BlogKryesoreOpinionsRajoni

A do të rrëzohet sivjet nga pushteti autokrati serb Vuçiq?

Nga Enver Robelli-

Presidenti serb do të donte të mbante zgjedhjet në një ditë vere, kur shumë njerëz janë në pushime ose duke punuar në bregdetin kroat. Vuçiq nuk ka qenë kurrë më i injoruar nga Bashkimi Evropian se muajve të fundit. Por autokrati serb ka fat: opozita vazhdon të jetë e përçarë dhe e hutuar

Sivjet ka gjasa të mbahen zgjedhjet parlamentare në Serbi. Ashtu ka paralajmëruar presidenti autokratik i vendit, Aleksandar Vuçiq. Nuk ka premtuar, vetëm ka paralajmëruar. Aktualisht duket se po kërkon një datë të përshtatshme. Dhe ajo më e përshtatshmja do të ishte një e diel vere, kur qindra mijëra serbe e serbë ose janë në pushime, ose duke punuar në botën e jashtme, për shembull si kamerierë në bregdetin kroat apo argatë ndërtimtarie në vende të tjera të BE-së. Pjesëmarrja e ulët i konvenon pushtetit. Pjesëmarrja e lartë e rrezikon regjimin, ndoshta edhe e rrëzon. Ndonëse nuk ka garanci për këtë, për shkak se lëvizja studentore në Serbi, e cila që nga 1 nëntori 2024 po proteston kundër Vuçiqit, ende nuk ka dhënë përgjigje se çfarë do. Më 1 nëntor 2024 u shemb streha e stacionit hekurudhor në Novi Sad, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave. Më parë ishte thënë me bujë se stacioni i trenit ishte renovuar.

Vuçiq nuk ka qenë kurrë më i injoruar nga Bashkimi Evropian se muajve të fundit. Nuk i ndihmoi as përkrahja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin Vuçiq shkroi një tekst në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung – në të cilin të dy politikanët thanë se do ta pranonin edhe një anëtarësi të dorës së dytë në BE. Kundër kësaj ideje ka dalë edhe komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos. Ajo deklaroi së fundi se është kritike ndaj idesë që Serbia dhe Shqipëria të bëhen pjesë e tregut të përbashkët evropian dhe të zonës Schengen Area. Ajo theksoi se nuk ekziston asnjë variant “light” apo gjysmak, por vetëm anëtarësim i plotë në Bashkimin Evropian pasi të përmbushen të gjitha detyrimet.

Vuçiq ka treguar qartë si përmbushen obligimet – duke e futur edhe më shumë nën kontroll sistemin e drejtësisë. Në fund të janarit parlamenti serb dhe qeveria miratuan një reformë në drejtësi, duke injoruar kritikat nga Brukseli. Vuçiq nxitoi t’i nënshkruajë ndryshimet përkatëse ligjore, nëpërmjet të cilave kryetarëve të gjykatave u jepet më shumë pushtet mbi gjyqtarët dhe mund të shfuqizohen mekanizmat që synojnë të garantojnë pavarësinë e prokurorisë. Siç u ka hije autokracive, parlamenti i Serbisë i miratoi ndryshimet pa debat publik apo konsultime me prokurorinë, gjyqtarët, BE-në apo Komisionin e Venedikut, i cili është një organ i Këshillit të Evropës që këshillon shtetet lidhur me të drejtën kushtetuese. Kritikat e komisioneres për zgjerim, Marta Kos, u injoruan nga Beogradi.

Ndërkohë, Komisioni i Venedikut ka shprehur kritika të ashpra ndaj reformës në drejtësi të miratuar në Serbi. Në një opinion urgjent, Komisioni thekson se si pasojë e kësaj reforme ekzistojnë një sërë mangësish me të cilat dobësohet pavarësia e gjyqësorit. Katër ekspertë paraqitën një listë rekomandimesh për t’i përshtatur ligjet e drejtësisë së vendit me standardet evropiane. Komisionerja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos, kishte paralajmëruar më parë se Serbisë, si kandidate për anëtarësim në BE, mund t’i rrezikohet humbja e më shumë se 1,5 miliard eurove nga fondet mbështetëse evropiane, nëse nuk zbaton rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Synimi i të ashtuquajturës reformë ishte, mes tjerash, dobësimi i Prokurorisë së Posaçme për Krimin e Organizuar, e cila ka vënë në siklet disa funksionarë të partisë së Vuçiqit (SNS), dhe ka nxjerrë një ministër para gjykatës.

Por Vuçiq nuk është politikan që dorëzohet lehtë. Ai – si Orbáni – do të bëjë gjithçka për të ruajtur pushtetin, të cilin e ka konsoliduar në 15 vitet e fundit. Problemi i opozitës serbe është mungesa e një figure udhëheqëse. Serbisë i mungon një Péter Magyar, një që bredh cep më cep për të bindur qytetarët për ndryshim. Studentët serbë kanë dështuar të bëjnë një gjë të tillë. Përkrahja për Vuçiqin mbetet e madhe sidomos në provincë, aty ku mungojnë apo nuk depërtojnë mediat e pavarura dhe ku propaganda e pushtetit ka ende efekt. Shpesh propaganda shoqërohet edhe me favore si vende pune apo përkrahje direkte financiare nga pushteti.

Së fundi, regjimi reagoi me panik pasi rektori i Universitetit të Beogradit, Vlladan Gjokiq, u prit në takim në Bruksel nga Marta Kos. Gjokiq është shquar si mbrojtës i studentëve nga dhuna e policisë dhe si kritik i pushtetit. A mund të jetë ai lideri i një lëvizjeje të gjerë politike në Serbi kundër Vuçiqit dhe partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme? Vështirë të thuhet, duke pasur parasysh opozitën e përçarë. Pas takimit të Gjokiqit me komisioneren Kos, Vuçiqi tha se BE “shkeli parimet e sundimit të ligjit, por kush merakoset për këtë, nuk është hera e parë që e bëjnë”. Kur Vuçiq flet për sundim të ligjit, tingëllon vërtet shumë i besueshëm.

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button