
Shkrimi prekës i gazetares Tuğba Ayaz, “Një gjuhë për dhimbjen” (Eine Sprache für den Schmerz), i cili rrëfen historinë e Nazmi Kadriut dhe familjes së tij nga Kosova, është nominuar zyrtarisht për Çmimin e Gazetarisë së Zürichut.
Ky konsiderohet si çmimi më prestigjioz në fushën e gazetarisë në Zvicër. Shkrimi i Ayaz është përzgjedhur në mesin e 9 punimeve më të mira të vitit, ku tre prej tyre do të shpërblehen me nga 10 mijë franga zvicerane.
Ky event mbështetet nga katër shtëpitë më të mëdha mediatike në Zvicër: CH Media, NZZ, Ringier dhe Tamedia. Teksti i Tuğba Ayaz u botua më 15 shkurt 2025 në portalin “Republik” të Zürichut, njëra nga platformat me kreative të gazetarisë në Zvicër.
Nazmi Kadriu, 75 vjeç, ishte një nga mijëra shqiptarët e Kosovës që gjatë viteve 90-të punoi në Zvicër me statusin e punëtorit sezonal. Ky status, i rregulluar me ligj që nga viti 1934, i detyronte punëtorët të punonin nëntë muaj dhe të largoheshin për tre muaj nga Zvicra, duke ua ndaluar rreptësishtë marrjen e familjes me vete.
Rrëfimi nis në vitin 1992 në kantonin Jura, ku Nazmiu punonte në një fermë. Ai kujton se si puna fizike ishte më e lehtë sesa uria; fermeri zviceran ankohej se ai hante shumë, ashtu si “jugosllavët dhe italianët e tjerë”, duke e detyruar Nazmiun të hante mollë të papjekura që i gjente fushave për të mbushur barkun.
Por, dhimbja më e madhe ishin netët: vetmia dhe shqetësimi për gruan dhe tre fëmijët që kishin mbetur në Prishtinë, nën presionin e egër të regjimit serb.
Në vitin 1990, kur Nazmiu u largua nga Kosova pasi humbi punën në minierë, ai nuk e dinte se do të bëhej shërbëtor i një fermeri për 1200 franga në muaj, duke punuar deri në 12 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Për pesë vite me radhë, ai jetoi i ndarë nga familja.
Statusi i punëtorit sezonal e shihte atë vetëm si krah pune, jo si qenie njerëzore me të drejta integrimi.
Djali i tij, Lulzimi, 46 vjeç dhe drejtues punimesh në ndërtim, kujton se si fëmijë nuk e kuptonte pse babai duhej të ikte gjithmonë. Ai sillte çokollata, dhurata, para e ngrohtësi, por pas tre muajsh ai zhdukej përsëri, tregon Lulzimi në reportazh. Për nënën e tij, jeta në Kosovë ishte një luftë e përditshme me sëmundjen, varfërinë dhe frikën nga policia serbe, ndërsa djali i madh, Lulzimi, duhej të merrte përsipër përgjegjësitë e prindit që në moshën 12-vjeçare.
Vetëm në vitin 1995, pas pesë vitesh ndarje, Nazmiu arriti të fitonte lejen e qëndrimit (vizën B) dhe të merrte familjen në Zvicër.
Por, trauma e ndarjes kishte lënë gjurmë të thella. Edhe sot, familja Kadriu e ka të vështirë të gjejë fjalët për të përshkruar atë dhimbje.
Nazmiu rrëfen se me bashkëshorten e tij nuk kanë folur kurrë për ato pesë vite ndarje: “Është shumë e rëndë”,” thotë ai me lot në sy.
Lulzimi ka vendosur ta thyejë këtë heshtje. Ai është bërë pjesë e shoqatës “Tesoro”, e cila kërkon njohjen e vuajtjeve të familjeve të ish-punëtorëve sezonalë. Sipas historianit Toni Ricciardi, rreth gjysmë milioni familje janë prekur nga kjo ndarje strukturore e detyruar nga shteti zviceran.
Shkrimi i Tuğba Ayaz nuk është vetëm një retrospektivë historike. Ai vjen si një paralajmërim në një kohë kur e drejta për bashkim familjar po vihet përsëri në pikëpyetje në politikën zvicerane.
Autorja thekson se debatet e sotme për kufizimin e bashkimit familjar për personat e pranuar përkohësisht janë një vazhdimësi e asaj dhune strukturore që dikur shkatërroi fëmijërinë e shumë fëmijëve të punëtorëve sezonalë.
“Ata punuan për pak para, në punë që zviceranët nuk i bënin, ndërsa trajtoheshin si njerëz të dorës së dytë”, thotë Lulzimi. Për këtë arsye, sakrifica e tyre duhet të njihet, kërkon ai, sepse punëtorët sezonalë kanë ndërtuar themelin e artë, mbi të cilin qëndron Zvicra. /Telegrafi/


