo ditë. Nuk ka pasardhës, sepse pasardhësi është kërcënim. Nuk ka debat të brendshëm, sepse debati lexohet si rebelim. Nuk ka demokraci të brendshme, sepse demokracia e brendshme prodhon alternativa. Dhe alternativa është e rrezikshme për kryetarin. Nëse kryetari dobësohet, dobësohet e gjithë partia. Shteti drejtohet nga partia. Partia drejtohet nga individi. Individi nuk ka datë skadence. Nuk kemi demokraci. Është trashëgimi me zgjedhje. Është arrogancë e shtresëzuar. Është një pushtet që dhunon çdo ditë qytetarët e tij dhe i detyron që të votojnë me këmbë. Politika shqiptare ka degraduar në një lojë të fortësh e grupesh interesi “pa din e pa iman”.
Propozimi
Një zgjidhje mund të jetë ndryshimi i ligjit për Partitë Politike me këtë dispozitë të qartë: “Asnjë person nuk mund të ushtrojë funksionin e kryetarit të një partie politike të regjistruar për më shumë se dy mandate, qofshin të njëpasnjëshme ose jo.” Mandate me kohëzgjatje maksimale pesëvjeçare secili. Dhjetë vjet gjithsej. Pastaj, vjen largimi i detyrueshëm. Garë periodike pavarësisht rezultatit në zgjedhje. Duhet edhe një dispozitë kalimtare për të larguar kryetarët që kanë mbi dhjetë vite kryetar partie.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve verifikon pajtueshmërinë si kusht për regjistrim të listave zgjedhore. Partisë që shkel këtë rregull nuk i lejohet regjistrimi i kandidatëve deri sa të zgjedh kreun sipas ligjit. Një mekanizm i thjeshtë. Efekti mund të jetë revolucionar.
Tre Arsye Pse Ky Ligj është i Drejtë
E para, partitë politike nuk janë prona private. Ato financohen me para publike. Ato gëzojnë privilegje ligjore ekskluzive. Vetëm partitë mund të garojnë për pushtet. Prandaj duhet t’u nënshtrohen rregullave publike. Nuk mund të marrësh para të shqiptarëve dhe të thuash se organizimi yt i brendshëm është çështje private.
E dyta, rotacioni prodhon kapacitet. Sisteme politike me rotacion të detyrueshëm të lidershipit kanë, nivel më të lartë të profesionalizimit të brendshëm. Kur dihet se kreu do të largohet, investohet tek njerëzit, jo tek personi. Partia mëson të ecë vetë. Shqipëria nuk ka krizë talentesh. Kemi krizë hapësire. Kufizimi i mandatit të kreut krijon hapësira.
E treta, demokracia fillon brenda partisë. Nuk mund të ndërtosh kulturë demokratike në shoqëri, kur vetë institucionet demokratike janë autokraci të brendshme. Deputeti që zgjedhet me listë të mbyllur ose të hapur, miratohet nga kreu i partisë dhe varet nga favoret e tij. Ai nuk lejohet që të jetë ligjvënës i pavarur. Ai është një vegël. Kufizimi i mandateve shkëput varshmërinë. Kryetari e di se do të largohet. Deputeti e di se mund të mbijetojë pa kreun aktual. Kjo ndryshon llogaritjet e brendshme.
Kundërargumentet dhe Pse Bien
“Por njerëzit kanë të drejtë të zgjedhin kë të duan.”
Gabimi është konceptual. Njerëzit kanë të drejtë të votojnë partinë. Kryetarin e zgjedh partia, jo populli. Prandaj kufizimet e brendshme janë plotësisht të ligjshme dhe të arsyeshme. Askush nuk po kufizon votën e qytetarit. Duhet të kufizohet monopoli i brendshëm mbi një institucion publik.
“Po cilësia? Çfarë nëse nuk ka një kryetar tjetër kaq të mirë?”
Ky është pikërisht argumenti që çdo autokrat ka përdorur gjithmonë. “Vetëm unë e di si bëhet.” “Pas meje qahmeti.” Nëse kryetari i partisë, pas dhjetë vjetësh, nuk ka formuar asnjë lider të aftë pas vetes, ky është dështimi i tij, jo arsyeja për të qëndruar.
“Kushtetuta nuk e lejon.”
Lejon. Propozimi për ndryshimin e ligjt për Partitë Politike është në përputhje me frymën dhe germën e nenit 9 të Kushtetutës. Në të drejtën kushtetuese të krahasuar, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë, Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Komisionit të Venecias etj., është pranuar se shteti mund të vendosë rregulla demokratike për partitë politike si entitete publike. Nuk jemi të parët. Partitë nuk janë thjesht shoqata private, por institucione me funksion publik kushtetues. Demokracia mbrohet edhe përmes kufizimeve proporcionale.
Çfarë do të Ndodhte
Viti i parë, asnjë ndryshim i dukshëm. Por, pas mandatit të parë pas hyrjes në fuqi të ligjit, partitë do të detyrohen të investojnë në radhët e tyre. Do të shfaqen emra të rinj. Disa nga ata do të jenë mediokër. Disa do të jenë brilant. Nuk ke si ta dish kurrë, nëse nuk i lë të shfaqen. Pas dy cikleve, Shqipëria mund të ketë një klasë politike me gjak të ri. Me liderë që e kanë të qartë që kanë një afat kohor dhe do të punojnë ndryshe. Ndryshe nga sot, kur çdo kryetar partie sillet si i përjetshëm dhe i pazëvendësueshëm. Efekti më i rëndësishëm nuk do të jetë ai që shihet. Do të jetë ndryshimi i kalkulimit të brendshëm. Kur e di se do të largohesh, fillon të mendosh për trashëgiminë, jo për mbijetesën.
Sfida për Partitë
Ky shkrim është një propozim publik. Nuk është as peticion, as rezolutë, as deklaratë politike. Është një tekst ligjor i hapur për debat. Çdo parti politike në Shqipëri është e mirëpritur që të mbajë një qëndrim zyrtar ndaj tij. A jeni pro kufizimit të mandateve të kryetarëve të partive me ligj? Po apo jo. Pa ambiguitet. Heshtja është gjithashtu një qëndrim.
Epilog
Ai që e themeloi ishte i vetmi që nuk tentoi që ta sundojë shtetin shqiptar. Largimi i tij nga pushteti, në janar të 1914-ës, ishte një akt udhëheqësie, jo disfatizmi. Por, ai u largua sepse e zgjodhi vetë. Ne nuk mund ta lëmë rotacionin e pushtetit si çështje të virtytit personal. Ky virtyt duhet ligjëruar. Dhjetë vjet. Dy mandate. Pastaj hap rrugën. Ky është standardi demokratik. Partitë politike nuk janë prona private. Ato janë institucione kushtetuese me funksion publik. Shqipëria duhet që të ndërtojë institucione që nuk varen nga mirësia e liderit, por nga forca e rregullit. Në fund të fundit, ligji nuk është gjë tjetër veçse “një kufizim i mençur, i cili na jep mundësinë që të jemi të lirë”.



