Nga puna në të zezë, orët shtesë të papaguara, puna në ditë festash dhe ditë pushimi, censura dhe vetëcensura e deri te vonesat në paga, bëjnë që gazetarët e mediave online të heqin dorë nga profesioni. Të gjitha këto vështirësi dhe problematika të këtij sektori të parregulluar shoqërohen me pasiguri në punë, mungesë pasioni dhe jo pak herë me keqinformim apo informim të cekët të publikut.
Alban Tufa
Në raportin e Media Ownership Monitor Albania për vitin 2023, rreth 70% e shqiptarëve përdorin median online çdo ditë, ndërsa 82% përdorin median sociale. Nga ky raport kuptohet konsumi i lartë i medias në Shqipëri, gjë që reflektohet edhe në numrin e lartë të gazetarëve në vendin tonë. Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, në vendin tonë ka 6200 profesionistë dhe 2736 prej tyre janë gazetarë. Edhe pse është e vështirë të përcaktohet se kur numri i gazetarëve është i lartë apo i ulët, mund të krijohet një ide duke bërë krahasimin me vendet e tjera në Europë. Revista “Monitor” në 2019-n shkruante se Shqipëria është një ndër vendet me më shumë gazetarë në Europë. Në artikull thuhet se për numrin e gazetarëve, Shqipëria renditet e treta, pas Rumanisë dhe Letonisë. “Nga përllogaritjet e “Monitor”-it, në raport me popullsinë janë 22 të punësuar në media për 10 mijë banorë”, – thuhet në artikull. Kjo situatë lidhet ngushtë me zhvillime të tjera teknologjike, ekonomike dhe kulturore.
Sipas kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, referuar një statistike të përditësuar nga UGSH, në vendin tonë janë aktualisht rreth 753 portale online. Në këto media online janë të rekrutuar mbi 1700 persona. Teksa numri i mediave online dhe punonjësve në to vetëm shtohet, në të njëjtën kohë shtohen problematikat dhe vështirësitë. Në një raport të vitit 2020, Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se gazetarët janë nën presion, ata punojnë në kushte informale dhe në shumë raste janë ndier të kërcënuar.
Redaksitë e mediave online mbahen nga gjinia femërore
Në kuadër të kësaj analize, me qëllim vlerësimin e vështirësive dhe problematikave me të cilat përballen gazetarët e mediave online, gjatë muajit tetor të vitit 2024 u realizua një anketë. Anketa u zhvillua nga autori i këtij artikulli dhe u shpërnda nëpërmjet Google Form te gazetarët e mediave online duke përdorur kontaktet e gazetarëve, drejtuesve të disa redaksive dhe grupet e tyre të Whatsapp-it. Anketa u plotësua nga 86 gazetarë që punojnë në redaksitë e mediave online. Nga anketimi rezulton se në redaksitë e këtyre mediave mbizotëron gjinia femërore. Siç paraqitet edhe në grafikun e mëposhtëm, rreth 67% e të anketuarve janë femra, 31% janë meshkuj, ndërsa një pjesë shumë e vogël, 2,3%, nuk preferojnë ta deklarojnë gjininë.
Eksperti dhe profesori i gazetarisë, Erlis Çela, thotë se kjo lloj panorame nis që nga auditorët e shkollave të gazetarisë dhe komunikimit. Sipas tij, auditorët janë të mbushur thuajse vetëm me vajza. “Shumica e djemve ose emigrojnë drejt vendeve perëndimore ose nuk zgjedhin të studiojnë gazetari. Për ta, ky profesion nuk të garanton një të ardhme, ngaqë është krijuar ideja se është i keqpaguar”,- thotë ai për “INA Media”.
Gazetarët nuk e vlerësojnë si pozitive përvojën në median online
S.SH-së i bëri përshtypje, kur nisi punë në një media online, madhësia e redaksisë. “Kisha përfytyruar një vend të madh dhe të komplikuar, por ishte diçka krejt e thjeshtë. Dhe me kalimin e pak ditëve kuptova që gjithçka kisha të bëja ishte një PC: shoku im më i ngushtë”,- shprehet ai.
Gazetarët e anketuar e kanë të vështirë ta përcaktojnë eksperiencën e tyre në median online. Shumica prej tyre janë neutralë, një pjesë tjetër pak më e vogël e konsideron përvojën në këto media si pak pozitive dhe një pjesë tjetër aspak pozitive. Po t’i mbledhim të tria këto përvoja negative, thuajse negative dhe neutrale rezultati është rreth 78%. Ndërsa konsiderimi i përvojës si pozitive dhe thuajse e tillë mbetet rreth 22%.
Ervin Leka është gazetar kronike në një nga televizionet e vendit tonë me një eksperiencë më shumë se 5-vjeçare në median online. Ai shprehet për “INA Media”-n se mediat online e kanë përgatitur për të punuar në televizion. “Gjatë punës si gazetar online kam vënë re që dinamika e lajmit kërkon reagim të shpejtë dhe aftësi për të përpunuar informacionin me shpejtësi dhe saktësi, sepse shpesh artikujt mund të bëhen viralë dhe kanë impakt të madh brenda pak minutash”, – thotë ai.
Sipas gazetarit Renaldo Salianji, anëtar i Bordit të Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë, përvoja e tyre neutrale lidhet me faktin se ata janë kryesisht të rinj dhe nuk kanë pasur eksperienca të mëparshme. Ai i qëndron idesë se ata që e shohin eksperiencën në median online si diçka negative janë punonjës me eksperiencë dhe janë më të mëdhenj në moshë.
Ndërsa profesori i gazetarisë Erlis Çela thotë për “INA Media”: “Deklarimi që përvoja në median online është neutrale më ngjan më keq se përvoja negative, për vetë faktin se kjo tregon apati. Ose këta gazetarë nuk janë të interesuar ta shprehin mendimin real ose kanë frikë të shprehen. Këto lloj neutralitetesh unë personalisht i kam lexuar përherë si përvoja negative, ngaqë ekziston tendenca për të mos u dukur keq”. Sipas tij, shpesh këto përgjigje orientohen nga frika se mos informacioni bëhet publik, nga frika e stigmatizimit etj.
Mungesa e ekspertizës, gazetarët e mediave online merren me “të gjitha”
Përveçse të raportonte lajmet në kohë reale në portal, gazetares P.L. i duhej të merrej edhe me menaxhimin e rrjeteve sociale. “Përveçse duhej të shkruaja, duhej të menaxhoja edhe rrjetet sociale, të marketoja lajmin. Duhet të gjeja foto cilësore për Instagram”, – thotë ajo për “INA Media”. Zakonisht asaj i duhej të bënte 15 artikuj në ditë, të raportonte për disa fusha dhe kjo filloi ta shqetësonte, deri në çoroditje. “Aq keq më dukej vetja sa më iku dëshira për të lexuar në tërësi. Nuk mund të lexoja më as libra”, – shprehet ajo.
Gazetarët e medias online nuk janë të fokusuar vetëm në një fushë. Shumica merren me raportime për të gjitha fushat. Kjo ndodh rëndom në redaksitë e medias online dhe shpesh orientohet nga nevojat ditore që ka redaksia ose nga ngjarjet që ndodhin në hapësirën publike.
Për gazetarin Emirjon Senja, mbingarkesa dhe mungesa e profilizimit çon te lajmet sipërfaqësore, pa thelb, të njëjta si kudo tjetër. Ai thotë për “INA Media”: “Kjo krijon një uniformizim të lajmit si në rastet kur është i saktë, ashtu edhe në rastet kur kemi të bëjmë me lajme të pavërteta”.
Ndërsa Mentor Kikia thotë se gazetarët kanë nevojë të profilizohen. Kjo diktuar jo thjesht nga nevojat e medias, por edhe nga prirjet e gazetarëve. “Profilizimi çon jo vetëm në specializimin e gazetarit, por edhe në krijimin e burimeve të tij të qëndrueshme në sektorin që ai mbulon, në krijimin e emrit dhe autoritetit të tij dhe këto çojnë në përmirësimin e cilësisë së të bërit gazetari”,- shprehet ai për “INA Media”.
Të keqpaguar, pa festuar, duke punuar në të zezë, me mbingarkesë në punë dhe orë shtesë të papaguara
Problematika kryesore me të cilën përballen gazetarët është pagesa e ulët. P.L. shprehet se në median online ku punonte, angazhimi ishte fiks tetë orë në ditë dhe paguhej 25 mijë lekë (të reja), pa sigurime dhe paga i jepej në zarf. “Kam idenë që në atë redaksi, vetëm redaktori ishte i punësuar me sigurime”, – thotë ajo. Në anketimin e kryer në kuadër të këtij artikulli rezulton se rreth 72% e të anketuarve marrin pagesë të ulët për punën që bëjnë. Ndërsa 63% e tyre punojnë në ditë festash dhe ditë pushimi zyrtar. Gjysma e të anketuarve ose punon në të zezë ose paga nuk u deklarohet plotësisht.
Lidhur me mosdeklarimin e pagave, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, shprehet se është një e dhënë e saktë dhe e pritshme. “Gropa financiare e kontributeve për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore është një histori e turpshme për sektorin e mediave dhe aq më tepër për mediat online”, – thotë ai për “INA Media”.
Edhe për ekspertin dhe profesorin e gazetarisë, Erlis Çela, mosdeklarimi i pagave nuk është i papritur. “Ky problem e ka shoqëruar tranzicionin e medias në Shqipëri duke nisur që nga vitet ’90 deri në ditët tona. Shumica e gazetarëve të rinj e kanë nisur punën në të zezë. Ashtu ka ndodhur dhe ashtu po ndodh. Por edhe pasi përfitojnë përvojë apo pasi ndërtojnë një profil, gazetarët e pranojnë që marrin, në mos të gjithën, një pjesë të pagës dorazi”,- deklaron ai.
Gazetarët përballen me normë të lartë postimesh brenda një dite dhe me trysninë për të raportuar lajmin e parë. Ndërkohë, disa gazetarë përballen me orë shtesë të papaguara dhe me kushte jo të mira në vendin e punës. Për S.SH., sfidë ishte fillimisht përgatitja sa më shpejt e lajmit të fundit. “Prej kësaj nisa të kuptoja se nuk ka rëndësi se sa mirë shkruan, por se sa shpejt shkruan në tastierë. Kuptova se ka rëndësi të shkruash shumë dhe shpejt, jo të shkruash mirë”, – shprehet ai.
Në median online, P.L. shprehet se e ka shoqëruar gjithmonë pasiguria në vendin e punës. Këtë e shpjegon duke treguar rastin e një kolegeje të saj në redaksi. “Një kolege u pushua nga puna në mes të natës. Thjesht pamë një njoftim në grup dhe të nesërmen nuk e pamë më në redaksi. Në këtë situatë, censura merrej si e mirëqenë dhe tashmë isha futur në kurthin e vetëcensurës”. Edhe për E.D., sfidë e përditshme mbetet presioni apo përgjegjësia për të prodhuar përmbajtje të shpejtë dhe me cilësi të lartë. “Duke ditur sa shumë ndiqet media ku punoj, pesha që ka, shpesh vihem nën presion për të qenë e kujdesshme, për të verifikuar çdo gjë e për të marrë aprovime nga palë të tjera përpara publikimit”, – deklaron ajo për “INA Media”.
Në të njëjtin mendim është edhe gazetari Ervin Leka. Ai thotë se presioni i kohës është një nga sfidat më të mëdha. Shpejtësia është shpesh më e rëndësishme se në format tradicionale të medias dhe ky ritëm i shpejtë mund të çojë në gabime ose mungesë të analizës së plotë.
Shqetësues mbetet edhe anonimati i gazetarëve që punojnë në këto media. Këta gazetarë shpesh punën në mediat online e kanë si punë të parë ose ndër të parat dhe nuk gëzojnë ende një status të konsoliduar. Kësisoj, ata, duke mbetur anonimë, shmangen nga përgjegjësia e raportimit të saktë dhe të paanshëm. “Në mediat online punojnë edhe njerëz që kanë pak lidhje me median dhe, e dyta, më e rëndësishmja, është e vështirë të njihen, puna e tyre nuk vihet re. Ne nuk i dimë emrat e atyre që punojnë në median online. Dhe për më tepër, ata hyjnë dhe dalin shpejt nga tregu i medias”, – thotë gazetari dhe anëtari të Bordit të Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Renaldo Salianji.
Gazetarët e mediave online heqin dorë përfundimisht nga profesioni
S.SH. shprehet se pasi ka punuar disa muaj në gazetarinë online në fushën e sportit, në kuptimin e profesionit nuk zhvillohet dot më. “Mbetesh në vendnumëro. Pastaj zë e demoralizohesh. Nuk të pëlqen të shohësh më ndeshje futbolli. I kam marrë bezdi të gjitha sportet”, – përfundon ai për “INA Media”. Përjetimi është i njëjtë edhe për gazetarët e tjerë. “Pas dy vitesh hoqa dorë nga gazetaria online”, – thotë P.L. “E ndieja që nuk mësoja më asgjë të re, nuk po zhvillohesha në asnjë aspekt. Pas pak kohësh, redaktorët, më shumë sesa mundësi, bëhen pengesë për zhvillimin tënd profesional. Megjithatë, kur dhashë dorëheqjen nuk pashë as përpjekjen më të vogël për të më mbajtur në punë”,- përmbyll ajo për “INA Media”.
Në të njëjtin përfundim ka ardhur edhe E.D. “Në vendin tonë ka gazetarë shumë të mirë në mediat online, por për shkak se nuk paguhen mjaftueshëm detyrohen të heqin dorë. Një vendim të tillë e konsideroj edhe unë çdo ditë. Në shumë media ka vonesa në paga, në sigurime shoqërore, ka shumë presion nga drejtuesit për punën, situata që bëhen shpeshherë stresuese dhe të shtyjnë drejt një sektori apo profesioni tjetër”, – përfundon ajo për “INA Media”.
Gazetarët e medias online bien dakord në masën 76.5% se si pasojë e sfidave dhe problematikave ata nuk zhvillohen dot më tej në profesion. Ndërsa 68% e tyre bien dakord se në këtë situatë ata bëjnë gazetari të cekët. Rreth 73% e të anketuarve bien dakord se prej problematikave dhe sfidave të analizuara më sipër gazetarët e mediave online heqin dorë përfundimisht nga profesioni.
“Këto sfida kanë thelluar bjerrjen e dëshirës së studentëve të diplomuar në gazetari dhe të rinjve që e kanë ëndërruar të bëhen gazetarë. Shumë prej profesionistëve në gazetarinë aktive prej vitesh po largohen dhe kërkojnë vende të tjera e të ndryshme pune. Efekti është i shumanshëm”, – thotë për “INA Media” kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa.
Në të njëjtën linjë argumentimi, profesori i gazetarisë, Erlis Çela, shton: “Me kalimin e kohës, sidomos në raste kur përballen me padrejtësi, gazetarët vënë re që janë të vetëm në këtë rrugëtim dhe përfundimisht heqin dorë”. Sipas tij, përballja me padrejtësitë, kërcënimet dhe intimidimet ka kosto, të cilën gazetarët e mediave online nuk e marrin dot përsipër të vetëm.
Si mund të përmirësohet situata nga këndvështrimi i ekspertëve?
Gazetari Mentor Kikia beson se vetëm formalizimi i tregut të mediave online, jo futja nën kontroll përmes ligjit, por detyrimi për t’u formalizuar, do të rregullonte disa parametra. “Do të ulte dozën e abuzivizmit, shantazhit e gjobëvënies nga disa media të kësaj fushe. Do të hiqte nga tregu mediat e “zeza” që nuk deklarohen, që paguajnë keq apo fare gazetarët e rinj që duan të futen në treg, që përdoren për shantazh etj.”, – përfundon ai.
Aleksandër Çipa, pasi flet për angazhimin e gazetarëve në organizata, sugjeron që ata t’u qasen organizatave mediatike që rekrutojnë vetëm profesionistë dhe financohen mbi bazë projektesh nga donatorë të ndryshëm ndërkombëtarë.
Edhe eksperti i mediave online, Emirjon Senja, jep të njëjtin sugjerim. Ai thotë se shembujt më të mirë në treg janë mediat online që mbështeten nga organizatat e huaja apo ambasadat, të cilat bëjnë që gazetarët mos të përballen me presione financiare. “Shtimi i mbështetjes për media të ngjashme mendoj se do të jepte një kontribut të vyer në këtë drejtim”, – përmbyll ai për “INA Media”.
Profesori Erlis Çela, duke folur për modelin ekonomik të medias shqiptare, tregon se gazetaria e mbështetur ose mediat me donacione kanë hapur një shteg. Sipas tij, është një mundësi e mirë e cila duhet nxitur që në auditorë duke futur lëndë që kanë të bëjnë me sipërmarrjen e gazetarëve. “Megjithatë, gazetarët duhet të bëhen bashkë për problemet e profesionit, që në thelb janë problemet e tyre. Vetëm së bashku ata mund të përballen me pronarët e medias, me eprorët e tyre, me kërcënimet etj.”,- thotë ai.
Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.