
Nga Enver Robelli-
Spotify është një shpikje e mrekullueshme. Gati gjithë muzika e dynjasë në një vend – për kënaqësinë e miletit. Kush ka dëshirë, mund të radhit aty një Playlist me këngët e tij & saj të preferuara dhe të marrë malin duke fishkëllyer e dëgjuar muzikë. Dikush nga komuniteti turk i Spotify ka publikuar një Playlist me këtë titull: “Këngët të cilat Emine Erdogan i dëgjon kur pastron pallatin”. Ups! Emine Erdogan është Zonja e Parë e Turqisë, bashkëshortja e Rexhep Taip Erdoganit. Më pak se zonja Emine qesh vetëm Rexhepi, burri i saj. Së paku për aq sa shihet publikisht, Erdoganët duket të jenë çifti me më pak humor në botë. Zëvendësministri i kulturës i Turqisë e ka quajtur Playlist-ën me këngët që supozohet se i dëgjon Emineja – provokim dhe moralisht të papranueshme. Ithtarët e Erdoganit kanë kërkuar jo më pak se ndalimin e Spotify. Drejtësia turke (korrekte do të ishte që fjala drejtësi të shkruhej në thonjëza) ka filluar hetimet kundër Spotify për shkak të shkeljes së rregullave të konkurrencës në tregun muzikor turk. Spotify njoftoi se duke pasur parasysh rrethanat në Turqi, mund të tërhiqet vullnetarisht nga ky vend. Ndoshta Zonja e Parë dhe Padishahu i Parë themelojnë së shpejti një bend për argëtimin muzikor të miletit turk. Një dhomë për ushtrime mund të gjendet në pallatin e madh presidencial në Ankara. Fundja, pallati i ka rreth 1000 dhoma dhe ka kushtuar gati gjysmë miliardë euro.



