
Policia këtë të diel ka zbuluar dhe ka goditur një grup kriminal që trafikon dhe shet armë zjarri në Tiranë, të importuara kryesisht nga Kosova. Katër persona janë vënë në pranga gjatë operacionit të koduar “LOCKDOWN”, ndërsa është zbuluar një ambient në Selitë ku armët montoheshin dhe magazinoheshin.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar tetë armë zjarri, përfshirë pesë pistoleta dhe tre automatikë, pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, tre radio si ato të policisë, një jelek multifunksional dhe nëntë telefona celularë.
Personat e arrestuar janë G. N., 39 vjeç, R. R., 48 vjeç, K. C., 49 vjeç dhe A. C., 45 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Hetimet tregojnë se ata siguruan armët jashtë vendit, kryesisht nga Kosova, dhe më pas i sillnin në kryeqytet për modifikim dhe shitje.
Specialistët e Komisariatit Nr. 3, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal. Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.


