BlogKryesoreOpinions

Zija Çela, nje nder shkrimtaret me te thelle te letersise sone

Nga Aleksander Çipa

Fragment i një teksti të hapur për shkrimtarin Zija Çela

Zija Çela është një shkrimtar imponues për mjediset letrare dhe lexuesin masiv, veçanërisht atë të kualifikuarin, përmes talentit dhe cilësisë së vet shkrimore. Këtë imponim të bukur e ka sjellë dhe e sjell të mishëruar në libra të njëpasnjëshëm me shqueshmëri stili, me aftësi talenti dhe mjeshtëri shkruese.
Librat e tij, shkrimtari i ka sjellë në kohë të ndryshme, në çaste të papërsëdytshme vetiake dhe shoqërore dhe me rrethana të pangjashme si prej jetës vetiake, më së shumti prej asaj të shoqërisë shqiptare.
Për më shumë se gjashtë dekada krijimtari, ky autor, ka udhëtuar nëpër madhimin e vet krijues si demiurg i shfaqshëm dhe si urtak i padeklamueshëm.
Ia ka sjellë lëndën letrare më së shumti lexuesit shqiptar; në kohë urie, në mot shembjesh, në stuhi kaotike tranzicionesh, në batica dhe zbatica shoqërore dhe gjithaq tashmë edhe vijueshmërisht, edhe lexuesit ndërkombëtar.
Letërsia e Zija Çelës, si një materie unike shkrimore e fitoi dhe ende e shton fitoren triumfuese ndër vëmendje letrare të qarqeve dhe ekspertizave filologjike në hapësirën e gati pesë shoqërive shqiptare dhe ndër librari dhe biblioteka prestigjioze të Europës.
Tregimet dhe romanet e Zija Çelës janë prurje që e kanë pasuruar prozën moderne shqiptare, duke shtuar mundësinë krahasimtare të studiuesve me mjeshtra të njohur nga vende dhe kohë të ndryshme, kryesisht me mjeshtra që për një periudhë të gjatë kohore, për arsye ekstra letrare, ishin dhe liheshin qëllimisht të ndaluar.
Shkrimtari në këtë kohë pengimesh për rryma, metoda dhe sidomos tema jashtë tabusë, e gjente me stilin dhe intuitën e vet të sillte një prozë tjetër. Me elegancë e peshë mendimi, me tejqyrje në thëllësitë e qenies dhe mendjes së personazheve, duke e vendosur lexuesin e kequshqyer të kohës para ’90-të, në gjendjen e mendimtë dhe në raportin e teleskoptë apo të mikroskoptë, për të parë atë çka nuk shihej me sytë dhe mendjen e zakontë.
Shkrimtari Zija Çela është një ndër kryeredaktorët me më tepër sprova në shtypin kulturologjik shqiptar të shekullit të fundit e ndoshta edhe më gjerë.
Përgjatë një dekade midis viteve ‘80-90-të ai kryesoi redaksinë e gazetës së njohur, madje më të famshmes së asaj kohe “Drita”, në Shqipëri.
Në disa qindra tekste epistolarike të pas kësaj periudhe, në disa dhjetra libra memorialistike të shkrimtarëve dhe në aq të tilla me ese dhe refleksione, është shkruar për gazetën “Drita”, për marrëdhënien e shkrimtarëve, poetëve dhe studiuesve me redaksinë e kësaj gazete.
Zija Çela ishte kryeredaktori që zotësisht, falë intelektit dhe estetikës së vet, duke u mbajtur në gravitetin moral të vetvetes, në drejtpeshimin e talentit të gjithkujt dhe sidomos në pasurinë e cilësive të veta njerëzore, të mbështjella nga talenti dhe aftësitë vetiake, dëshmoi dhe realizoi qëndresën e fisme të një zotnie të mendimtë.
Sikundër e thotë Umberto Eco, Zija Çela e shndërroi kryeredaktorin e atëhershëm të “Dritës” në “një regjisor të perceptimit publik” më shumë se sa një garant të së vërtetës. Në të kundërt do të ishte viktimë e pakthyeshme ndoshta për të na sjellë atë që solli dhe sjell ende,- letërsinë.
Tek Zija Çela në vitet ’80-90-të u afishua kryeredaktori krijues që ruante aq në fat-risk dhe ekuilibër midis kreativitetit dhe përgjegjësisë etike.
Pra, për Eco-n, figura ideale është ajo e një krijuesi kritik: dikush që formëson diskursin publik me inteligjencë dhe stil, por pa e humbur kurrë ndjenjën e së vërtetës dhe të përgjegjësisë ndaj lexuesit.
Shkrimtari Zija Çela është një ndër penat më spikatëse në letërsinë shqipe bashkëkohore dhe atë të gjithëkohshme. Eshtë një autor që ia ka dalë të ngrejë një univers artistik me arkitekturë komplekse mendimesh, idesh dhe karakteresh, duke depërtuar në shtresat dhe nënshtresat më të fshehta të shpirtit njerëzor. Eshtë mjeshtri i letërsisë që sjell në çdo titull romanor dhe zhanresh të tjera dendësi dhe thellësi ndjenjash, mendime dhe dilemave ekzistenciale.

Prozatori Çela është vijueshmërisht autor-lindësi i teksteve që shquhen për ndjeshmërinë e hollë artistike. Zotëronjës i gravitetit absolut moral dhe tregimtari i personazheve të mbushur me konflikte të brendshme, me plagë të heshtura dhe me kërkime sizifiane nëpërkuptimësitë e jetës.
Nuk është thjesht tregimtar, por një zotëronjës i ikanakësisë drejt vetëkuptimit, një magjistar elegant dhe mistiko-realist që përmes teksteve të tërheq nëpër galeritë dhe katakombet e brendësisë psiqike dhe qenies së njerëzve-personazhe.
Në këtë aspekt pa hezitim, mua ma ka ngulitur bindjen si lexues i hershëm i tij,( Madje më duhet ta them specifikisht se leximin e letërsisë së vet e kam pasur ushqim të rritjes sime përgjatë jetës dhe formimit), se është një ndër shkrimtarët më të thellë të letërsisë sonë.

(vazhdon)….

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button