Nga Pellumb Kulla-
(Kam kënaqësinë të risjell me shkurtime fjalën iime përkujtimore në Kju Gardens Cemetery, NY, më 9 Janar 1994 18 vjetor të vdekjes të komandant Abaz Kupit)
* * *
Personalisht jam i lumtur që erdhi dita të gjendem këtu dhe të meditoj kokëulur përpara një varri të tillë siç janë varret që përbëjnë dhimbje dhe stoli kombëtare, kudo që janë, në truallin shqiptar, apo nëpër botë, aty ku i shpërndau historia jonë tragjike.
Zonja dhe zotërinj,
Kujdesi juaj për kët varr të lavdishëm dhe nderimi që i keni bërë ju komandantit Abaz Kupi, në të gjallë dhe pas vdekjes, meritojnë vlerësim dhe respekt të lartë.Që vijmë dhe me nderim rreshtohemi tok me ju, kaq vonë, ju na besoni se nuk është thjesht vonesa e jonë. Të tilla të vogla janë dimensionet tona njerëzore, të tilla të vogla ishin dimensionet tona kolektive, të tilla të mëdha ishin dimensionet e pesha e zgjedhës së hekurt e kriminale, në Shqipëri e në gjysmë të rruzullit.
Dhe ajo ditë vjen, pa edhe pse do të deshim t’i shtrëngojmë dorën heroit, takojmë varrin e tij. Por varret e heronjve, zonja dhe zotërinj, nuk janë thjesht …gropa! Ato janë brazdat ku mbillet liria, ku mbillet pema e krenarisë kombëtare.
Edhe pse është ngritur mjegull edhe pse janë përpjekur ta fshehin, kujtesa popullore ka funksionuar për mrekulli. Dhe jo sot, por gjatë 50 vjetëve, i madh e i vogël në Shqipëri, e di mirë që rezistenca e Prillit ‘39 kundër pushtuesve fashistë, kundërshtimi i armatosur ndaj kësaj robërie të re, ishte vepra e paharruar e luftëtarit Abaz Kupi.
Komunistët e Enver Hoxhës hodhën baltë, e folën dhe e përfolën figurën e këtij fatosi. Personaliteti i tij i mundonte. Ata mobilizuan taborë të tërë historiografësh të rremë, lektorësh e shkrimtarësh, vetëm për ta mposhtur kujtimin e këtij luftëtari. Se ata e kishin dhe e kanë zakon, që falin dhe kursejnë kollaj figurat e njollosura: Figurat e pastra nuk i falin kurrë!
Ata nuk ia falin komandantit Abaz Kupit përkushtimin ndaj Shqipërisë, mos-përlyerjen dhe besnikërinë e tij ndaj kauzës botërore të mposhtjes së fashizmit, besnikërinë e tij ndaj aleatëve të Demokracive Perëndimore.
Abaz Kupi përfaqëson shëmbullin më të bukur të idealistit që, urdhëruar nga zëri i lartë i Atdheut, dhe duke i njohur mirë të metat e shqiptarëve, dhe sidomos të metat e komunistëve, harroi gjithçka dhe vrapoi në kuvendin antifashist të Pezës. Vrapoi, por provoi shijën e hidhur të demagogjisë, të tradhëtisë dhe manipulimit sllavo-komunist të Hoxhës dhe të Titos.
Vrapimi i tij për në Pezë, është vrapimi më fisnik dhe më i trishtueshëm i kësaj figure kombëtare. Ky vrapim përbën ndofta dhe mesazhin kryesor të jetës së tij. Ai e dinte se shqiptarët përjetësisht lusin dhe dëshirojnë bashkimin. Përjetësisht bashkimi ka qenë nevoja e tyre më e madhe, ka qenë e do të jetë arma e fitores shqiptare. Ai e dinte që bashkimin e shqiptarëve nuk e duan vetëm armiqtë e Shqipërisë – armiqtë dhe vetëm ata! Ky shqiptar i shquar vrapoi atje edhe duke menduar se edhe mund të mashtrohej, por nuk la pa provuar rastin e rishmë, se bashkimi mund të arrihej.
Edhepse u gënjye, edhepse dështoi, ne e nderojmë Abaz Kupin edhe më shumë.Është më e lartë të jesh i tradhëtuar se sa tradhëtar.
Komunistët nuk ia falën kurrë këtij burri të drejtë dhe trim, atë deklaratë shqelmuese të daljes nga kryesia e të ashquajturit Këshill Nacional-Çlirimtar, duke lënë në atë Këshill vetëm komunistët dhe ca lolo të tyre. Ata nuk ia falën këtij karakteri të madh maskëçjerrjen e pabesisë dhe alarmin që ai dha për luftën civile mes shqiptarëve e që mjerisht nuk e ndali dot.
Ata nuk ia falën veprën dhe papërkulshmërine e tij në vitet e emigracionit.Abaz Kupi u sha, u mallkua, dhe mbeti padyshim një nga armiqtë më të egër të klikës antikombëtare të Enver Hoxhës.
E kur komunistët shqiptarë të cilësojnë armik të madh kjo është vet-vetiu dekorata më e lakmueshme e më e lartë që, padashur, u japin atyre që ata urrejnë.
Është vërtet për t’u gëzuar që këtë dekoratë të shtrenjtë e ka njeriu që po përkujtojmë ne sot.
I përjetshëm e i pashuar qoftë kujtimi i komandantit Abaz Kupi!