Aktualitet/LajmeBlogKryesoreKultureNdodhi

VISION THING – Tavanët e Shqipërisë dhe çmimi i saj

Nuk është Tony. Tony Blair, e kam fjalën. Është BRIAN ENO, një anglez tjetër, ndoshta për shumë e shumë, si unë, më i njohur se shumë politikanë.
Por për këtë më tepër më pas.
Sot do vijoj me punët dhe çështjet e ‘filmit’ sepse shumë e më shumë e kuptojnë dhe e dinë se mbeten çështje jo me pak vlerë dhe rëndësi, sado simbolike të duken në pamje të parë.
Si dihet, FILMI duke qenë se është një nga format e artit që bashkon të gjitha gjinitë e tjera, mund të “mbajë” me frymëzim, aktivitet, veprimtari dhe krijimtari edhe shumë artistë të tjerë përveç drejtpërdrejt regjisorëve dhe producentëve apo mirëfilli kineastëve.
Nga vitet 1950-të deri në 90-të, përveç punonjësve teknikë të Kinostudios dhe të RTSH, të atashuar me kinematografinë ishin pjesërisht por edhe në kohë të plotë një pjesë e mirë e shkrimtarëve, kompozitorëve, aktorëve dhe veçanërisht edhe piktorëve më të mirë të Shqipërisë, skenografëve dhe deri te kostumografë dhe dizajnues të tjerë.
Fatkeqësisht, sot kuotat e vendosura nga nuk e di cila llogjikë institucionale janë jo vetëm të papërfillshme për ecurinë normale të punës, por janë më keq dhe më skajshëm se fyese dhe denigruese për punën krijuese.
Mjafton të shihen kuotat aktuale të certifikuara nga QKK për shpërblimin për punën krijuese të filmit dokumentar (një nga 3 gjinitë e njohura nga ligji për kinematografinë për mbrojtjen dhe zhvillimin e të cilës ekziston dhe QKK që prej vitit 1996 e deri më sot, pra për 30 vjet, së bashku me filmin fiksion dhe atë të animuar). Për të kuptuar se si ai institucion si dhe kush e ka drejtuar atë të paktën në këto 12 vjet duhet të ulin kokën dhe të skuqen kur shfaqen dhe dalin para njerëzve krijues të këtij vendi.
Nëse ‘For All Mankind’ do ishte realizuar në Shqipëri në vitin 2026, kompozitori Brian Eno do të kishte si tavan maksimal të akorduar për muzikën e tij 1500$. Montazhieri 1000$, skenaristi 1500$, regjisori 2000$. Kushdo të ishte, në cilëndo moshë të gjendej dhe sado kohë dhe vite pune t’i dedikohej këtij projekti.
Këto janë shifrat aktuale të miratuara dhe të njohura nga Institucioni Publik shqiptar i ngritur dhe i mbajtur në funksion me fonde publike, i cili ka për detyrë të sigurojë kineastin filmik shqiptar, të mbrojë interesat e tij si dhe filmin me vlera kulturore dhe kombëtare shqiptare.
Me rastin e vajtjes aktuale në Hënë dua të veçoj një nga filmat më të mirë dokumentarë në botën tonë me titull ‘For All Mankind’ (1989) i Al Reinert.
Ia shfaq pothuaj çdo kursi studentësh që drejtoj në Akademinë e Arteve ku punoj, si shembull i disa fenomeneve të punës sonë:
1. Për punën e paimagjinueshme për të krijuar një film në post-produksion.
Çfarë do të thotë kjo?
Për realizimin e këtij filmi regjisori i tij, që si në shumicën e rasteve të filmit dokumentar është edhe “skenarist”, ka parë me kujdes për rreth dy vjet të gjithë materialin filmik të regjistruar dhe në disponim të NASA-s, të xhiruar prej kronikuesëve të tyre në disa ekspeditave APOLLO të ndryshme në vite – 6 milionë “feet” of film, thuhet dhe kjo bën rreth 2,778 orë xhirime (ose pak më shumë se 115 ditë nëse e shikon pa pushim).
Me bazë këtë material kronikal të NASA-s, ai dhe montazhieri Susan Korda ndërtuan një nga filmat që në optikën time është nga më të mirët në histori për çështjet e hapësirës – një film 80-minutësh që duket si një mision i vetëm i pandërprerë drejt Hënës, epik, poetik dhe thellësisht njerëzor, që përdor vetëm zërat autentikë të astronautëve.
Një nga elementët më të veçantë dhe më të bukur të këtij filmi është gjithashtu muzika dhe përdorimi i saj në film.
Muzikë e kompozuar për këtë film nga Brian Eno e mbetur legjendë në zhanrin ambient.
Albumi i Enos ‘Apollo: Atmospheres & Soundtracks’ është një nga soundtrack-et më të mirë ndonjëherë, që dëshmon rëndësinë dhe lidhjen e jashtëzakonshme – në rastet më të mira dhe gjithësisht unike – të filmit, imazhit me muzikën (ashtu si dhe fjalën kur sheh filmin dhe dëgjon shprehjen e famshme të Armstrong kur ve këmbën në Hënë).
Këtu muzika nuk është thjesht sfond, por pjesë organike e përvojës, që e ngren filmin në një nivel tjetër emocional dhe filozofik.
Ky është një nga rastet e një filmi të vetëm.
Sa muzikë filmi ka prodhuar Shqipëria e varfër e viteve 50-90-të.
Ku janë sot KOMPOZITORËT shqiptarë?
A e ka pyetur njeri veten pse GJOJA nuk ka më?
Them GJOJA, sepse ka muzikantë dhe kompozitorë të shkëlqyer Shqipëria. Por disa sharlatanë që kanë patur mundësi shumë lehtësisht t’i ndihmojnë edhe thjesht duke i rritur diçka një kuotë për muzikë filmi, nuk e kanë bërë këtë. Pëkundrazi! Por nuk po zgjaten në historinë e INJORANCËS dhe poshtësive shqiptare.
Shqipëria nuk ka shkuar në Hënë, por flamuri shqiptar ka shkuar ama!
Gjatë misionit ‘Apollo 14’ (31 janar – 9 shkurt 1971), komandanti Alan B. Shepard (i pari amerikan në hapësirë në 1961 dhe një nga astronautët që shkelën në Hënë) mori me vete një flamur të vogël shqiptar në anijen “e tij” kozmike amerikane.
Flamuri i vogël shqiptar udhëtoi deri në Hënë dhe u kthye i sigurt në Tokë.
Pas misionit, në tetor 1971, Shepard mori pjesë në sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Atje ai i dorëzoi një diplomat shqiptar një dokument të veçantë: një fotografi të sipërfaqes së Hënës, pranë së cilës ishte ngjitur flamuri i vogël shqiptar.
Mbishkrimi zyrtar: “This flag was carried to the moon onboard Apollo 14… It is presented by Rear Admiral Alan B. Shepard, Jr.”
Me shkrim dore Shepard ka shkruar: “With the compliments of the astronauts of the United States. Alan Shepard 02.10.71” (Me përshëndetjet e astronautëve të Shteteve të Bashkuara).
Gjest simbolik i ndoshta edhe pasardhësëve të disa shqiptarëve të emigruar hershëm në vendin e ëndrrave të së gjithë botës së lirë, por flamuru i vogël shqiptar që arriti Hënën u soll në Shqipërinë shtet e cila nuk ka shkuar në Hënë me raketa, por ka pasur (dhe ka ende) njerëz që me punën e tyre artistike, shpirtërore, mendore, intelektuale, me zemër dhe sytë e saj do arrijnë gjithmonë larg dhe nuk do jenë kurrë vetëm.
Gjithmonë në përballje dhe kundërshti me institucionet publike, jo gjithmonë në të njëjtën linjë me lirinë, sidomos kur gjatësisht të kapura nga segmente anti-humanë, dukshëm dhe përjetësisht në tallje me vetë krijimtarinë, shpirtin dhe talentin, për të cilën ka luftuar dhe lufton, çdo shpirt i lirë, dhe çdo shqiptar.
Janë vizionet e njerëzve ato që kapërcejnë kufizimet dhe kufijtë tokësorë.
Filma si ‘For All Mankind’ na kujtojnë se arti lind nga vizioni dhe durimi.
Respektimi i punës krijuese, kërkon këtu dhe sot një shkëputje të vetëdijshme nga kurthet që ngre burokracia.
Dhe 3 citate, nga ndoshta, pas Shakespearit, anglezi më i madh: Winston Churchill.
“Ill fares the race which fails to salute the arts with the reverence and delight which are their due.”
“Civilisation will not last, freedom will not survive, peace will not be kept, unless a very large majority of mankind unite together to defend them and show themselves possessed of a constabulary power before which barbaric and atavistic forces will stand in awe.”
“The empires of the future are the empires of the mind.” (Harvard speeches, 1943)

Artikuj të lidhur

Back to top button