
Letërsia, kulturat e tjera, përvojat e njerëzve të tjerë – të gjitha këto e bëjnë jetën më interesante, madje (më) të durueshme në kohëra të çmendura, të cilat po i përjetojmë prej vitesh si pasojë e luftërave të tmerrshme, gjakderdhjes së pandalshme, krimeve të luftës ndaj civilëve, polarizimit ekstrem dhe dashakeqësisë permanente.
***
Në vijim po ju sjell një tekst të shkrimtarit të madh gjerman Hans Magnus Enzensberger mbi shkrimtarin e madh egjiptian Nagib Mahfuz, deri më tani nobelisti i parë i letërsisë nga bota arabe. Por kur përmendim Mahfuzin, duhet nënvizuar edhe një gjë: në vitet e errëta 1990-të gazetari kosovar Nehat Islami, i cili përveç frëngjishtes e turqishtes, flet edhe arabishten, ka zhvilluar një intervistë me këtë personalitet të madh të Egjiptit dhe mbarë botës arabe. Është botuar te gazeta “Bujku”, e cila shtypej edhe në Zvicër dhe shpërndahej në diasporë me titullin “Rilindja” (pas ndalimit të kësaj gazete nga autoritetet serbe).
Këtë informatë mbi intervitën e Nehat Islamit me Nagip Mahfuzin po e lë këtu jo si fusnotë, por si dëshmi se gazetaria e mirë nuk jeton vetëm nga shkrimet e mira, por edhe nga mundësia e gazetarit për të udhëtuar edhe në vende të largëta për realizimin e shkrimeve të mira. Shpesh këmbët janë më të rëndësishme se pena. Ose po aq sa pena. Në intervistë Mahfuz flet jo vetëm për letërsinë. Ai denoncon edhe krimet masive ndaj popullsisë boshnjake në Bosnjë-Hercegovinë dhe represionin brutal në Kosovë në vitet 1990-të.
***
Hans Magnus Enzensberger, i lindur në vitin 1929 në Kaufbeuren të krahinës së Bavarisë, studioi gjermanistikë dhe filozofi. Punoi për një kohë si redaktor radioje dhe lektor. Ai jetoi një kohë në Norvegji, pastaj më gjatë në Berlin dhe, që nga viti 1980, në München. Vepra e Enzensbergerit, sidomos si poet dhe eseist, ka ndikuar ndjeshëm në letërsinë gjermane që nga vitet 1960-të. Krahas kësaj, ai pati një veprimtari të gjerë si botues. Nga viti 1965 deri më 1975 botoi revistën “Kursbuch”, nga 1980 deri më 1982 revistën “TransAtlantik” dhe nga 1985 deri më 2004 serinë me libra “Die Andere Bibliothek” (Biblioteka Tjetër). Enzensberger vdiq në vitin 2022.
Teksti i tij mbi Nagip Mahfuzin është marrë nga libri “Artistë të mbijetesës. 99 vinjeta letrare nga shekulli i 20-të”.
***
Nagib Mahfuz (1911–2006)
Transkriptimi i emrave arabë është vërtet një mundim i madh. A quhej ai në fund Nagib Mahfuz, Naguib Mahfouz, Naxhip Mahfuz apo Naxhib Mahfuz? Megjithatë, jo vetëm të huajt, por edhe bashkëkombësit e tij i hapën telashe nobelistit të tyre të vetëm. Ai kaloi si Hermann Hesse dhe Heinrich Böll. Së pari, të gjithë u trembën nga qëndrimet e tyre të shprehura publikisht, e në fund, për pasardhësit e tyre të rinj, ata ishin shumë demode, shumë mikroborgjezë, shkurt: jo mjaftueshëm modernë. Mahfuz, megjithatë, kaloi shumë më keq.
U lind më 1911, si më i vogli nga shtatë fëmijët në një familje myslimane rreptësisht fetare në pjesën e vjetër të Kajros, vendi ku zhvillohen shumë prej romaneve të tij. Babai i tij ishte nëpunës. Nagib Mahfuz përfundoi gjimnazin dhe studioi filozofi. Pas kësaj, nisi karrierën si nëpunës, e cila ishte e mërzitshme dhe nuk ofronte mundësi avancimi, por për këtë arsye puna i linte shumë kohë për të shkruar; deri në vitin 1971, ai vegjetoi si burokrat. Ishte shtatëmbëdhjetë vjeç kur filloi të shkruante. Fillimisht u mor me kohën e faraonëve. Në fillim librat nuk i sillnin fitime. Më pas iu përkushtua të tashmes, ndërsa famën botërore e fitoi me “Trilogjinë e Kajros”. Përveç kësaj, ai shpiku një detektiv, jetën e të cilit e përshkroi në njëzet e dy tregime.
Në kohën e mbretit Faruk, Egjipti ishte formalisht monarki, por në fakt ishte nën pushtetin britanik, i cili vetëm pas vitit 1919 u dobësua paksa. Librat e parë të Mahfuzit merren kryesisht me përpjekjet për pavarësinë e vendit. Kjo është edhe prapavija e heshtur historike e “Trilogjisë së Kajros” – “Midis dy pallateve”, “Pallati i mallit” dhe “Rrugica e sheqerit”. Në këtë sagë familjare prej tre mijë faqesh, një lloj Budenbrokësh lindorë (këtu Enzensberger i referohet romanit “Budenbrokët” të Thomas Mannit, v.j.), ai tregoi historinë e një familjeje tregtare nëpërmjet tri gjeneratave.
Në vitin 1952, të ashtuquajturit “Oficerë të Lirë”, të mbledhur rreth Xhamal Abdel Naserit, kryen një grusht shteti ushtarak, i cili çoi në pavarësinë post-koloniale të Egjiptit. Megjithatë, shpejt rezultoi se pushteti i Naserit ishte një diktaturë socialiste, qëllimet e së cilës ishin nacionalizimi i pronave të mëdha dhe industrializimi i ethshëm i vendit, i cili financohej nga Bashkimi Sovjetik. “Kishim frikë. Muret kishin veshë, jo vetëm në kafene, por edhe në shtëpi.” Ai kurrë nuk ishte anëtar i ndonjë partie, kurrë nuk shkoi në pelegrinazh në Mekë sepse nuk e duronte dot shtyrjen në turmë.
Mahfuzi heshti për disa vite, e më pas u rishfaq me romanin “Fëmijët e lagjes sonë”. Kapitujt e parë të librit u botuan më herët në gazetën kryesore të afërt me qeverinë, Al Ahram. Parabola i zemëroi mullahët konservatorë sepse disa personazhe të romanit u kujtonin Adamin, Mojsiun, Jezu Krishtin dhe Muhamedin. E akuzuan autorin për blasfemi dhe u kujdesën që libri të ndalohej për dekada të tëra në Egjipt. Pavarësisht kësaj, Mahfuzi është edhe sot shkrimtari bashkëkohor më i lexuar dhe më i përkthyer që shkruan në gjuhën arabe. Ndër të tjera, edhe për faktin se ai pajtoi gjuhën letrare klasike arabe me lëvizjet e gjuhës së përditshme në Egjipt. Ishte bashkëkohës dhe kronikan i transformimit të madh që shkaktoi përmbysja në botën arabe, e shënuar nga revolucioni, luftërat dhe modernizimi që gllabëron gjithçka para vetes. Ai përjetoi shumë katastrofa të shoqërisë egjiptiane.
Romaneve të tij realiste sociale u shtohen edhe vazhdimet përrallore të “Një mijë e një netëve”, romanet historike, pjesët teatrore, skenarët dhe skicat autobiografike. Popullaritetin i tij u rrit edhe falë ekranizimeve të shumta të tregimeve të tij.
Mullahëve, përkundrazi, ai u ka mbetur gjithmonë halë në sy. “Udhëtimi i Ibn Fatumës” është historia e një udhëtimi alegorik të një besimtari të rreptë mysliman nëpër sisteme të ndryshme politike. Duke qenë se Ibn Fatuma nuk gjen lumturi në asnjë pushtet, përfshirë edhe atë islamik, ai vendos që, si sufinjtë islamikë, të niset në një udhëtim mistik drejt brendësisë së tij.
“Njeriut i duhet pak metafizikë, por mistika është edhe fatamorganë”, tha Nagibi kur ishte tetëdhjetë vjeç dhe tashmë ishte i shurdhër nga njëri vesh. Edhe shikimi i ishte dobësuar.
Mahfuzi ishte gjithmonë kundër fundamentalizmit islamik dhe pro ndarjes së shtetit nga feja. Ai angazhohej për paqen me Izraelin, të cilën presidenti Anvar al-Sadat u përpoq ta vendoste për aq kohë derisa u vra nga organizata Al Xhihad.
Mahfuzi me qëndrimin e tij nuk provokoi vetëm zemërimin e besimtarëve ortodoksë; edhe nacionalistët arabë kishin disponim armiqësor ndaj tij. Fakti që në vitin 1988 iu dha Çmimi Nobel u përjetua prej tyre si provokim. Një mullah radikal me emrin Omar Abdel Rahman lëshoi një dënim me vdekje për Mahfuzin, këtë e bëri nëpërmjet një fetvaje që janë një dukuri e zakonshme te islamistët. (Ky klerik i verbër më vonë u dënua në New York me burgim të përjetshëm si një nga organizatorët e sulmeve të 11 shtatorit 2001.)
Në vitin 1994, një atentator islamik e sulmoi shkrimtarin dhe e goditi me thikë në qafë, duke e plagosur rëndë. Tetëdhjetë e dy vjeçari Mahfuz mbijetoi, por që nga ajo kohë ishte i detyruar të mbante truproja. Deri atëherë ai mund të shihej çdo ditë duke pirë duhan në kafenenë e tij lokale në Kajro, por pas kësaj ai u pushtua gjithmonë e më shumë nga pesimizmi, kështu që u tërhoq plotësisht nga jeta publike.
Në Kajro flitej se vuante nga një sëmundje e rëndë. Vdiq në vitin e nëntëdhjetë e katërt të jetës, në një spital në Kajro.
Përktheu dhe përgatiti:
E.R.



