
Sipas një raportimi nga gazeta gjermane “Bild”, hakerët kanë zbuluar disa sekrete të ADN-së së presidentit rus, Vladimir Putin. Prej vitesh, Putin është përpjekur të fshehë me çdo kusht prejardhjen e tij gjenetike, duke marrë masa ekstreme për të shmangur zbulimin e saj.
Sipas “Bild”, hakerët arritën të depërtojnë në kompjuterin e Michail Putin, i cili është nipi i dytë i presidentit rus. Nga të dhënat e zbuluara, rezulton se Putin dhe nipi i tij ndajnë të njëjtën haplogrup Y, i cili trashëgohet në linjën mashkullore.
Më e habitshmja e këtij zbulimi është se Putin është pjesë e haplogrupit E-V13, një grup gjenetik i rrallë në Rusi, por shumë i zakonshëm në Ballkan. Sipas të dhënave, ky grup gjenetik është më i përhapur në Kosovë, ku e mbartin rreth 30% e popullsisë, ndërsa në të gjithë rajonin e Ballkanit ky përqindje është rreth 15%. Në Rusi, ndërkohë, kjo shifër bie nën 5%.
Ky zbulim mund të shpjegojë paranojën e vazhdueshme të Putinit për të fshehur prejardhjen e tij. Ai njihet për shmangien e kontaktit fizik me njerëzit dhe për përdorimin ekskluziv të filxhanëve dhe gotave personale, të cilat i mban nën kontroll të rreptë. Madje, raportohet se që nga viti 2017, ai ka agjentë të posaçëm që mbledhin mbetjet e tij trupore gjatë udhëtimeve jashtë vendit për t’i sjellë përsëri në Rusi dhe për t’i asgjësuar.
Përveç kësaj, të dhënat tregojnë se Putini mund të ketë një predispozitë të shtuar për kancerin e prostatës, një sëmundje që është lidhur me haplogrupin E-V13. Një studim i vitit 2024 gjeti një lidhje mes kësaj sëmundjeje dhe strukturës së ADN-së së tij.
Një tjetër fakt i çuditshëm që “Bild” e vë në dukje është se edhe Adolf Hitleri ishte bartës i të njëjtit haplogrup E-V13, sipas një raportimi të “Daily Mail” në vitin 2010. Ky fakt mund të jetë një tjetër arsye pse Putin është kaq i kujdesshëm për të fshehur informacionet mbi prejardhjen e tij gjenetike.
Ky zbulim i ri hedh një dritë të re mbi misterin që e ka shoqëruar prejardhjen e presidentit rus, duke ngritur pyetje të reja mbi identitetin dhe trashëgiminë e tij gjenetike.