
Nga Ilirian Ali-
E njihja si aktor, më pëlqente dhe, si çdo i ri, e adhuroja,madje doja edhe t’i ngjaja në interpretimet e tij. Por nga afër u njohëm kur u emërova aktor në teatër.
Pasi kishim dhënë shfaqje në fshatrat e Lumit të Vlorës, dolëm në Kuç dhe prej andej zbritëm në fshatrat e bregut. Në shtator erdhi radha edhe për fshatin tim. Kisha një gëzim të madh atë natë, por edhe emocione para bashkëfshatarëve të mi.
Te rrepet e Izvorit, ku dhamë shfaqjen, kishte ardhur edhe nëna ime. Pak para fundit të shfaqes, Berti që luante rolin e babait tim, më qëlloi me një shuplakë të fortë, aq sa më nxorri sytë xixa. Nuk e prisja. Ai e bënte në çdo shfaqje, sepse ishte pjesë e veprimit skenik, por atë mbrëmje më goditi më fort se herët e tjera dhe më befasoi.
Nëna, që ishte aty, u shqetësua dhe bërtiti në mes të turmës, duke mallkuar Bertin: “Mos ma qëllo djalin, more, të qëlloftë Perëndia!”
Ajo tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut, i cili shpërtheu në të qeshura dhe, pa dashur, nëna u bë pjesë e spektaklit atë natë në fshatin tim.
Në fund, Berti e mori për qafe nënën dhe u nisëm për në qytet. Ky ishte një nga momentet e para dhe më të bukura në kujtesën time me Bertuçion, në premierën e parë ku e kisha partner në komedinë “Marifete të dështuara” të Sh. Mitës. Por kujtimet me Bertin janë të shumta edhe më vonë, në spektakle e shfaqje të tjera.
Albert Vërria është një nga figurat emblematike të artit shqiptar dhe aktori më potent në skenën e teatrit “Petro Marko” të Vlorës. Njeri me temperament të veçantë dhe me një intuitë për ta pasur zili; mendje e mprehtë, ekspresiv, me nuhatje skenike dhe me një plastikë që e evidentonte në çdo rol të luajtur në skenë.
Të gjitha këto cilësi kurorëzoheshin me tipa dhe karaktere plot sharm, të realizuar bukur dhe me nur skenik. Ai shkëlqeu falë punës dhe talentit të tij, duke lënë gjurmë në historinë e teatrit “Petro Marko”, por edhe në kujtesën e artdashësve për ato figura e karaktere që nuk do të harrohen kurrë, duke u bërë pjesë e rëndësishme e historisë së teatrit shqiptar.
Falë profesionalizmit dhe natyrës së tij skrupuloze, ai punoi dhe realizoi me sukses disa premiera edhe si regjisor, por edhe si drejtor i teatrit “Petro Marko”, në një periudhë tranzicioni, duke i dhënë këtij institucioni impulse të reja dhe duke mbajtur gjallë aktivitetin teatror në një kohë kur kishte filluar largimi masiv i qytetarëve drejt Perëndimit.
Themelimi i kompanisë teatrore “Aulona Teatër” bëri të mundur organizimin dhe realizimin e Festivalit të Monodramës për katër edicione në qytetin tonë, si edhe pjesëmarrjen në Festivalin Ndërkombëtar në Manastir të Maqedonisë dhe në Tuzla të Bosnjë-Hercegovinës.
Njeri korrekt në punë dhe plot humor në shoqëri.
Afrohet nëntëdhjetëvjetori i lindjes së Bertit dhe unë e kujtoj me shumë respekt për artin e tij, për miqësinë e tij ashtu siç e kam njohur unë në marrëdhëniet e mia me të. Ashtu siç kam bërë dhe do të vazhdoj të bëj edhe në të ardhmen për teatrin tim, për miqtë artistë dhe për të gjithë kolegët e mi, të rinj e të vjetër.
Berti jeton me ne në teatër dhe në kujtimet e artdashësve që e njohën.
Artistët e mëdhenj nuk largohen kurrë nga skena; ata mbeten në kujtesën e publikut dhe në shpirtin e teatrit.



