Nga Capajev Gjokutaj
Ambjentet e banimit i kemi të ngrohta, shumë më komode se dikur e megjithatë na mungon zjarri, madje edhe na merr malli për të. Këtë e sjell në mend shpesh, kur rasti e bie të ndodhem pranë një oxhaku të ndezur e të kem mundësi të shoh një copë herë flakët. Dhe s’di të them ç’e bën zjarrin aq të pëlqyeshëm krahasuar me kaloriferin.
Parë nga ana praktike kaloriferi e lë në bisht oxhakun. Mjafton të shtypësh një buton dhe vërshon ajër i ngrohtë, kurse oxhaku kërkon të pastrosh hirin, të biesh drutë në vatër, të mundohesh një copë herë për ta ndezur. Pastaj nxehtësia e kaloriferit shpërndahet në trajtë uniforme në gjithë ambjentin, kurse zjarri i vatrës të ngroh përpara e shpesh të le të plevitosur nga prapa.
E megjithatë zjarri i oxhakut ka diçka të bukur, gati gati të magjishme, që nuk e ka kaloriferi. Mbase ngaqë zjarri është polindjesor, marrim e japim me të jo vetëm si temperaturë, por edhe si ngjyrë flakësh e prushi, si lëvizje lozanjare, si kërcitje e si aromë drush që digjen, avullojnë e kërcasin. Marrë në rrafshin e ndjesive kaloriferi ngjan memec krahasuar me vatrën.
Po duket se zjarri ka edhe një përparësi që nuk është fizike. Shumicën e herëve, sidomos kur e hasim rrallë e për mall, ngjall një lloj nostalgjie. Mbase se na sjell në mend fëmijërinë dhe na shtyn të ndjejmë një,ekzistencë të dyfishtë edhe këtue edhe atje, edhe tani edhe atëhere. Na ringjall familjen e dikurshme, mbrëmjet e këndshme rreth vatrës në kohën kur nuk kishte celularë e televizorë dhe komunikomin sy për sy e zemër për zemër.
Në ato kohë rreth vatrës bisedohej, rrëfeheshin ndodhi e përralla, luheshin lojra e herë pas here edhe këndonim. Ambjenti rreth zjarrit ishte edhe bibliotekë, edhe kinema, edhe sallë koncertesh, natyrisht të gjitha këto të thjeshtëzuara në kulm, por sot na ngjallin nostalgji sa për moshën e pafajësisë që iku e vate aq edhe për të afërmit e moshuar që i kishim dhe s’i kemi më.
Parë në një rrafsh më të thellë e më abstrakt zjarri i vatrës së sotme na tërheq edhe për ikjen nga utilitarja. Dikur ishte jo vetëm vënd çlodhje e argëtimi, por edhe mjet gatimi, madje shpesh edhe burim ndriçimi në errësirë. Sot, kur e hasim rrallë e më rrallë, duket se i ka bjerrur të gjitha vlerat utilitare dhe ka mbetur diçka ndjesore e shpirtërore. Të ngjan se është purifikuar në flakët e tij.
Dhe kjo bëhet shumë më e çmuar nga që pothuajse të gjitha gjërat po lëvizin në kahun e kundërt, po bëhen përherë e më komerciale dhe, gjynah mos paça, po më ngjan se edhe shoqëria po bëhet përherë e më materialiste dhe më individualiste
Ndruhem se mos nënqeshni e thoni: vate dhe ky, si të gjithë pleqtë lavdron të shkuarën e qahet për të sotmen