Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani thotë se nuk ka shqiptarë të cilët mund të jenë lënduar nga sulmi vdekjeprurës në Pragë të Çekisë, ku u vranë 15 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Hasani shprehet se ministria është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën tonë në Pragë.
Ai shpreh ngushëllime për jetët e humbura dhe uron shërim të shpejtë të plagosurve.
“Thellësisht i pikëlluar nga të shtënat tragjike në Pragë sot, që rezultuan në humbjen e disa jetëve të pafajshme. Ngushëllimet e mia të përzemërta për familjet e prekura dhe i uroj shërim sa më të shpejtë të plagosurve.
Shqipëria solidarizohet me miqtë tanë çekë në këtë moment të vështirë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Pragë.
Nga informacionet e deritanishme, nuk raportohet për të lënduar me shtetësi shqiptare”, shkruan Hasani.