
Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar si kandidat për president të Kosovës ish-kryetarin e Kuvendit dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Në një deklaratë të bërë publike këtë të mërkurë, subjekti fitues i zgjedhjeve thekson se, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur një marrëveshje me opozitën, do të propozojë për kreun e shtetit deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës së Kosovës.
Sipas deklaratës, zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, të cilat erdhën pas një bllokade mbi dhjetëmujore, prodhuan “rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës”, duke e cilësuar votën qytetare si një mesazh kundër bllokimit institucional dhe në favor të themelimit të institucioneve.
Vetëvendosje thekson se, në përputhje me këtë rezultat, pa vonesë janë konstituuar Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa procesi i radhës mbetet zgjedhja e presidentit. Për këtë pozitë kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Si subjekt fitues, Vetëvendosje bën të ditur se ka propozuar ofrimin e një kandidati konsensual dhe se ka ftuar disa herë në takim subjektet më të mëdha opozitare për të gjetur emra të përbashkët. Megjithatë, sipas saj, nga opozita nuk ka pasur asnjë propozim konkret, ndërsa janë refuzuar edhe ofertat me emra të caktuar.
“Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme”, thuhet në deklaratë.
Në të njëjtën kohë, kjo parti fton edhe njëherë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat.
“Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar. Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”, thuhet në deklaratë.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur në një konferencë për media se nuk mund të thirret seancë për zgjedhjen e presidentit të vendit pa pasur së paku dy kandidatë në garë.
Haxhiu tha se deri më tani është propozuar vetëm një kandidat, Glauk Konjufca, i cili ka siguruar 30 nënshkrime nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupi multietnik. Ajo theksoi se mbeten më pak se 30 ditë deri në afatin kushtetues, 5 mars 2026, për thirrjen e seancës.
Kryetarja e Kuvendit u bëri thirrje të gjitha partive politike që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të shqyrtojnë mundësinë e propozuarjes së së paku një kandidati tjetër, duke sqaruar se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
“Mund të ketë kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, por seancë për zgjedhje të presidentit s’mund të ketë pa i pasur së paku dy kandidatë. Afati kushtetues është 5 marsi i vitit 2026, pra kemi më pak se 30 ditë deri në përfundim të këtij afati që e bën situatën më urgjente. Ftojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që deri tash nuk kanë dhënë nënshkrimet të reflektojnë dhe të shqyrtojnë mundësinë për propozimin e së paku një kandidati tjetër”, tha Haxhiu.



