
Nga Çapajev Gjokutaj
Shqiptarët që shprehen në media dhe në rrjetet sociale për luftën mes SHBA‑së, Izraelit dhe Iranit duken të ndarë në dy kampe. Njëra palë, që është hapur pro amerikanëve dhe izraelitëve, e artikulon mbështetjen me gjuhë të fortë dhe pa rezerva. Pala tjetër shfaqet më e tërthortë, deklarohet kundër luftës dhe mizorive të saj, por nuk e ke dhe aq të vështirë që pas këtij qëndrimi human të dallosh hera‑herës edhe motive fetare.
Ky polarizim nuk buron nga një analizë e ftohtë e interesit shqiptar, por nga tifozllëqe politike, ideologjike dhe fetare. Kemi të bëjmë më shumë me shfryrje pasionesh sesa me reflektim, më shumë me identifikim emocional sesa me llogari racionale.
Nëse do të niseshim nga interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve këndej e përtej kufijve, pozicioni i arsyeshëm do të ishte krejt tjetër. Shqipëria nuk është eksportuese nafte cilësore që të shesë e të përfitojë nga kriza; përkundrazi, është e varur nga importet. Çdo rritje e çmimeve globale e godet drejtpërdrejt. Ekonominë e kemi të brishtë dhe rreziku i inflacionit është real.
Kërcënimi nga një krizë ekonomike është shqetësim i madh, por kjo luftë ka nxjerrë në horizont edhe një rrezik tjetër, një kërcënim ekzistencial për kombin shqiptar dhe posaçërisht për pavarësinë e Kosovës.
Shumë analistë vënë në dukje se lufta me Iranin shënon fundin e rendit ekzistues botëror dhe fillimin e një rendi të ri. Rendi i derisotëm perceptohej si arkitekturë stabiliteti, ku ligji ndërkombëtar dhe institucionet shumëpalëshe ishin mburoja kundër kaosit. Sot, me luftën në Lindjen e Mesme dhe tensionet e reja globale, këto parime po sfidohen hapur: sovraniteti cenohet, integriteti territorial vihet në pikëpyetje, ndërsa përdorimi i forcës po kthehet në normë.
Kjo klimë agresioni rezulton dukshëm në favor të synimeve ekspansioniste të Serbisë së Vuçiçit, që po armatoset përditë e më shumë dhe që aneksimin e Kosovës e konsideron pjesë të strategjisë së vet kombëtare.
Thënë me pak fjalë, lufta në Gjirin Persik nuk është spektakël për t’u ndjekur me duartrokitje apo me sharje; përkundrazi, është një kërcënim që mund të prekë drejtpërdrejt jo vetëm jetën tonë të përditshme, por edhe ardhmërinë e kombit.



