Nga Ani Ruci-
Këtë zbulim grupi i deputetëve demokratë e bëri publik ditët e fundit. Në letrën drejtuar agjensive të OKB-së USAID etj, të pranishme në Shqipëri, ky grup i adresoi atyre kërkesën që të mos marrin më Linda Ramën, si eksperte për monitorimin e projekteve lidhur me reformat në Shqipëri, të mbështetura prej tyre financiarisht. Arësyeja? Është bashkëshortja e kryeministrit Rama. Ekspertiza e saj „ cënon besueshmërinë e raporteve, ka konflikt interesi dhe donatorët ndërkombëtare në këtë rast nuk plotësojnë standartet etike për shmangjen e konfliktit të interesit“ pretendojnë në kërkesën e tyre deputetët demokratë.
Paradokse, mungesë faktesh dhe serioziteti.
Zbulimi i PD, pikërisht tani në nëntor 2024, është paradoksal. Linda ka pothuajse 30 vjet, që përzgjidhet nga donatorët ndërkombëtarë për të qënë në grupet e punës, si bashkëautore ose drejtuese në raportet vlerësuese/ monitoruese të projekteve që këta donatorët mbështesin. Është përzgjedhur edhe kur nuk ka qënë bashkëshortja e kryeministrit Rama, edhe kur në pushtet ka qënë PD dhe kryeministër, Sali Berisha.
Gjatë qeverisjeve të PD, forca politike e atëhershme opozitare, PS, nuk bëri kësisoj zbulimesh për t’i përdorur ato si mjet në luftën politike kur zgjedhjet parlamentare të rradhës afroheshin. Pse? Një arësye , ndër shumë të tjera që nuk është rasti të renditen këtu, është profili i lartë profesional i Lindës, dijet e saj të thelluara, aktiviteti akademik, dhjetra botime shkencore dhe padyshin vullnetarizmi dhe kontributi i saj i spikatur në shoqërinë civile në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos të grave dhe fëmijëve. Këto ishin dhe mbeten arritjet e saj personale që nuk kanë lidhje me të qënët bashkëshorte e kryeministrit Rama.
Paradoksi bëhet më i madh kur pretendimet e deputetëve demokratë nuk mbështeten në të dhëna dhe fakte konkrete. Pretendimet e tyre, „a priori“ për „anshmëri dhe paragjykim“ do të ishin të besueshme nëse do të mbështeteshin në të dhëna zyrtare, shifra, fakte që do t’i ballafaqonin me të dhëna dhe fakte të pranishme në raportet monitoruese të donatoreve ndërkombëtarë, ku Linda është autore ose bashkë-autore e tyre për të vërtetuar se këto raporte janë „ të kontaminuara“ sic vetëm shkruajne por nuk faktojnë deputetet e PD. Dhe institucionet ndërkombëtare i pranojnë? Nuk i verifikojnë nga stafet e tyre që punonë në Shqipëri? Cfarë akuze! Në një kohë kur institucionet ndërkombëtare kanë një praktikë pune krejt tjetër ku të dhënat, faktet, konstatimet në raportet vlerësuese/monitoruese shikohen nga këto stafe përkatëse me shumë rigorozitet, që bëjnë komente dhe bashkëpunojnë me autorët që produkti të jetë real, i mbështetur në fakte dhe të dhëna zyrtare.
Deputetët e PD në letrën e tyre i cilësojnë „institucione prestigjioze“ organizatat e donatorëve ndërkombëtare në Shqipëri. Dhe vjen paradoksi i rradhës: a mund të jenë edhe “institucione prestigjoze” edhe që nuk plotesojnë „ standartet etike për konfliktin e interesit“? Edhe prestigjioze edhe me vlerësime të njëanshme , me të dhëna „të paragjykuara“ apo „të kontaminuara“ ?
Mungesa e fakteve dhe e ballafaqimit të tyre me cfarë shkruhet në raporte zbulon mungesë serioziteti dhe njëherazi vlerësimi të mangët për publikun. Kjo mungesë i shndrron në fjalë boshe pretendimet e deputetëve opozitarë për „anshmëri dhe paragjykim“. Dhe ka shumë të ngjarë që publiku vështirë ta besojë zbulimin e deputetëve demokratë që donatorët ndërkombëtarë nuk kanë standarte etike për konfliktin e interesit, sidomos kur ky zbulim publikohet në kontekstin e luftës politike të ditës kur zgjedhjet parlamentare po afrohen.
Qëndrime objektive apo të kontaminuara me paragjykime?
E kam njohur Lindën aty nga viti 2002, në aktivitete të shoqërisë civile dhe aktivizmit për të drejtat e njeriut, fokusuar në ato të grave dhe vajzave. Në vitin 2014 Linda u përzgjodh edhe nga UN Trust Fund, (një mekanizëm financiar multi – lateral i OKB për të eliminuar dhunën ndaj grave), për të bërë vlerësimin e një projekti 4 vjecar, të financuar nga ky mekanizëm, menaxhuar nga “Refleksione”, një organizatë kjo 30 vjecare e shoqërise civile, ku unë vazhdoj te jem pjesë e lidershipit të saj. PS kishte 5 muaj që kishte ardhur në pushtet. Raporti vlerësues, i përgatitur nga një grup pune të drejtuar nga Linda . Pas një vizite paraprake në terren në Shqipëri, në bashkitë ku u zbatua projekti te stafit përgjegjës për projektin në fjalë, nga selia e UN Trust në New York pas plotesimit të komenteve te ketij stafi raporti u publikua. Në këtë raport theksohe citoj : „dhuna në familje është në rradhë të pare përgjegjësi e shtetit. Shteti ka përgjegjësi të ndalojë dhunimin e të drejtave njerëzore të grave, të parandalojë dhunën dhe të mbroje viktimat. Qëndrimi i shtetit ndaj dhunës në familje duhet të ndryshojë. Lufta kundër dhunës në familje duhet të konsiderohet një prioritet për qeverinë shqiptare”. Këtë citim mund ta gjeni në linkun https://refleksione.org/developing-a-sustainable-system-for-addressing-the-violence-against-women-in-albania/
Mentalitet komunist në luftën politike të ditës.
Keqardhje për deputetet e PD!. Gjithë yryshi i tyre për të goditur donatorët ndërkombëtarë, që sipas tyre „nuk plotësojnë standartet etike për konfliktin e interesit“, yryshi për të përzier në mënyrën me të pabesueshme karrierën individuale, vokacionin e angazhimit qytetar të një gruaje aktive, të suksesshme në profesionin e saj me detyrëm e bashkëshortit dhe përdorur këtë sajesë si mjet në luftën politike të ditës, i ngjan yryshit në regjimin e kaluar, kur një person me dije, i aftë profesionalishtduhej të mënjanohej, të mos lejohej të bënte karrierë, të mos realizohej si individ në profesionin e vet sepse ishte „ me politikë në biografi.“
Për deputetët e PD „politika në biografi“ në rastin konkret është kur je grua, kur ke arritje në karrierën profesionale, aq më tepër kur ndodh që je edhe bashkëshorte e kryeministrit, edhe e përzgjedhur si eksperte për 30 vjet rrjesht nga institucionet ndërkombëtare prestigjioze !