
Nga Thoma Gëllçi-
Para 84 vjetësh, më 1 shkurt të vitit 1942, në një botë të përçarë nga lufta, propaganda dhe frika, Zëri i Amerikës nisi transmetimet e tij me një premtim që nuk ishte thjesht hyrje programi, por akt themelues moral: se e vërteta, edhe kur është e pakëndshme, është më e fortë se çdo gënjeshtër e organizuar. Në një epokë kur radiot ishin shndërruar në instrumente manipulimi masiv, Zëri i Amerikës u konceptua si diçka tjetër: jo si megafon i pushtetit, por si mjet informacioni që synonte të ndërtonte besim afatgjatë. Ky ishte një bast i madh politik dhe kulturor, sepse besimi nuk imponohet, por fitohet.
Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zëri i Amerikës përfaqësoi një ide thelbësore të diplomacisë moderne: se fuqia e një shteti nuk matet vetëm me armë dhe ekonomi, por edhe me aftësinë për të komunikuar ndershmërisht me botën. Amerika synoi të tregonte se një demokraci mund të flasë hapur, edhe për gabimet e veta, pa e shndërruar informacionin në propagandë. Ky parim nuk ka qenë gjithmonë i zbatuar në mënyrë perfekte, por mbeti gjithmonë themel identitar i institucionit. Pikërisht kjo e ka dalluar Zërin e Amerikës nga mediat shtetërore të regjimeve autoritare: ai nuk premtonte përsosmëri, por përpjekje për të qenë i besueshëm.
Për Shqipërinë, Zëri i Amerikës kishte një domethënie shumë më konkrete dhe ekzistenciale. Në dekadat e izolimit komunist, Zëri i Amerikës nuk ishte thjesht burim lajmesh, por një çarje në murin e heshtjes. Në një vend ku shtypi ishte zgjatim i Partisë dhe fjala publike funksiononte si urdhër ideologjik, dëgjimi i Zërit të Amerikës ishte akt i vogël, por domethënës, i autonomisë individuale. Ai nuk e rrëzoi diktaturën, por e gërryente çdo ditë, duke dëshmuar se realiteti nuk ishte ai që transmetohej nga Tirana zyrtare. Regjimi e quante “radio armike”, sepse informacioni i pavarur është armiku më i madh i çdo sistemi që mbijeton nga frika.
Rëndësia e tij për shqiptarët nuk qëndronte vetëm te përmbajtja politike. Qëndronte te gjuha, te toni, te fakti se fjala shqipe mund të përdorej pa klishe, pa slogane, pa frikë. Ishte një model tjetër komunikimi publik, i qetë dhe racional, që në mënyrë të heshtur edukonte dëgjuesin me idenë se mendimi kritik është i lejueshëm. Ky ndikim kulturor shpesh anashkalohet, por pa të është e vështirë të kuptohet pse shoqëria shqiptare, sapo u çel sistemi, kishte një uri të jashtëzakonshme për media të lira, për debat, për zëra alternativë.
Pas vitit 1990, Zëri i Amerikës kaloi nga statusi i medias së ndaluar në atë të referencës profesionale. Në një treg mediatik të ri, shpesh të politizuar dhe të kapur nga interesa të ngushta, ai shërbeu si standard gazetarie: ndarje mes lajmit dhe opinionit, verifikim faktesh, respekt për publikun. Për shumë gazetarë shqiptarë, ishte shkollë profesionale dhe etike. Jo një model për t’u kopjuar mekanikisht, por një kujtesë se gazetaria nuk është shërbim për pushtetin, por për publikun.
Pikërisht për këtë arsye, vendimi i administratës Trump për të ndërmarrë hapa që çuan në mbylljen praktike të Zërit të Amerikës përbën një kthesë dramatike dhe paradoksale në historinë e politikës amerikane të informacionit. Për herë të parë pas më shumë se tetë dekadash, Amerika zgjodhi të heshtë zërin e vet publik ndërkombëtar jo si pasojë e luftës, por si rezultat i një vendimi politik të brendshëm. Qindra gazetarë u nxorën jashtë funksionit, transmetimet u ndërprenë dhe një institucion i ndërtuar mbi besueshmëri u la në harresë administrative.
Ky vendim u mor në një moment kur bota përballet me sfida të rënda globale: agresioni i vazhdueshëm rus kundër Ukrainës, rrëshqitja demokratike në shumë vende të Euroazisë, operacionet agresive të ndikimit të Kinës, represioni i Iranit, kriza e Venezuelës, si dhe konfliktet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Në këtë kontekst, heshtja e Zërit të Amerikës nuk krijon thjesht një boshllëk informativ; ajo hap një terren të lirë për kundërshtarët strategjikë të demokracive perëndimore që të formësojnë politikat e tyre, të shtrembërojnë faktet dhe të dominojnë hapësirat e informacionit ku më parë ekzistonte një alternativë e besueshme.
Ironia është e thellë: një vend që historikisht e ka konsideruar lirinë e fjalës si armë strategjike, vendosi ta çarmatosë veten në fushën e informacionit. Kjo nuk është thjesht çështje buxheti apo reforme administrative; është zgjedhje politike me pasoja gjeopolitike. Sepse në botën e sotme, luftërat nuk zhvillohen vetëm me raketa, por edhe me fjalë dhe informacion. Dhe kur një zë i besueshëm hesht, zërat e tjerë , shpesh më agresivë dhe më pak të ndershëm , mbushin hapësirën.
Për Shqipërinë, kjo ngjarje ka edhe një dimension simbolik. Një shoqëri që dikur e priste me ankth dhe shpresë sinjalin e Zërit të Amerikës, sot duhet të pyesë veten se sa e konsoliduar është marrëdhënia jonë me lirinë e medias. Sa herë që kritika etiketohet si armiqësi, sa herë që gazetaria ngatërrohet me propagandën, ne tregojmë se ende nuk e kemi përvetësuar plotësisht mësimin që ky zë na dha për dekada.
84-vjetori i Zërit të Amerikës nuk është thjesht një datë për t’u përkujtuar. Është një moment reflektimi mbi vlerën e fjalës së lirë si institucion. Ai na kujton se demokracia nuk fillon me zgjedhje, por me informacion të lirë; nuk mbahet me slogane, por me transparencë; dhe nuk mbijeton pa media që guxojnë të mos i pëlqejnë pushtetit. Kur fjala e lirë hesht, fiton jo stabiliteti, por errësira. Dhe historia na ka mësuar se errësira rrallëherë është neutrale.



