
Kandidatët për drejtorët e qarqeve dhe shefat e Komisariateve nuk do t’i nënshtrohen më konkurseve për të fituar postin.
Mazhoranca, përmes deputetit Bujar Rexha, ka dorëzuar në Kuvend një projektligj për Policinë e Shtetit i cili parashikon heqjen e konkurseve dhe zgjedhjen e tyre direkt nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
PS propozon ndryshime edhe për sistemin e gradave.
Ndryshime propozohen edhe për sistemin e gradave. Afati për kalimin nga grada “komisar” në “kryekomisar” dhe nga “kryekomisar” në “drejtues” propozohet të ulet nga 5 në 4 vite. Sipas logjikës së mazhorancës, punonjësit të cilët japin rezultate nuk duhet të mbeten peng i procedurave.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë do të ketë të drejtën të japë ngritje në gradë edhe para afatit, për efektivë që dallohen për akte heroike apo rezultate të larta në luftën kundër krimit.
Mandati i drejtuesit të një departamenti kërkohet të ulet nga 4 në 3 vjet dhe pas përfundimit të mandatit ka të drejtë rikandidimi për një mandat të dytë. Propozimi për emërimin e tij bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe emërohet nga ministri i Brendshëm.



