
Nga Arbër Zaimi–
Samiti i diasporës nuk bëhet një herë në vit, as çdo dy vjet. Ai bëhet herë çdo tre vjet e herë çdo katër vjet. Parregullsia në organizim tregon spontanitetin e sportivitetin e organizatorëve në raport me kryetemën e samitit, diasporën.
Po të ishin thelluar ca në organizim, po të kishte patur vërtet ekipe që përgatisin temat e panelet, që të mbërrihet deri te rezultatet, mbase së pari do ta kishin vënë re që fjala “samit” është gafë.
Samit quhen në diplomaci ngjarjet ku mblidhen krerët shtetërorë, nga të cilat dalin zakonisht marrëveshje ndërkombëtare a deklarata të përbashkëta.
Aktiviteti ynë as nuk ishte ndërkombëtar, se ishin të gjithë shqiptarë, as nuk pati krerë shtetesh pos njërit. Samit vetëm nuk mbahet.
Nuk ka justifikim pse Shqipëria nuk e fton Kosovën në bashkëorganizim, edhe do të ndanin kostot, edhe burimet njerëzore do të ishin më të bollshme për planifikim e realizim më të mirë. Diaspora shqiptare nuk ndahet me kufijtë jugosllavë mes Shqipërisë dhe Kosovës, ajo është diasporë e atyre që i bashkon gjuha, kultura e rrënjët identitare shqiptare. Andaj le të bashkohen edhe Shqipëria e Kosova si bashkorganizatore. Mbase, një vit Tirana e një vit Prishtina, mund të lindë një konkurrencë që e rrit cilësinë e organizimit dhe konkretësinë e produkteve të tij.
Sepse mungoi agjenda e fokusuar, siç e kërkon emërtimi “samit”, munguan temat e përgatitura gjatë e me konsistencë nga institucionet shtetërore dhe stakeholdersat nga mërgata që do të rezultonin në propozime që mund të miratoheshin e zyrtarizoheshin përgjatë aktivitetit solemn. Panelet, si nga përbërja ashtu edhe nga tematika, ishin fort larg njëra-tjetrës, aq sa lista e paneleve ngjante me ndonjë listë gjërash të gjetura. Panelistët shpesh improvizonin aty për aty përgjigje si opinione të lira a si lista dëshirash, pjesëmarrësit ndonjëherë recitonin poezi e bënin kërkesa e ankesa nga më të larmishmet.
Mërgata është një “thesar” burimesh njerëzore, por porta e saj nuk çelet me “hapu susam!”. Spontaniteti konfuz i organizimeve me synim marketingun, nuk mjafton për të marrë më të mirën prej mërgatës. Duhet dhënë shumë për të marrë shumë, ai që merr pa dhënë është Alibabë.



