
Në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Reç është shënuar një incident i rëndë, ku dy të paraburgosur, të identifikuar me inicialet A.Gj dhe F.D, kanë ushtruar dhunë ndaj një punonjësi të Policisë së Burgjeve.
Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, të paraburgosurit kanë kundërshtuar me forcë autoritetin si dhe kanë shkaktuar dëme materiale, duke shkatërruar pajisje brenda ambienteve të institucionit.
Reagimi i autoriteteve ka qenë i menjëhershëm. Strukturat drejtuese të burgjeve kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndjekur nga afër situatën, ndërsa forcat e sigurisë kanë ndërhyrë për të neutralizuar rrezikun dhe për të rikthyer rendin.
Punonjësi i dëmtuar ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, sipas burimeve zyrtare, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të ngjarjes, janë marrë masa të menjëhershme ndaj dy të paraburgosurve:
– Vendosje në regjim të veçantë izolimi për një periudhë 3-mujore
– Nisje e procedimit penal për tre vepra penale, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve
– Transferim drejt një institucioni të sigurisë së lartë
Drejtoria e Burgjeve thekson se çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë së Burgjeve është i papranueshëm dhe do të përballet me ndëshkimin maksimal që parashikon ligji.
Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mbeten të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për mbrojtjen e jetës dhe integritetit të stafit.
“Autoriteti i ligjit nuk negociohet”, përfundon reagimi zyrtar.



