Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një komunikim me gazetarët ka thënë se aplikimi për të votuar nga diaspora mund të bëhet në faqen e KQZ.
Ai ka theksuar se i kanë marrë masat në rast fluksi dhe për këtë kanë bashkëpunuar dhe me institucione të tjera.
“Deri më datën 4 mars, gjithçka është e mundur. Nëse ndonjë nuk gjendet duhet ti drejtohet bashkisë për të qenë pjesë e listës.
I kemi marrë masat, në vlerësimin dhe gjykimin tonë nuk do të ketë asnjë problem. Jemi të organizuar nga pikëpamja teknike që të përballojmë çdo lloj fluksi.
Sistemi i përgjigjet fare mirë çdo vendi ku është aplikanti. Jemi në një bashkëpunim 24/7 dhe me institucione të tjera për t’ia dalë sa më mirë”.
Sipas Celibashit, kodi zgjedhor ka nevojë për ndryshime, veçanërisht në karakterin teknik.
“Di që ka nevojë për tu bërë disa ndryshime në kodin zgjedhor. Janë thjesht gjëra të karakterit teknik dhe në gjykimin tonë sjellin soliditet të procesit teknik. Për shembull, çështja e afateve zgjedhore, ka dhe aspekte të tjera të vlerësimit të gjykimit nga jashtë. Është shumë e rëndësishme që ky proces të gëzojë respektin e të dyja palëve”.