BlogKryesoreKultureOpinions

Në vend të një portreti: ALEKO MINGA – LARTËSIA E EMRIT TË SHKENCËTARIT DHE MUNGESA E KULTURËS SË NDERIMIT

Nga Luan Rama-

Unë nuk e njoh personalisht Profesor Aleko Mingën. Madje, as nuk mbaj mend të kem pasur rastin ta takoj ndonjëherë. Megjithatë, kjo nuk më pengon të ndiej detyrimin intelektual dhe moral për të shkruar me respekt për një figurë që, përtej dimensionit akademik, përfaqëson një nga ato personalitete të rralla që i japin kuptim vetë idesë së autoritetit shkencor dhe kulturor në një shoqëri.
Ka njerëz, prania fizike e të cilëve nuk është e nevojshme për të imponuar peshën e tyre morale. Ata zenë vend në kujtesën kolektive përmes mënyrës si përmenden nga të tjerët, përmes seriozitetit me të cilin nderohen, përmes respektit me shumë mirësi që zgjojnë tek ish-studentët, kolegët dhe bashkëkohësit e tyre.
Kjo qe ndjesia që më dha ish mësuesi im kujdestar në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, Skënder Shkupi, teksa e dëgjova në një emision televiziv të fliste me një nderim të veçantë për Profesor Aleko Mingën.
Nuk ishte thjesht rrëfimi për një pedagog matematike. Ishte evokimi i një figure universitare që duket se mishëron një koncept gjithnjë e më rrallë të pranishëm në jetën shqiptare: intelektualin e formimit klasik, tek i cili dija, kultura dhe qytetaria bashkëjetojnë natyrshëm.
Në thelb, ky është edhe shkaku i vërtetë pse figura të tilla imponojnë respekt të veçantë. Jo vetëm për atë që kanë ditur, por për mënyrën si e kanë jetuar dhe si e kanë shërbyer dijen.
Sepse ekziston një dallim i madh mes njeriut të informuar dhe njeriut të kulturuar.
I pari zotëron njohuri; i dyti i jep formë morale dhe estetike dijes.
Nga sa kuptoj prej kujtimeve të atyre që e kanë njohur Profesor Aleko Mingën, ai i përket pikërisht kësaj kategorie të dytë.
Matematika është ndoshta shkenca më rigorozisht e lidhur me logjikën, disiplinën mendore dhe abstraksionin. Por tek figura e Profesor Aleko Mingës, ajo duket se kapërcen kufijtë e një disipline akademike dhe shndërrohet në kulturë mendimi. Në një mënyrë të të konceptuarit të botës përmes qartësisë, harmonisë dhe rendit racional.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye ata që flasin për Profesor Aleko Mingën nuk sjellin në vëmendje vetëm profesorin, por peshën dhe cilësinë intelektuale që ai përfaqëson. Nuk kujtojnë vetëm auditorin, por seriozitetin moral që rrezatonte prania e tij.
Në universitete mund të gjesh njerëz të ditur. Më rrallë gjen personalitete që arrijnë të bashkojnë dijen me fisnikërinë, autoritetin me përulësinë dhe kulturën me thjeshtësinë njerëzore.
Brezi të cilit i përket Aleko Minga duket se ka qenë një brez pedagogësh për të cilët autoriteti nuk buronte nga pozicioni institucional, por nga përmasa e karakterit dhe e mendimit.
Pikërisht këtu nis edhe reflektimi më i dhimbshëm për shoqërinë e sotme shqiptare.
Ne po jetojmë një kohë në të cilën është zbehur ndjeshëm për të mos thënë se mungon Kultura e Nderimit. Një shoqëri që humbet aftësinë për të nderuar njerëzit e saj të dijes, gradualisht humbet edhe sensin e hierarkisë morale të vlerave.
Sot flitet shumë për suksesin, por shumë pak për meritën. Promovohet dukshmëria, por jo gjithmonë përmbajtja. Zhurma publike shpesh zë vendin e autoritetit të vërtetë, ndërsa njerëzit që kanë formuar breza të tërë studentësh e shkencëtarësh të zotë dhe kanë ndërtuar themelet serioze të arsimit dhe të shkencës shqiptar mbeten në një heshtje të padrejtë publike.
Ky është një deformim kulturor që nuk lidhet vetëm me mungesën e mirësjelljes institucionale. Ai lidhet me krizën e vetëdijes sonë kolektive për atë çfarë duhet të nderojë një komb.
Sepse një shtet nuk matet vetëm me infrastrukturën, ekonominë apo fuqinë politike. Një shtet matet edhe me mënyrën si sillet me elitën e vet intelektuale. Me mënyrën si ruan në kujtesën e vet dhe se si i nderon brezat e profesorëve, shkencëtarëve dhe akademikëve që kanë lartësuar dijen kombëtare.
Fatmirësisht, Profesor Aleko Minga ndodhet ende mes nesh, në vitin e 91-të të jetës së tij. Dhe ai nuk është i vetmi ndër personalitetet e mëdha të shkencës e të dijes, të shkollës dhe të kulturës shqiptare që kemi ende privilegjin t’i kemi gjallë.
Por fatkeqësisht ne nuk dimë t’i nderojmë sa janë ende në jetë.
Shpesh kujtohemi për njerëzit tanë të mëdhenj vetëm pasi ata largohen përgjithmonë. Vetëm atëherë shkruajmë fjalë respekti, organizojmë ceremoni apo mbajmë fjalime plot mirënjohje të vonuar.
Kjo është tragjedia morale e shoqërive me kujtesë të dobët: ato shpesh i zbulojnë vlerat vetëm pasi i kanë humbur.
Për këtë arsye, këto radhë për Profesor Aleko Mingën nuk dua të mbeten thjesht një shenjë respekti individual. Dua që ato të lexohen edhe si një apel publik ndaj institucioneve të shtetit shqiptar.
Do të ishte dinjitoze që Ministria e Arsimit, Akademia e Shkencave dhe institucionet universitare të organizojnë veprimtari shtetërore nderimi për personalitete të përmasës së Profesor Aleko Mingës dhe për të gjithë ata shkencëtarë e pedagogë të mëdhenj që ende jetojnë mes nesh.
Jo si formalitet ceremonial.
Por si akt kulture.
Si dëshmi qytetërimi shtetëror dhe kombëtar.
Sepse kur një shtet nderon njerëzit e dijes, në të vërtetë ai nderon vetë themelet shpirtërore mbi të cilat mbështetet ekzistenca e tij morale.
Madje, dua ta simbolizoj këtë ide në një gjest publik, duke i propozuar Ministres së Arsimit apo vetë Kryeministrit ta ftojnë Profesor Aleko Mingën në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Ta vendosin në krye të vendit, përballë deputetëve të Republikës dhe, përtej ndarjeve politike, e gjithë salla të ngrihej në këmbë përpara një punëtori të madh të shkencës e të dijes shqiptare.
Dhe aty, në organin më të lartë përfaqësues të shtetit shqiptar, t’i thuhet publikisht me përulësi:
“Faleminderit, Profesor i nderuar, për gjithçka që i keni dhënë këtij vendi dhe këtij populli.
Ndjesë që nuk kemi ditur gjithmonë t’ju nderojmë me lartësinë që meritonte emri dhe vepra juaj.
Por sot, përmes respektit tonë publik, ne nderojmë jo vetëm një profesor të madh, por vetë dinjitetin e dijes shqiptare.”
Sepse kombet nuk bëhen më të mëdha vetëm nga fuqia ekonomike apo politike.
Ato bëhen më të denja nga mënyra si dinë të përkulen përpara njerëzve që i kanë bërë shpirtërisht më të pasura.
Me qytetarë, intelektualë dhe shkencëtarë si Aleko Minga, kupton se Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë njerëz që e kanë mbajtur lart dinjitetin e dijes shqiptare.
Emra të tillë nuk kanë nevojë për zhurmë.
Mjafton respekti, nderimi.
E kemi detyrim.

Artikuj të lidhur

Back to top button