BlogEditorialKryesore

A është Gjykata Kushtetuese gjykatë penale?

Nga Arben Isaraj-
Në rendin kushtetues shqiptar, natyra dhe funksionet e Gjykatës Kushtetuese shpesh (me dashje apo padashje) ngatërrohen me ato të gjykatave të zakonshme, veçanërisht në kontekstin e shqyrtimit të çështjeve që kanë elementë penalë ose lidhen me funksionarë publikë. Megjithatë, analiza normative, doktrinare dhe praktike tregon qartë se Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë penale dhe nuk ushtron juridiksion penal. Ajo përfaqëson një organ të posaçëm të kontrollit të kushtetutshmërisë, i cili qëndron jashtë sistemit të zakonshëm gjyqësor.
1. Kuadri kushtetues dhe ligjor.
Sipas nenit 124, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “Gjykata Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.” (1) Ky formulim kushtetues përcakton rolin e saj si gjykatë e së drejtës kushtetuese, jo si organ që shqyrton çështje penale.
Në nenin 131 të Kushtetutës përcaktohen kompetencat materiale të Gjykatës Kushtetuese, ndër të cilat përfshihen: pajtueshmëritë e ligjit me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare; pajtueshmëritë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre; pajtueshmëritë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare; mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore; gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave, përveçse kur parashikohet ndryshe në Kushtetutë, etj. (2)
Asnjë nga këto dispozita nuk përfshin ushtrimin e juridiksionit penal.
Për më tepër, neni 135, pika 1 dhe 2 i Kushtetutës përcakton se: “Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj”; “Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.” (3)
Kjo dispozitë i referohet gjykatave të sistemit të zakonshëm dhe posaçëm (të shkallës së parë, të apelit dhe Gjykatës së Lartë) dhe jo Gjykatës Kushtetuese.
Ky përjashtim është i plotë dhe tregon qartë se juridiksioni penal është atribut i gjyqësorit të zakonshëm, jo i gjyqësorit kushtetues.
Ky dallim konfirmohet edhe në Ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, ku neni 2, përcakton shprehimisht: “Gjykata Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin
përfundimtar të Kushtetutës.” (4)
Edhe me këtë normë ligjore, ligjvënësi ka përjashtuar çdo mundësi që Gjykata Kushtetuese të trajtojë çështje që kanë të bëjnë me fajësinë ose dënimin penal të individëve.
2. Qasja doktrinare dhe komparative.
Në doktrinën juridike shqiptare, qëndrimi është i qartë dhe i qëndrueshëm. Luan Omari dhe Aurela Anastasi theksojnë se “Gjykata Kushtetuese nuk është pjesë e sistemit gjyqësor dhe nuk ushtron juridiksion mbi çështjet penale, civile apo administrative; ajo ushtron vetëm kontrollin e kushtetutshmërisë.” (5)
Ky pozicion lidhet me ndarjen funksionale ndërmjet juridiksionit kushtetues dhe juridiksionit gjyqësor të zakonshëm, një ndarje që ka për qëllim garantimin e pavarësisë institucionale dhe të kontrollit të ndërsjellë midis pushteteve.
Në nivel evropian, koncepti është po aq i unifikuar. Sipas Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë “nuk është pjesë e gjyqësorit të zakonshëm; ajo merret me shqyrtimin e kushtetutshmërisë dhe jo me gjykimin penal apo civil.” (6)
Edhe doktrina krahasuese europiane thekson se gjykatat kushtetuese “nuk gjykojnë individë, por vlerësojnë përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.” (7)
3. Qartësimi përmes praktikës gjyqësore.
Në jurisprudencën e vet, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka sqaruar në mënyrë të përsëritur kufijtë e kompetencës së saj dhe ka theksuar se “kompetenca e saj kufizohet në vlerësimin e përputhshmërisë së ligjeve dhe akteve me Kushtetutën dhe jo në shqyrtimin e çështjeve që përfshijnë vlerësimin e fakteve apo fajësisë individuale.” (😎 Ky është një konfirmim i drejtpërdrejtë se Gjykata Kushtetuese nuk është organ gjykues penal dhe nuk ushtron ndonjë funksion hetimor apo ndëshkues.
Analizuar si mësipër rezulton se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk ka natyrë, kompetencë apo funksion penal.
Ajo përfaqëson një organ të kontrollit të kushtetutshmërisë dhe të balancimit institucional të pushteteve, jo një instancë që shqyrton shkeljet penale.
Prandaj, çdo përpjekje për ta trajtuar këtë gjykatë si pjesë të sistemit penal bie ndesh me Kushtetutën, ligjin dhe doktrinën juridike shqiptare dhe ndërkombëtare.
Referencat modeste:
1. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 124/1.
2. Ibid., neni 131.
3. Ibid., neni 135/1/2.
4. Ligji nr. 8577, datë 10.2.2000, Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, neni 2.
5. Aurela Anastasi dhe Luan Omari, E Drejta Kushtetuese (Tiranë: Botimet Toena, 2021), 341.
6. Venice Commission, Opinion on the Draft Law on the Constitutional Court of Albania, CDL-AD (2016)009, parag. 9.
7. Enrico Gianfrancesco, La Giustizia Costituzionale in Europa (Bologna: Il Mulino, 2018), 27.
8. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, Vendimi nr. 29, datë 25.6.2019.

Artikuj të lidhur

Back to top button