
Nga Enver Robelli-
Të jesh shofer i tramvajit në Zürich – për disa është një ëndërr e madhe, për të tjerët punë e mundimshme, sepse kërkon koncentrim maksimal. Shofere 88-vjeçare që kalojnë shinat ndonëse tramvaji është frikshëm afër. Shoferë me dy aparate dëgjimi në vesh që nuk e dëgjojnë ushtimën e tramvajit që po vjen dhe gati i lëshon shpirti kur dëgjojnë alarmin e tramvajit, një cingërrimë infernale me qëllim të mirë: për të evituar më të keqen.
Të bëhej shofer i tramvajit në Zürich – këtë ëndërr e pati një burrë në Zürich. Testin e parë e kaloi pa problem. Ai është shofer kamioni dhe autobusi, pra nuk është i panjohur në trafik. Me plot shpresë burri priti përgjigjen e Kompanisë së Transportit Publik të Zürichut. Dhe përgjigjja qe dëshpëruese: me gjatësi prej 1,54 metrash, ju jeni tepër i shkurtër për të drejtuar tramvajin – ky ishte haberi i hidhur.
Burri i sekëlldisur i drejtohet zyrës së Avokatit të Popullit në Zürich. Një zyrtare hulumton dhe arrin në përfundimin se – sipas rregullores – nuk ekziston asnjë gjatësi minimale për shoferët e tramvajit. Kompania e Transportit Publik kritikohet se refuzimin nuk e ka arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme. Kompania pranon të bëhet edhe një test i ri, ku do të verifikohet nëse burri vërtet është i shkurtër për të drejtuar tramvajin.
Në raportin vjetor të zyrës së Avokatit të Popullit nuk gjendet përgjigjja nëse burri është pranuar ndërkohë si shofer tramvaji. Nga raporti kuptohet një gjë tjetër: numri i ankesave në zyrën e Avokatit të Popullit në Zürich është shtuar dukshëm. Arsyeja? Njerëzit po i shkruajnë ankesat me ChatGPT apo programe të ngjashme.



